Nga Daur Dauti
Një qind vjet më parë, me 28 qershor 1914, mijëra njerëz duke qëndruar dy anëve të rrugës kryesore në Sarajevë pritnin ardhjen e Franc Ferdinandit, tashëgimtarin e fronit austro-hungarez. Në mesin e turmës, në pozita të ndryshme ishin vendosur Muhamed Mehmedbashiq, Vaso Qubrilloviq, Nedelko Qabrinoviq, Cvjetko Popoviq, dhe Trifun Grabezh. Ata kishin pwr detyrë ta vrisnin Franc Ferdinandin. Në mesin e këtij grupi, të gjithë anëtarë të organizatës Mlada Bosna, ishte edhe Gavrillo Principi. Ai, edhepse i ri nga mosha, kishte një histori të begatshme të dhunës për të cilën gjë e kishin përjashtuar edhe nga shkolla. Ecte rëndë nga pafuqia e trupit të tij të sulmuar rëndë nga tuberkulozi e cila sëmundje shihej edhe në sytë dhe fytyrën e tij. Por, Gavrillo, para se të vdiste, kishte vendosur që ta bënte një të mirë për Serbinë. Me një vrasje, natyrisht.
Kolona e automjeteve që e shoqëronte trashëgimtarin e fronit austro-hungarez kaloi pranë atentatorëve të cilët, që të gjithë, dështuan të kryenin “detyrën“. Të mposhtur si qyqarë nga dështimi ata, si çdo kriminel, po kërkonin mënyrën e largimit nga vendi i ngjarjes. Por, mundësia e ikjes, siç e dinin edhe ata, ishte minimale. Madje, Qabrinoviqi tentoi ta vriste veten por nuk ishte i denjë ta bënte as këtë krim.
Kur mendohej se gjithçka mori fund dhe kur atentatorët po iknin si minjtë nga bukla, automobili i Franc Ferdinandit po kthehej nga ndërtesa e bashkisë, ndodhi momenti që shënoi histori. Shoferi e kishte humbur rrugën. Si pasojë automobili u nodal mu para këmbëve të Gavrillos i cili ia kishte mbathur nga pozita e mëparshme. Kjo mjaftoi që ai instiktivisht të nxirrte revolen dhe ta qëllonte Franc Ferdinandin dhe gruan e tij Sofien. Dhe, siç thuhet, ajo që pasoi, është histori sikur që janë edhe ngjarjet që i paraprinë këtij momenti.
Kongresi i Berlinit (1878) e zgjeroi territorin e Serbisë edhe përtej aspitatave të saja. Fuqitë e Mëdha, në një mënyrë, ia njoftën Serbisë të drejtën për zgjerim të kësaj ëndërre. Si pasojë, Serbia nuk vonoi të planifikoi zgjerim territorial në drejtim të Bosnjë e Hercegovinës në perëndim dhe në drejtim të Kosovës dhe Maqedonisë në jug.
Vrasja në Sarajevë ka qenë akt terrorist i planifikuar nga organizata serbe terroriste “Bashkim ose Vdekje” e cila organizatë ndryshe është quajtur edhe “Crna Ruka” (Dora e Zezë). Në realitet, vrasja e Franc Ferdinandit nuk ka qenë përgjegjësi e drejtpërdrejtë e qeverisë serbe pasi që “Dora e Zezë” ka vepruar në mënyrë të pavarur. Megjithatë, kjo nuk do të thotë që qeveria serbe ka pas qëndrim miqësor ndaj Austro-Hungarisë. Që të dy vendet kanë pas pretendime territoriale ndaj njera tjetrës. Por, pasi që Vjena ishte superfuqi, ajo edhe printe me iniciativa.
Serbia, që nga krijimi e deri sot, është ballafaquar me dilemën e alencës: me Perëndimin apo Lindjen (Evropën apo Rusinë)? Nga viti 1903 Serbia filloi t’i shmangej influencës austro-hungareze. Më parë, nën obrenoviqët, të cilët mbanin aleancë me Austro-Hungarinë, serbët kishin hequr dorë nga kërkesat territoriale ndaj Austro-Hungarsisë dhe ushqenin vetëm ato në drejtim të shtrirjes në jug. Prandaj, kjo gjë nuk u pëlqente nacionalistëve serbë të cilët u rreshtuan pas “Dorës së Zezë” pasi që ata dëshironin shtrirje në të gjitha anët dhe lidhje më të fortë me vëllezërit e tyre rus. Ky ishte shkaku që terroristët e Dorës së Zezë më 1903 vranë në mënyrë më mizore mbretin e tyre Aleksandar Obrenoviqin dhe kthyen në pushtet dinastinë e karagjorgjeviqëve, e cila sipas disa fakteve, është me origjinë shqiptare.
