FADIL LEPAJA
E kishim planin perfekt se si me e pushtue Serbinë! Më saktë Beogradin! Ishte konspiracion vendorë dhe ndërkombëtarë përmasash globale, por…ah! Nuk bëhet konspiracioni me shqiptarë or vëlla. E shumta shërbejmë për koalicion publik! Ashtu, sa për t’u dukur! Ndër njëqindmijë ushtarë të koalicionit ndërkombëtarë, ne dërgojmë njëqind! Sa për t’u dukur! Do ti…ne na kapin mediat! Por, nuk ke çfar i bënë! Na do kamera or vëlla!
Kur u desh të bëhet publik në përmasa planetare konspiracioni i quajtur ISIS, kush doli para kamerave? Askush tjetër pos një shqiptar i cili preferon të kapërdiset para kamerave me një kokë njeriu në dorë dhe të shkelë pasaportën e vendit të vet! Mbeti kush pa e marë vesh? Nuk mbeti!
Pra, ne shqiptarët gjithnjë më katolik se Papa, më komunist se Stalini dhe më musliman se Bin Ladeni! E duam publicitetin! Nuk e mohon dot! Nuk durojmë të jetojmë pa vëmendjen globale. Na ndjek pas dhe kjo potencë për me krijue lajm përmasash planetare!
Nëse don me u mar vesh diçka, ua beso shqiptarëve! Mjafton të u thuhet: “mbajeni sekret”!
Edhe kur mbulohen, ata zbulohen! Kur zhvishen gocat tona…ua u zhveshën thonë! Kur mbulohen, prap keq! U mbuluan thonë! Asgjë nuk kalon pa vëmendjen globale! Na kanë kapur reflektorët!
Pra, skenari për me e çlirue Serbinë, ekzistonte! Ishte pak a shumë sikur në luftën e fundit politike në Kosovë! Shumë kohë pas Betejës së famshme të Kosovës, në Prishtinë, te rrethrrotullimi i famshëm me emrin “Te Rrethi” , u zhvillue një luftë përmasash epike në mes të Qeverisë së tanishme Thaqi e cila, me ndihmën e zotit po na lë, edhe … “Vetvendosjes”. Në fakt, për ata që nuk e dijnë, “Vetvendosja”, paturpësisht kishte vendosë vet , pa e pyetur askënd, me e vendosë në shtyllën më të lartë në kryeqytet, flamurin e një shteti fqinjë, të quajtur Shqipëri! Donin të thoshin, ruena zot, se Kosova është Shqipëri! Nejse, ata e quajtën flamur kombëtarë, por …kë e mashtrojnë ata? Qeveria e uli poshtë flamurin me shqiponjën dykrenshe. Ata e ngritën sërish!
Kështu, krejt pafajshëm filloi lufta e cila nuk ka përfunduar ende. Qeveria në ikje, shqetësohej se flamuri kuq e zi po i shqetëson minoritetet. Kjo u bë problem serioz pasi idealiastët e “Vetvendosjes” e pushtuan Prishtinën. Por kjo nuk mjafton! Çlirimi i Prishtinës ishte veç hapi i parë për me e çlirue edhe Beogradin! Se Beogradi është faktor serioz politik në Kosovë! Rrugë tjetër nuk ka!
Në Europë po na pranonë, veç krah për karah me serbët … por rusët nuk po lejojnë! Kryetari serb Nikoliq, kohët e fundit ishte në Rusi për të bindur shikuesit e atjeshëm se Serbija nuk e tradhëton Rusinë! Nuk e jep Rusinë për Europën! “Mos na detyroni të zgjedhim mes Europës dhe Rusisë”, u drejtohej ai diplomacisë perëndimore përmes televizioneve ruse. Pra, Serbia e pushtuar, dëshiron të shkojë në Europë, por … me Rusinë. Se Rusia nuk e lë vetëm!
Pra, serbët duhet ndihmuar! Kush tjetër pos shqiptarve! E çka hyjmë ne në këtë “lojë” or vëlla? Hyjmë, si nuk hyjmë! E ku ka lojë pa ne?! Pastaj, nëse shohim prapa në histori, serbve ua kemi borgj një … çlirim. Ata na “çliruan” nga turqit!
