Biografia e jetës së Simon Iturri Patino është një rrëfim për filmat hollivudian. Besoni apo jo, ky varfanjak as nuk mund të ëndërronte që brenda natës do të bëhet një nga njerëzit më të pasur në botë, dhe se me vendimin e tij do të mbante gjallë Bolivinë.
Historia nis kështu. Simon Iturri Patino u lind më 1 qershor të vitit 1862, në qytetin e vogël Santivanezu, jo shumë larg nga Cochabamba. Ishte djali i papranuar i të bardhit Eugenie Iturri, pronarit të tokave lokale dhe fshatares së varfër me emrin Maria Patino. Ai jetoi me nënën e tij.
Fëmijërinë e kaloi në varfëri, ndërsa punoi rrugëve që nga mosha e re, për të mbijetuar. Në të 20-tat e tij rripte lëkura në një fabrikë këpucësh, e pastaj u zhvendos në Oruro, ku punoi në një minierë.
Aftësitë e tij të shkëlqyeshme organizative dhe ambiciet e sollën në pozitën e menaxherit. Nën udhëheqjen e tij, biznesi ecte edhe më mirë. Megjithatë, në vitin 1894, pronari i minierës – për shkak të vendimeve të tija të këqija – falimentoi.
Fabrikën e mbylli, ndërsa Patinos i kishte borxh një rrogë prej 250 dollarësh, shumë kjo që në atë kohë ishte mjaft e madhe. Në këmbim të kësaj, ish pronari i ofroi një copë tokë në anën veriore të malit, jo shumë larg Oruros. Ajo ishte një copë toke e pavlefshme, e cilën madje ishte e pamundur të punohej.
Buzë mjerimit, Patinos nuk i mbeti asgjë pos të pranojë ofertën. Por, ky doli të ishte veprim i mençur, jo vetëm për të ardhmen e tij, por edhe për mbijetesën e të gjithë vendit.
Edhe pse të gjithë e qeshën, Patino nisi të punonte pronën e tij të re. E, pastaj ndodhi mrekullia.
Zona pranë qytetit të Llallagua u konstatua si vendi më i pasur për alumin dhe kallaj në botë. Ndërsa, këto metale, në kohën e Revolucionit Industrial ishin më të kërkuarat në SHBA dhe në Evropë. Duke pasur për bazë aftësitë e tija biznesore, Patino në gjashtë vitet e ardhshme ndërtoi një perandori të vërtetë. Bleu të gjitha minierat boliviane në rajonin e Andeve dhe disa në Kili, ku hapi shumë fabrika për përpunimin e metaleve.
Ai u bë një nga dhjetë njerëzit më të pasur në botë. Madje e quajtën Rockefelleri nga Andet.
Kur u pasurua, solli një vendim të rëndësishëm, me të cilën vendosi që Bolivinë ta mbaj gjallë, sepse gjatë viteve të ardhshme vendlindja e tij do të fshihej nga harta e botës.
Në fakt, plani i tij ishte që gjysmën e rrogës vjetore punëtorët duhet ta investonin në zhvillimin e biznesit të tyre, ndërsa gjysmën tjetër ta përdorin në favor të Bolivisë.
Varfëria, skamja dhe papunësia në vend nuk kanë mundur ta konkurrojnë zhvillimin industrial që po rritej në pjesën tjetër të kontinentit. Vendet fqinje u përgatiten për luftë, që ta fusin Bolivinë nën kontroll. Njerëzit po vdisnin nga uria, ndërsa pakënaqësia ishte bërë edhe më e theksuar.
Ekzistenca e Bolivisë ishte në pikëpyetje. Por, ndërmarrja e Patinos gjithçka ndryshoi. Ai menjëherë filloi të ndërtonte rrugë dhe ura në të gjithë vendin, të cilat ndihmuan industrinë e drurit dhe bujqësinë, ndërsa investoi edhe në të gjitha aktivitetet e tjera shoqërore. Në vetëm pak vite, ekonomia përjetoi një bum, ndërsa kënaqësia e njerëzve rritej ndjeshëm.
Edhe pse -siç thonë ekspertët e sotëm në Bolivi – punët e ndërmarra në Argjentinë dhe Brazil nuk iu paguan mjaftueshëm, ai vendosi të rrezikojë dhe të zgjerojë biznesin në Evropë dhe Azi. Përse? Me këtë akt, fuqia e tij nuk u rrit vetëm në botën e biznesit, por ai shtoi ndikimin edhe në mesin e politikanëve të huaj. Ai bleu favoret e tyre, në mënyrë që Bolivia të fitojë aleatë të fuqishëm. Kështu ai ia doli të frikësonte vendet fqinje.
