Emërimi i Jean-Claude Junckerit në postin e presidentit të Komisionit Europian, nga 26 vendet anëtare dhe me kundërshtimin e Mbretërisë së Bashkuar dhe Hungarisë, ka shkaktuar reagim të fortë në mediat dhe opinionin publik britanik. Gazetat më të mëdha janë hapur me titujt të cilat shprehin besimin se vendi i tyre është tashmë një hap më pranë largimit nga Bashkimi Europian. Kështu The Guardian hapet me titullin “ Britania pranë largimit nga BE pas emërimit të Jean-Claude Junckerit”. Gazeta euroskeptike Daily Mail e konsideron kryeministrin David Cameron një humbës duke e krahasuar me dështimin e futbollistit Wayne Rooney në Kupën e Botës. “Humbësi Cameron bën ‘Rooney e Europës’: Kryeministri lajmëron se Britania është në ‘luftë’ me BE pasi liderët votuan për Juncker”, shkruan Daily Mail. Edhe The Times shkruan ‘’Britania e Madhe pranë daljes nga BE-ja’’, ‘’Vendi ynë ndodhet në një izolim të shkëlqyer’, shkruan gazeta. The Sun shkruan: “Cameron: Kjo është luftë”. Ndërsa The Financial Times deklaron se “ky është një moment i rrezikshëm në marrëdhëniet midis Britanisë dhe BE-së”.
Cameron ka premtuar në vitin 2017 mbajtjen e një referendum popullor për të vendosur nëse në Mbretëria e Bashkuar do të vazhdojë të qëndrojë ose jo brenda Bashkimit Europian. Sipas sondazheve në ishullin britanik shumica e popullisë e mbështet daljen e vendit nga unioni europian.