Sipas pretendimeve të historianve serb, në vitin 1913 ata e çliruan Kosovën nga turqit. Duke qenë se ata ende nuk kishin besim në ne, mbetën këtu për njëqind vjetët e ardhshme. Edhe thanë: “Kosova është Serbi”!
Pastaj sipas politikanëve turq, ata më 1999 na çliruan nga serbët. Jo se nuk ishin pjesë e kësaj loje, por…!
Kështu kemi hy në një rreth vicioz të çlirimit dhe okupimit dhe në njëfar forme kemi mbetur borxhli të përjetshëm diku dhe dikujt, pa arritur të… ecim vet!
Pra, nuk kishte rrugë tjetër! Duhej pushtuar Beogradi! Duhej shpalosur në “Marakanë” shqiponja dykrenare, bashk me slloganet “Serbia është Shipni”! Kjo po që do të ishte “Shqipëri e madhe”!
Kështu, ku tjetër pos në “Pentagon” u thur plani sekret se si me e pushtue Beogradin. Pikrisht atë (krye)qytet i cili nuk u mposht dot as me bombardime e as me lojëra klasike spiunazhi! Rreth dhjetmijë special, të maskuar si tifoz kuq e zi, do të zbarkonin ditën e marte në Beograd.
Për të mos rënë në sy, disa do të vinin me aeroplanët e JAT-it nga diaspora, dhe nga kontinentet e tjera. Ishte blerë edhe referi kryesorë i ndeshjes. Për çdo rast ishin blerë edhe referët anësorë! Vetëm do të pritej shenja për me fillue!
E shenja ishte shpalosja e flamurit gjigant kuq e zi, me shqiponjën krenare, pikrisht në “Marakanë”! E kur të shpalosej flamuri 100 metërsh dhe kjo të filmohej prej televizioneve globale, dhe me dhjetmijë celularë, fjalë e fundit e teknikës, të blerë me fondet me mafias shqiptare, e cila sipas medias serbe, gjithashtu është më e pasura dhe më e rrezikshmja në botë … edhe “facebook-u” do të dorëzohej! Ndryshe nuk bëhej, pastaj, çfar konspiracini do të ishte pa mafian e famshme shqiptare! Kështu, fitorja do të ishte e plotë! E golat? Pse, kujt i duhen golat?!
Pra, po të mos zbulohej nga shërbimet sekrete serbe dhe ruse, nuk kishte më forcë që e shpëton Serbinë! Shërbimet sekrete?! Po çfar shërbimesh sekrete?! U dekonspiruam vet.
“Tifozët kuq e zi”, anëtar krenar i të cilëve është edhe autori i këtyre rreshtave, u takuan në pikë të ditës me “Plisat” dhe lëshuan deklarata “të fuqishme”! Kaq u desht! Na zbuluan!
Eh, “Serbia është Shqipëri” do të jehonte “Marakana”! Do të shpaloseshin pankartat dhe do të brohoritej nga mijëra tifoz kuq e zi, një pjesë e të cilëve, natyrisht, do të maskoheshin si tifoz të Serbisë! Kështu do të paralizohej shteti serb! Para këtijë skenari të armikut të jashtëm në bashkëpunim me të brendshmin Serbia do të kapitulonte!
Pastaj, me 22 tetor do të shkonte vet kryeministri Rama në Beograd, e me 31 edhe presidentja e Kosovës, personalisht. Vet ajo! Kështu do të zyrtarizohej …pushtimi!
Eh, krejt kjo filloi aq pafajshëm, me një goditje topi të kryeministrit Rama në Elbasan! Para ndeshjes me Danimarkën! Ai e bëri gol! Sa herë i del përpara dikush me mbiemrin Berisha ai patjetër don të bëjë gol! Nuk përmbahet dot! Ky ishte sinjali i parë për serbët, se diçka e madhe po pregaditet!
Gati u mashtruam, thanë ata me vete! E kishim bërë gati edhe çelsin gjigant të Beogradit, për Ramën! Me ja këthye nderin …!















