Nga Eden Babani
Sot e kësaj dite, ndonëse duke u përpëlitur, në Shqipëri e në Kosovë, po mbijetojnë ca trushpëlarë, mbeturina të farës së keqe të komunizmit, i cili na solli ne, shqiptarëve, fatkeqësitë më të mëdha në historinë tonë. Nuk ishte i papritur lajmi se një grusht nostalgjikësh kosovarë të Enver Hoxhës paskan bërë një “marshim simbolik” në prag të 106-vjetorit të tij të lindjes. Nuk ishte i papritur, po të mbajmë parasysh se para katër vjetësh është themeluar në Ferizaj i ashtuquajturi “Front për Kultivimin e Veprës Revolucionare të Enver Hoxhës”. Aq më pak ishte i papritur, po të sjellim në kujtesë se Ministri i Drejtësisë i shumicës qeverisëse Rama – Meta nuk e fshehu enverizmin e vet, 5 majin e shkuar; po të kujtojmë nderimin e fëmijëve me grusht – simbol i komunizmit – më 24 maj në Përmet ose parakalimin në Gjirokastër të ca gjytyrymëve të lajthitur me kapele tip xherxhinski. Më në fund, gjithçka mund të pritet sot, nesër e në të ardhmen, përderisa në fillimet e proceseve demokratike, kur gazeta “Liria” e më pas “LiriaA” kërkonin me këmbëngulje në emër të ish-të përndjekurve politikë dënimin e Enver Hoxhës pas vdekjes, shteti demokratik i sapolindur heshti, për fat të keq. Nëse nuk do të dënohet me ligj figura e diktatorit tonë, ndër më gjakësorët e ish-vendeve komuniste, ne nuk do të shpëtojmë kurrë nga këso shfaqjesh të rëndomta karnavaleske.
Lajme të tilla që nxitin qëllimisht gjallërimin e stalinisto-enveristëve – siç e përmbledh Sabri Maxhuni këtë takëm antishqiptarësh në një nga librat e tij më të fundit – nuk janë, vallë, ca si shumë brenda një viti të qeverisjes së majtë? Të mos harrojmë se ato, sado që të pritshme, ngjallin emocione diametralisht të kundërta në opinion. Disa pak, fërkojnë barkun: “O-ho-ho! Na erdhi dita…” Të shumtët, nga e majta dhe nga e djathta e spektrit politik shqiptar, vënë kujën: “Obobo!… Enveri po na ngjallet lugat!” Ka edhe ndonjë kinse tolerant a kinse i ekuilibruar që predikon me fjalor kinse të moderuar për mbrojtjen e të drejtave të njeriut.
Kësisoj, jo më kot ia hyra me durim të lexoj komentet në rrjetin social të një të përditshmeje të Tiranës, e cila kumtonte të dielën më 12 tetor lajmin për karnavalin më të fundit të enveristëve, marrë nga një burim mediatik kosovar. Më ngacmoi fakti se, në 27 komentuesit e deri-atij-çasti, vetëm tri kanë fërkuar barkun.
Njëri, i vetëquajtur Neutrali, jashtë çdo konteksti historik, logjik dhe gjuhësor, është endur në përçartje të një të lajthituri: “Shumë mirë kanë vepruar. Enveri kontriboje (kontribuoi, domethënë, EB) jo vetëm për çlirimin e Shqipërisë, por edhe të Kosovës”. Nuk ia vlen të merresh me Neutralin.
Paksa “më të ditur”, dy të tjerë me emra të rremë (pseudonime), janë përpjekur pa sukses të përsëritin përrallat banale të historianëve enveristë, të cilët, më shumë sesa të shkruajnë histori, janë rrekur të na shpëlajnë trurin e të na lënë pa histori.
Hiq ithtarin ekuilibrist për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, 24 komentuesit e tjerë kanë vënë kujën. Në pamundësi të sjell gjithë komentet e tyre në një shkrim gazete, po përmend vetëm dy a tri që janë njoftuar me emër e me mbiemër.
