Kryeministri Edi Rama, ka reaguar pas komenteve të shumta që janë bërë nga qytetarët në faqen e tij në Facebook. Të shumtë kanë qënë personat të cilët kanë lëshuar akuza dhe kundërshtinë e tyre në faqen e kryeministrit pas lirimit nga burgu të ish Guverntatorit Ardian Fullani.
Nëpërmjet një postimi, Rama shprehet se ai nuk është prokuror ose gjykatës dhe se koha kur Kuvendi ishte trup prokurorie e gjykatash popullore, ka vdekur.
Reagimi i Ramës:
“Fjalët mbrapsht!”, thoshim kur ishim fëmijë e gjendeshim nën rrebesh fjalori vulgar, sepse na kishin thënë se kështu laheshim pa u bërë pis…
M’u kujtua kjo armë fëminore e asaj kohe të largët mbrëmë vonë tek lexoja dufzbrazjet në adresën time këtu. Disa prej të revoltuarve nga një vendim gjykate ishin lëshuar tek kjo dritare me ç’u vinte në gojë kundër qeverisë dhe meje vetë. Do të doja të bëja një shënim shterrues për ta sot, duke e nisur nga kujtesa elementare se adresa e këtushme s’është adresë gjykate. Unë s’jam as prokuror e as gjykatës. As jam zotuar apo kam menduar ndonjëherë se mund të bëhem kryeprokuror apo kryegjykatës duke u bërë kryeministër. Koha kur Këshilli i Ministrave apo Kuvendi i Shqipërisë ishin trupa prokurorie e gjykatash popullore, ka vdekur, lavdi Zotit, bashkë me diktaturën e proletariatit. Kush ka provuar ta ringjallë ka bërë veç padrejtësira të mëdha e pastaj ka thyer qafën. E kush kujton se ilaçi për të shëruar drejtësinë e rrënuar nga kanceri i korrupsionit është që kryeministri të bëhet kryeprokuror dhe qeveria të bëhet gjykatë speciale, ose është shumë i paditur ose është krejt i dalë mendsh. Kaq në parim, sepse lidhur me rastin konkret të ditës së djeshme, do të duhej një shtjellim i gjatë për të gjithë ata që s’kuptojnë se si, mund të nxirren sytë duke vënë vetullat kur qeveria e shumica parlamentare ngatërrojnë reformën në drejtësi, detyrë e pushtetit të tyre kushtetues, me hetime e gjykime veprash penale, detyrë e pushtetit të pavarur gjyqësor.
















