“Është e domosdoshme që të përballemi me këtë histori, për të siguruar se jemi një partner i besueshëm në të ardhmen, ashtu siç jemi sot”. Kjo ishte deklarata e kancelares gjermane Angela Merkel, në ditën botërore të kujtimit ndaj diktaturës naziste e komuniste. A po përballemi ne me të kaluarën tonë si shoqëri e si komb….?Vëllavrasjet e shumta që shkaktoi Lufta e Dytë Botërore, për marrjen e pushteti nga komunistët, arratisjet e shumë shqiptarëve antikomunistë, prej atyre që dinin stuhinë që po vinte, ishin të ndërgjegjshëm se çështja shqiptare qe shitur tek ata që u shërbenin antishqiptarëve dhe mbronin padrejtësitë e Europës, në vitet 1912-1920. Vrasjet e pafundme pa gjyq, arrestimet, dënimet, pushkatimet, rezistenca në male, djegiet e kullave, shpronësimet, zbatimet e dhunshme të shtëpive, rrëmbimi i pasurive të arit, internimet masive të familjeve, gra e pleq e fëmijë të krejt elitës shqiptare e shndërruan pesëdhjetëvjeçarin e pushtetit diktatorial në një faqe të zezë më makabre të një genocidi ende të panjohur për botën demokratike. Përballja me të vërtetën tronditëse të krimit komunistë dhe me mos zbatimin e ligjit në këtë periudhë 24-vjeçare e ka ndarë politikën shtetërore aktuale me të burgosurit dhe të përndjekurit politike.
Të mos heshtësh përpara së keqes është mision…ky mision kombëtar është emergjent për shoqërinë tonë, në këtë periudhë postkomuniste ku diktatura ka mbetur legjitime e pa dnuar… 68 vjetori i kryengritjes së Postribës, si kryengritje e parë në Europë, na kujton dhe obligon: Dënimin e krimeve komuniste juridikisht. …24 vite politika ka përdorur demagogjinë dhe aspak drejtësinë për të dënuar krimin që vrau Postribën dhe gjithë Shqipërinë. Në një shoqëri normale demokratike, ata që i kanë shërbyer diktaturës nuk kanë reference morale për të qenë udhëheqës politikë. Por cfarë ndodh pas 24 vitesh pluralizëm në Shqipëri. Partia Komuniste, përgjegjëse direkt në krime, ndërroi emrin dhe nuk u penalizua ligjërisht për krime ndaj kombit. As Partia e parë që përfaqësonte klasën antikomuniste, nuk e kërkoi një veprim të tillë, siç ka ndodhur në të gjithë lindjen komuniste. Ajo shpërndau sloganin famëkeq “bashkëvuajtës e bashkëfajtorë” dhe krimineli komunistë u bë bashkëvuajtës me viktimën që e ekzekutoi. Klasa politike shqiptare, si produkt i diktaturës, ktheu me ligj datat selektive të diktaturës, siç janë 5 Maji dhe 29 Nëntori. Sot vendi po përgatitet për të kremtuar 70- vjetorin e të ashtuquajtur “çlirim” dhe rehabilitimin e diktatorit Enver Hoxha. Këto data nuk janë aspak në shërbim të vërtetës dhe shoqërisë, por mbrojtje politike, që i bëhet sistemit diktatorial në Shqipëri. Historianët e diktaturës komuniste, krekosen nëpër media televizive si dje dhe sot shtrembërojnë të vërtetën e Luftës së Dytë Botërore, duke ja atribuuar atë luftë diktatorit dhe komunistëve vrasës të shqiptarëve. E vërteta, e dokumentuar edhe nga arkivat e huaja është ndryshe. Luftën ndaj fashizmit e nazizmit e bënë shqiptarët, pa dallim feje krahine, apo ideje. Atë luftë e vaditi me gjakun e tij, ushtaraku i mbretërisë shqiptare Mujo Ulqinaku, e trimi i Vlorës, ballisti Hysni Lepenica. Ajo luftë u simbolizua nga gjaku i viktimave të Borovës martire. Pra, ishin shqiptarët, pa ideologjinë komuniste që e rreshtuan vendin e tyre në koalicionin botërorë kundra diktaturave të asaj kohe. Komunistët, luftuan për marrjen e pushtetit me sloganet e diktatorit rus; “Bijtë e Stalinit jemi ne” dhe e realizuan mision e tyre fatkeq më 29 nëntor 1944, ku instaluan diktaturën