I nderuari Prof. Sami Repishti, ish-i burgosur politik i regjimit enverist, mes së tjerash, bën thirrje: “Mos harroni bashkëpunimin e UDB-së me Sigurimin e Shtetit për persekutimin e përbashkët të aktivistëve shqiptarë në të dy anët e kufirit!…” Stavro Koroveshi, pyet me ironi: “Po Qosja është me ju?” Kurse Dhimitraq Gusho u kujton “kultivuesve” të veprës së Enverit, Masakrën e Tivarit. Ai, lë të kuptohet se vetë ata të mjerë janë viktima të tërthorta të atij krimi me përmasa mijëra viktimash të pafajshme dhe me qëllim pastrimin etnik të Kosovës.
T’ua lëmë familjarëve të Enver Hoxhës – së vesë, të bijve dhe së bijës, nipave dhe mbesave – përkujtimin e ditëlindjes së tiranit komunist. Të rrojnë e ta përkujtojnë si të duan e sa të duan. Bashkë me ta, edhe atyre pak trushpëlarëve që ende nuk duan ta kuptojnë të vërtetën historike. Ama ta mbajnë për veten e tyre, brendapërbrenda shtëpisë dhe rrethit të tyre. Ne, të shumtit, mos të na përziejnë në atë lloj përkujtimoreje që na ndjell veç vaj e zi. Përderisa shtetarët tanë nuk po kujtohen të përkujtojmë ditëlindjen e burrave që i kanë bërë nder Kombit tonë, përderisa atyre s’u bie ndërmend të përkujtojnë ditëlindjen e Ismail Qemalit e të Nënë Terezës, të tjetrit e të tjetrit, ç’punë kemi ne gjakësorin?
Sipas meje, dora që shtyn trushpëlarët në udhë pa krye, është e huaj, është krahu i shtrirë strukturave antishqiptare të fqinjëve tanë shovinistë, të cilët s’mund të pajtohen me një Kosovë të pavarur dhe me një Shqipëri Demokratike. S’do mend, përkrah tyre s’mund të mos jenë mbeturinat e ish Sigurimit të Shtetit, i cili, për fat të keq, ia ka dalë të ndërkallet e të mbijetojë qoftë në administratën tonë shtetërore, qoftë në bizneset private, vendase ose të huaja.
Nuk është e rastit që “kultivuesit e veprës revolucionare të Enverit”, të cilët e quajnë veten “Front”, e kanë lidhur “marshimin simbolik” me ditëlindjen e ish-diktatorit, me 70-vjetorin e Çlirimit dhe me 4-vjetorin e themelimit të organizatës fantazmë, me qendër në Ferizaj. Mirëpo hosteni nuk futet në thes. Ata nuk mund ta fshehin qëllimin e tyre të mbrapshtë as me vajtjen në Prekaz, të varri i Adem Jasharit. Me atë vizitë qëllimkeqe te Varrezat e Dëshmorëve të luftës me bandat e Miolosheviçit, ata vetëm e kanë përbaltur me ideologji komuniste figurën atdhetare të Adem Jasharit. Ne që i kemi përjetuar mënyrat dinake të shpëlarjes së trurit, nuk i harrojmë vitet ’60, kur u bënë qindra “pelegrinazhe ideologjike” në vende ku vriteshin njerëz aksidentalisht, dhe Enver Hoxha i shpallte heronj.
Nëse diktatorit Hoxha, në kushtet e një Shqipërie të mbyllur e të sfilitur, iu deshën asohere asi lloj pelegrinazhesh të organizuara nën trysni, kujt i shërbejnë sot të tilla nisma, përveç përçarjes? Adem Jashari nuk u vra aksidentalisht, as i cytur ideologjikisht. Ai u vra në luftë për të mbrojtur trojet tona etnike nga pushtuesit serbë, për lirinë e pavarësinë e Kosovës, ndaj u përshëndet thjesht e pa ceremoni: U krye, Bacë!
Ata që nxitin sot këso nisma trushpëlarësh, emrin dhe ditëlindjen e diktatorit gjakësor, po e përdorin jo aq se e kanë për zemër, por sepse u duhet si sebep për grindje në prag të festës së 70-vjetorit të Çlirimit, të cilën sivjet, falë forcës së kartonëve në Kuvendin e Shqipërisë, pasardhësit e etërve komunistë duan ta përkujtojnë njësh me 29 nëntorin e Titos, duke e lënë në hije ditën e madhe të 28 Nëntorit mbarëkombëtar.
