“Mlada Bosna” (Bosna e Re) ka qenë organizatë që për anëtarë kishte studentë dhe rini radikale e përbërë nga shumë nacionjalitete por të cilën e dominonin serbët. Ajo në fillim ishte për çlirim të tokave të sllavëve të jugut dhe për krijim të një shteti jugo-sllav në të cilin do të rehatoheshin sllavët, siç ishin serbët, kroatët dhe myslimanët. Gjërat ndryshuan kur kjo organizatë ra nën “Dorën e Zezë” dhe kur kjo u bë organizatë nacionaliste serbe e udhëhequr nga oficerët serbë, Dragutin Dimitrijeviq Apisi dhe Vojislav Tankosiqi.
“Mlada Bosna” sot mund të krahasohet me organizatën “Vëllezëria Muslimane” në Egjipt e cila në fillim ishte organizatë e gjërë dhe bëmirëse por që më vonë infrastruktura e saj u zaptua nga myslimanët radikalë. Me fjalë tjera, “Mlada Bosna” u shëndërrua në “Dorën e Zezë” apo në një Al Kaidë të sotme. Si shtesë, Apisi, i cili ishte tmerrësisht kundër Perëndimit, mund të konsiderohet si një Bin Laden serb i ditëve të fillimit të shekullit XX.
“Dora e Zezë” organizonte trajnime ushtarake të tipit të gueriles për serbët e Bosnjës në mënyrë që ata individë, apo njësi guerile, të angazhoheshin në aktivitete terroriste në Bosnjë e Hercegovinë. Siç u pa, vrasja e Franc Ferdinandit është organizuar nga Apisi dhe Tankosiqi dhe që u ekzekutua nga agjenti i “Dorës së Zezë” që ishte Gavrillo Principi.
Para fillimit të luftërave ballkanike (1912) “Dora e Zezë” ka ushtruar aktivitet politik (por edhe terrorist) edhe në Kosovë. Apisi, shefi i “Dorës së Zezë”, sipas dokumenteve serbe, është takuar edhe me Isa Boletinin. Në këtë takim Apisi është munduar ta shëndërroj Isa Boletinin në aleat por duket se nuk ka pas sukses. Megjithatë, ajo që dihet është se Isa Boletini ka shtruar një darkë të begatshme për “mysafirin”. Por, ajo që nuk është komentuar shumë është ngjarja që ka ndodhur pas darkës. Apisi është sëmurë rëndë dhe nuk është ngritë nga shtrati 6 muaj rresht. Mjekët në Serbi kanë konstatuar se sëmundja ka ardhur si rezultat i një virusi që është gjendur në qumështin e dhisë të cilin Apisi e kishte pirë me ëndje. Natyrisht, nacionalistët serbë edhe sot besojnë se ky ka qenë një akt i helmimit të qëllimshëm që ka bërë Isa Boletini ndaj Apisit.
Sidoqoftë, nëse ajo që mendojnë nacionalistët serbë është e vertetë, atehërë Isa Boletini është dashur t’i jepte më shumë qumësht dhie Apisit. Në këtë mënyrë, të këqiat që do të ndodhnin në Ballkan dhe në botë do të ishin shumë më të vogla.
Vrasja në Sarajevë, e cila u bë shkas për një luftë të përmasave të mëdha botërore, në të cilën humbën jetën miliona njerëz, e ndryshoi edhe gjerografinë e Evropës, sidomos atë të Ballkanit. Serbët ishin ata të cilët e inicuan këtë vrasje masive duke u thirrur në të drejtën e rregullimit të kufijve e cila gjë në fakt ishte tentim i tyre për eksanzion territorial pandonjë kriter.
Edhe pas kësaj lufte, por edhe pas të dytës me radhë, problemi i kufijëve në Ballkan është ende aktual dhe i pazgjidhur. Janë pësëri serbët ata që shkaktojnë probleme në vendosjen e mirfilltë të kufijve.
Kohëve të fundit në botë janë botuar vepra të panumërta historke në lidhje me këtë ngjarje që i parapriu Luftës së Parë Botërore. Shumica e këtyre veprave vrasjen në Sarajevë e kanë cilësuar si akt terrorist të kryer nga mendja dhe dora serbe. Pikpamja e botës ka shënuar një ndryshim të konsiderueshëm në aspektin e kuptimit të drejtë të qështjes së Ballkanit.
Në Serbi nuk ka ndryshuar aspak qëndrimi ndaj fqinjëve që nga dita e vrasjes terroriste në Sarajevë. Beogradi ende e konsideron këtë vrasje si të drejtë dhe patriotike. Serbia, duke aplikuar të njejtat metoda që i pëdorte para një shekulli, ende e destabilizon Bosnjë e Hercegovinën dhe Kosovën duke mos e njohur realitetin dhe faktin e kufjve të rinj.














