Më 16 tetor, presidenti rus, Vladimir Putin do ta vizitojë Beogradin.
Në këtë vizitë të tij në Beograd, pyetja që ngrihet, duke marrë parasysh edhe rrethanat, është se a do ta krahasojë Putini Kosovën me Krimenë.
Për kryetarin e Listës për Shqipërinë Natyrale, Koço Danaj Putini kur e ka bërë dhe më herët këtë krahasim, ka harruar shumë detaje që e bëjnë krahasimin të pamundur.
“E para: Presidenti Putin e di shumë mirë se Kosova u aneksua me dhunë Sërbisë, pas Konferencës famëkeqe të Londrës, ndërsa Krimeja ju dha Ukrainës nga Byroja Politike e PKBS në kohën e Hrushovit. Le të dënojë Putin mbledhjen famëkeqe të Londrës që coptoi kombin shqiptar dhe ja dha Kosovën Sërbisë duke e trajtuar si plackë lufte!!. As më shumë e as më pak le të bëjë atë që bëri Lenini në 1917.E dyta: Mbi Kosovën dhe shqiptarët e Kosovës u ushtrua një gjenocid gati një shekullor nga shovinizmi sërb. Le ta dënojë presidenti Putin këtë gjenocid zyrtarisht. E treta: Rusia është ajo që mban akoma në këmbë Rezolutën famëkeqe 1244, duke vendosur Veton e saj. Kjo Rezolutë, është akoma si fusnotë pas fjalës Kosovë. Le ta heqë, Putin, të drejtën e Vetos duke u bërë nismëtar I anullimit të kësaj Rezolute. E katërta: Kosova nuk ka të drejtë me Kushtetutë të bashkohet më Shqipërinë, për shkak të kësajRezolute. Le të ndikojë Putin tek arbitrat ndërkombëtarë, për të ndryshuar Kushtetutën duke lejuar Kosovën të bashkohet me Shqipërinë. E pesta: Putinduhet ta dijë se miqtë e tij sërbët e kërcënojnë Kosovën me ndarjen e Veriut të saj, ndërsa Krimeja u bashkua me Rusinë pa pyetur se sa tatarë apo ukrainas jetojnë atje. Për kulturë të diplomacisë ruse, në Kosovë jetojnë 92 përqind shqiptarë dhe 8 përqind pakica kombëtare. Në Krime jetojnë 58 përqind rusë dhe 32 përqind pakica kombëtare. E gjashta: Në Konferencën e Potsdamit në Korrik 1945, populli shqiptar I Kosovës u trajtua si pakicë që kishte marrë pjesë aktive në Luftën e dytë botërore me 50 mijë antifashistë dhe 6 mijë dëshmorë. Megjithatë, aleatët më të ngushtë të Putinit, sërbët vazhduan gjenocidin ndaj tyre dhe shpërnguljen në Turqi”, argumenton Danaj.
Sipas Danajt, kur këto 6 fakte të pranohen si nga Moska, ashtu edhe nga Brukseli dhe nga miqtë e Serbisë në Evropë, atëherë shqiptarët do të shihen me një sy tjetër.
