Shkathtësitë e tija në biznes i dëshmoj edhe jashtë Bolivisë, meqë blinte fabrika për metale anembanë botës, duke u bërë lideri kryesor në industrinë e metaleve. Përmes lidhjeve të tij, për herë të parë në historinë e Bolivisë filloi eksportimi i frutave dhe perimeve në Evropë, ndërsa xeheroret dhe kripa në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Patino mbi të gjitha e donte Cochabamban, qytet ky që përjetoi bum të vërtetë ekonomik. Gjersa Evropa po digjej nga ferri i Luftës së Parë Botërore, Cochabamba lulëzonte. Të gjithë banorët kishin punë, shtëpitë ndërtoheshin njëra pas tjetrës, qyteti u zgjerua me shpejtësi. Të gjithë banorët e shihnin Patinon si shpëtimtar të tyre.
Shpirti i tij në Cochabamba edhe sot ka frymë. Madje, qytetarët rrëfejnë një anekdotë se si veproi Patino për t’i fyer paraguaianët, të cilët vite më parë i shikonin bolivianët me përbuzje. Në fillim të shekullit XX, Paraguai po kalonte nëpër një krizë të madhe ekonomike. Për ta vërtetuar se Bolivia është një tokë e prosperitetit, Patino nisi të hajë pesë herë në ditë. Pasi dëgjuan këtë fakt, të gjithë Cochabambinanët filluan ta praktikojnë të njëjtën gjë. Nga kjo lindi edhe një traditë që vazhdon edhe sot. Gjegjësisht, në Cochabamba, besoni apo jo, sot hahen pesë vakte në ditë.
Megjithatë, njollë e madhe në jetën e Patinos ishte një ngjarje e tmerrshme e vitit 1943 në minierën e Catavit, ku për shkak të pakënaqësisë së punonjësve, shpërtheu një protestë. Intervenimi i ushtrisë ndezi një përleshje të ashpër, e cila mori jetën e qindra njerëzve. Çfarë në të vërtetë ka ndodhur aty, nuk dihet edhe sot, e për këtë ka dy versione të tregimit. Njëri thotë se pushteti i Patinos gjatë Luftës së Dytë Botërore u dobësua. Duke u frikësuar se perandoria e tij do të binte, vendosi që t’i ulte në mënyrë drastike të gjitha pagat. Punëtorët u rebeluan, ndërsa atyre iu kundërpërgjigj qeveria si aleate e madhe e Patinos, e cila dërgoi ushtrinë për të heshtur rastin. Për fat të keq, kjo rezultoi me tragjedi. Versioni i dytë thotë se Patino nuk ishte dakord me partinë në pushtet. Me sa duket ai nuk pranoi t’ju jepte një shumë të madhe parash, për çka pushteti inskenoi incidentit dhe Patinos ia atribuuan gjithë përgjegjësinë për vdekjen e shumë njerëzve.
Megjithatë, çdo gjëje i vjen fundi. Patino vdiq në vitin 1947 në Buenos Aires. Në testamentin e tij ai kishte shkruar se gjysma e çdo gjëje që kishte i takojnë pesë fëmijëve të tij, në mënyrë që ata të vazhdojnë aty ku ka mbetur ai. Pjesa tjetër i takonte fondacionit “Patino”, e cila do të financonte çdo vit talentet e rinj bolivianë – në vend dhe anembanë botës.
Por, në vitin 1952 u shtetëzua tërë pasuria e mbetur e familjes Patino. Djali i tij, Antenori, akuzohej se ka marrë pjesë në grusht-shtetin kundër presidentit të atëhershëm, Viktor Paz, i cili vendosi të sekuestronte. Prona u shit pothuajse për asgjë, ndërsa u mbyllën edhe minierat dhe fabrikat.
Gjithashtu, Paz kishte për qëllim të mbyllte edhe fondacionin. Por, pas protestave të mëdha të qytetarëve në Cochabamba, kjo gjë u parandalua.
Fondacioni Patino u mbajt në jetë, ndërsa mbijeton edhe sot e kësaj dite. Shumë sipërmarrës bolivianë brenda një viti derdhin qindra-mijëra dollarë aty, në mënyrë që mos të shuhet, por edhe që emri i Simon Iturri Patinos të kujtohet përgjithmonë.
Shtëpia të cilën Patino e kishte ndërtuar për gruan e tij, sot është muzeu më i famshëm dhe më i vizituar në qytet.