më të lig të Europës. Kjo diktaturë vrau me mijëra shqiptarë dhe e rrënoi vendin për 45 vite. 29 nëntori 1944, si ditë e zezë, shkëputi Shqipërinë e shqiptarët nga Europa dhe ne humbën shansin për të qenë vend demokratik. Historianëve të diktaturës, nëse u ka ngel sado pak moral, duhet të reflektonin dhe të heshtni përpara krimeve që ka sjellë 29 nëntori Heshtja dhe reflektimi janë një falje ndaj martirëve të lirisë e mendimit ndryshe. Kërkojini falje shoqërisë për mashtrimet dhe falsifikimet që i keni bërë historisë së Shqipërisë. E vërteta dhe shoqëria do t’ju çjerrin maskën deformuesve nostalgjikëve dhe enveristëve që na dalin si kërpurdha pas shiut. Diktatori Hoxha, në historinë e popullit shqiptarë, është si Polt Poti i Kamboxhias, si Hitleri, Stalini etj. Ai do të njihet në histori për vrasjet që i bëri kombit të tij. Nuk ka historian që mund ta shpëtojë. Është koha që të gjithë forcat antikomuniste, institucionet religjione, partitë, intelektualët me mendim liberal, media progresive, të reagojnë të bashkuar ndaj kësaj përpjekje të mbarsur me moral pervers që po kërkon ti serviret dhe ti imponohet brezit të ri. Helmatisja e brezit të ri me ideologjinë primitive dhe reaksionare që himnizon kriminelin dhe krimin përbën aktin më të turpshëm dhe të papranueshëm për një shoqëri demokratike. Indiferentizmi ndaj kësaj çështje, duhet konsideruar tradhti ndaj idealeve të atyre që dhanë jetë dhe u sakrifikuan për liri e demokraci. Mesazhi përkujtues i Postribës antikomuniste, konkludon në dy çështje madhore për antikomunistët dhe të përndjekurit politikë të Shqipërisë:
E para, të luftojmë kundër harresës, harresa është vdekja e dytë e viktimës, komunistët kanë vrarë me mijëra burra e gra, por po të harrojmë sakrificat e tyre, dëshmorët do të vdesin përfundimisht dhe po të ngjasë kjo, me të gjithë jemi përgjegjës. Me rikujtimin e tyre, ne shpëtojmë nga vdekja e përhershme heronjtë, dëshmorët dhe viktimat. Ne që i mbijetuam katastrofës kolektive të terrorit të kuq e kemi për detyrë. Ne duhet çdo ditë të ballafaqojmë përpara shoqërisë të vërtetën përpara hipokrizisë mashtrimit dhe gënjeshtrën komuniste, këtë helmatisje antikombëtare. E dyta, është fare e qartë se askush nuk shqetësohet për fatin e të përndjekurve politikë. Ajo që na mbetet është solidariteti në mes nesh, atyre që shpesh akoma fshehin fytyrën me duar nga frika kurdoherë që derdhin lot. Solidariteti njerëzor është forma më sublime e dashurisë për njëri-tjetrin e mirëkuptim dhe ndihmesës së ndërsjellët. Ka sot me mijëra ish të persekutuar politikë që kanë mbetur rrugëve pa familje, pa fëmijë, pa shtëpi, pa bukën e gojës. Kjo masë fatmjerësh është turpi i pushtetit politikë sot në Shqipëri. Na bie detyrë kombëtare të shkatërrojmë murin politik klasor që kanë ndërtua prej 24 vitesh klasa politike shqiptare kundrejt familjeve dhe fëmijëve tanë. Asnjë i përndjekur politikë nuk lejohet të jetë në administrate apo institucione të shtetit shqiptarë..ky është krimi i dytë klasor ndaj të përndjekurve politikë shqiptarë. Ne duhet të punojmë me solidaritet në mes njëri tjetrit për të ardhmen e fëmijëve tanë. Ti themi ndal revansheve ideologjike që na shfaqën me kostume demokratike. Shqipëria atdheu i të gjithë shqiptarëve i përket demokracisë dhe jo të kaluarës diktatoriale. Dhe mos të harrojmë fjalët e një të burgosuri spanjoll: “Mos e mbyllni librin e krimeve komuniste, derisa çdo rresht, çdo faqe të lexohet nga të gjithë”. Ky mesazh që vlen për shoqërinë shqiptare.
Nga Besim Ndregjoni














