Historiku i UE-së dëshmon se njerëzit brenda natyrës së tyre humane janë paqësor. Ndërsa tendenca për t’u bashkuar me këtë union shtetesh dobiprurës, shfaq vetëdijen e formuar të popujve si qenie politike. Si parakusht për t’u vetëdijësuar është dituria mbi rajonin, kurse frut i saj ndjenja e përgjegjësisë që ka secili banor. Sot kur planeti është shndërruar në një fshat global, integrimi në UE qartë paraqitet si një domosdoshmëri. Prandaj çdo vonesë në zgjidhjen e çështjeve konfliktuoze që shtetet e Ballkanit Perëndimor kanë mes vete, është më se e pajustifikueshme. Thjeshtë sepse “Është koha të ndërtojmë ura në Ballkanin Perëndimor, jo t’i shkatërrojmë ato. T’i hapim kufijtë, jo t’i mbyllim ato. T’i ndreqim marëdhëniet, jo t’i prishim ato.” (Romano Prodi, President i Komisionit Evropian në Samitin EU-Balkan në Selanik, 21 qershor 2003).
Le të shqyrtojmë, për shembull, Republikën e Maqedonisë, e cila siç dihet nga të gjithë, pret të integrohet! Fillimisht le të kujtojmë se kërkesa greke që shteti maqedonas të ndryshojë emrin aktual u pranua ndërkombëtarisht që nga viti 1992! 1 milion grekë protestuan, të gatshëm edhe për të luftuar. Për këtë arsye ndërkombëtarët nuk u ndalën duke dërguar përfaqësues diplomatik që të ndërmjetësojnë, por kot. Të kota qenë edhe propozimet: “Republika Qendrore e Ballkanit” apo “Republika e Maqedonisë (Shkup)”. Greqia nuk pranonte asnjë alternativë që do të përmbante fjalën “Maqedoni”. Vetëm pas ndërmjetësimit amerikan (7 prill 1993), u vendos një kompromis i përkohshëm me emrin “Ish Republika Jugosllave e Maqedonisë” (FYROM). Ndërsa de jure “Normalizim i raporteve” u arrit në vitin 1995 kur vëmendja u përqendrua në Marrëveshjen e Dejtonit (pra në raportin Serbi e B &H), de facto që nga ky moment Greqia rrit presionet edhe më shumë… Sidoqoftë, e vërteta është se që nga viti 1992 FYROM dhe Greqia nuk arritën dot ta zgjidhin këtë çështje. Edhepse liderët politik thonë se synojnë anëtarësimin në UE, është e çuditshme që nuk mjaftuan 12 vite që kjo çështje të zgjidhej. Kaq vite që asnjëra palë nuk lëshoi pe, duke e fajësuar palën e kundërt për kokëfortësi! Duke mos guxuar të cenojmë lashtësinë e maqedonasve të FYROM-it, për ndërtimin e së cilës ata janë në gjendje të investojnë tërë pasurinë që kanë, ka diçka tjeter më të mençur që duhet bërë- Ashtu si nëna e vërtetë që pikërisht për të mirën e fëmisë së saj heq dorë nga ai; ashtu dhe përfaqësuesit e popullit, po për të mirën e këtij populli duhet të heqin dorë nga krenaria e padobishme! Para shumë vitesh njerëzit gjetën mënyrën për të zbutur egërsirat apo për të shkuar në Hënë, ndërsa është qesharake dhe e turpshme njëkohësisht, që të mos arrihet kompromis mes dy fqinjëve, secili nga të cilët pretendon se është i civilizuar!
Por të mos harrojmë gjithashtu se FYROM-i u nda paqësisht nga Federata Jugosllave dhe shpalli pavarësinë me anë të referendumit. Ndërsa bojkotimi i plotë nga ana e shqiptarëve autoktonë, që në territoret e veta janë shumicë e zbeh karakterin demokratik të këtij referendumi, respektivisht legjitimitetin e tij. Derisa aktet e formimit të Republikës së Krushevës, dokumentet e ASNOM-it dhe Kushtetuta e vitit 1974 garantonin statusin shtetformues të shqiptarëve… karakteri nacionalist i Kushtetutës së vitit 2001 e me këtë edhe diskriminimi i skajshëm, u bë shkak i konfliktit mes Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare të popullit shqiptar dhe pushtetit maqedonas. Konflikt ky i cili u ndal me nënshkrimin e Marëveshjes së Ohrit, akoma të pazbatuar. Burgosja e mbi 100 ushtarëve të UÇK-së, Rasti i Sopotit, Rasti i gazetarit kumanovar, Rasti i Brodecit, ai i enciklopedisë, vrasja e Harun Aliut me tre shokët, Projekti “Shkupi 2014”, rrahja e nxënësve shqiptarë nëpër autobusë si dhe rasti “Monstra” akoma e cenojnë elementin demokratik të këtij shteti multietnik, multifetar dhe multikulturor. Pra protestat gjatë korrikut nuk ishin të rastësishme. Për më tepër kur ata që protestonin në mënyrë të duhur, e dinin arsyen pse e bënin një gjë të tillë.
Indiferenca e autoriteteve kompetentë të shtetit në heqjen e pengesave të lartëpërshkruara e vë në dyshim dëshirën e tyre për integrim në UE. Kjo bën që Maqedonia t’i ngjajë hallexhiut që nuk pranon të heq këpucët e baltosura e të futet brenda në shtëpinë e bamirësit bujar. Vërtetë duket sikur Maqedonia as që është e interesuar të integrohet në UE! Dikush me të drejtë mund të mendojë me vete nëse Maqedonia i tha “JO” UE-së!!! Por sido që mund të duket, investimi i tërë kapacitetit në gjëra të vdekura, na vetëdijësoi të gjithëve se për aq gjatë sa ne qëndrojmë jashtë kornizave të UE ne jemi më të dëmtuarit, pa dyshimin më të vogël. Ne nuk mund ta ngopim barkun me përralla të bukura! Qetësia jonë është në UE dhe jemi të gjithë përgjegjës për ta arritur këtë qetësi sa më shpejtë!
Shkruan: Anesa Aliti, studente në Shkenca politike, diplomaci e gazetari, FON















