Fill pas mbarimit të zgjedhjeve, ndërsa qeveria e Rilindjes çmontonte podiumet e fushatave dhe ndërtonte skenën e shfaqjes së re qeverisëse, teksa prezantohej me pompozitet mobilimi modern i zyrave, tavolinat ovale, qilimat, perdet, letrat murale dhe madje edhe fotot shkëlqyese si ajo në shkallët e Presidencës, që duhej bërë pikërisht kur dielli të shkëlqente aq sa duhej për të nxjerrë në pah atë që “nuk” ishte parë ndonjëherë, kushdo që i bënte një kritikë qeverisësve shkëlqyes, merrte përgjigjen: lërini rehat, sepse sapo erdhën në pushtet!
Pas një viti, ndërsa skena vijoi me foto superstarësh, që kulmuan me ato të zbritjes ala Elvis Presley të Kryeministrit në Kinë, prapa kuintave, stafi rilindas punonte për spastrime nga puna, punësime militantësh, zhytje në borxhe, shembje të godinave të armiqve/mbjellje të godinave të miqve, ristrukturimin e zyrave të papunësisë dhe zhdukjen e investimeve publike. Zërit të mekur që ndërsa nuk i mbron dot ata që vetë votoi, nuk i mbetet veçse të thotë; po lërini pra, se vetëm një vit kanë.
Në këtë situatë nuk do të habitesha fare edhe sikur në fillesë të vitit të katërt qeverisës të thoshin; mos u bëni të këqij! ku mjafton një mandat, na duhet i dyti për …rrënimin real.
Sigurisht nuk vë në dyshim inteligjencën e shqiptarëve siç edhe nuk vë në dyshim zhgënjimin e thellë të tyre, një zhgënjim që ta thonë kudo. Ajo që vë në dyshim është aftësia për të pranuar hapur të vërtetën e trishtë që pikërisht votuesit e majtë janë edhe më të zhgënjyer.
Kur u shpall koalicioni i 1 prillit midis PS me LSI, kishte ende nga ata që mendonin që diçka e tillë ishte amorale dhe do t’i penalizonte; e natyrshme, sepse nuk i ndante as minuti nga momenti kur kishin baltosur dhe akuzuar pa asnjë mëshirë njëri-tjetrin. Por koalicioni, ndonëse gjerësisht pranohej si amoral, sërish erdhi në pushtet.
Të gjitha këto i dimë, si ne që i themi më zë më të lartë, ashtu edhe ata që ia pëshpërisin vetes apo miqve. Ajo që ende nuk kemi thënë sa duhet është që, ishin pikërisht zgjedhjet e fundit ato që i dhanë dorën e fundit zhdukjes së idealeve në politikë.
Mjafton të rishikosh xhirimet e kohës së fushatës, për të kuptuar se sa e rëndë është të pranosh në çfarë mase i janë hedhur “fuçi” me gënjeshtra turmës.
Sot shoqëria është e gjitha e mpirë, e trembur, e traumatizuar. Përmasa në të cilën është mashtruar, tashmë e ka lënë të pagojë.
Nuk do ta harroj kurrë momentin kur, ndërsa bënim regjistrimet e anëtarësisë së Partisë Demokratike, iu drejtuam një burri rreth të gjashtëdhjetave, i cili kishte vuajtur burgun komunist. Dihej nga të gjithë që ai ishte një demokrat në shpirt e veprim. I drithëruar, ai na tha: “më regjistroni mua dhe gruan, por jo çunat se i kam në punë e do m’i heqin…”
Një njeri që kish vuajtur burgun komunist, ndërsa ka menduar që do jetojë pak jetë në Shqipërinë e lirë, gjendet më i terrorizuar se atëherë dhe më e keqja, më i dorëzuar se atëherë!
Në Shqipëri për shumicën politika do të thotë thjesht luftë ekonomike për mbijetesë. Për ata që sigurojnë jetesën nëpërmjet një pune në administratë, lufta politike ka të bëjë me ekzistencën lakuriq: bukën e gojës. Për të pasurit, është luftë për kontroll… ekonomik. Në këtë situatë, pyetja: “A ia vlen?” është e tepërt. Sepse nuk të pyet askush. Nuk pyetet i varfri, natyrisht; kush e pyet skamjen? Por nuk pyetet as i pasuri: lufta është njëlloj për të gjithë.
A nuk është demokracia sistemi përfundimtar qeverisës? Ne e kemi atë. Heronjtë e errësirës komuniste që luftuan për demokraci kanë vdekur; por, falë sakrificës së tyre, tashmë është thuajse e pamundur të jetosh apo të vdesësh duke luftuar për demokracinë. Ideologjikisht është e pamundur. Jemi të rrethuar nga demokracia: nëpër institucione, në parlament, në media, nëpër OJQ gëlojnë mbështetësit e saj. Vetë ne jemi demokratizuar aq shumë, sa nuk dallojmë më të majtën nga e djathta.
Por ndoshta sytë tanë tashmë kanë dëshmuar një realitet, ndaj të cilit natyrshëm qëndrojmë të verbër: vdekjen e kauzës. Të universalitetit të saj. Zëvendësimin e saj me një mori mini-kauzash dhe narrativash: nihiliste, fetare, marksiste, nacionaliste, hedoniste, mjaftiste, mjedisore, zhvillimore, agnostike, globaliste, LSI-ste, lokaliste.
Reagimi ynë ndaj gjithë kësaj: duam mundësi ekonomike t’i dërgojmë fëmijët në shkolla më të shtrenjta, ndoshta edhe jashtë vendit, duam të kemi gjendje ekonomike të marrim më shumë kredi, duam më shumë para, që me to të kompensojmë dështimin e shtetit, që me to të blejmë më shumë shërbime të shtrenjta “sepse privati kushton”. Në sytë e marksistëve, Shqipëria është një ferr neoliberal. Në sytë e liberalëve, Shqipëria vazhdon të mbetet një treg i papjekur. Në sytë e rilindësve të rrugës së tretë “ju nuk keni parë gjë akoma”.
Ndërsa koalicioni rilindas ringjalli nihilizmin dhe varrosi kauzat e mëdha; ndërsa parlamenti i sotëm as që krahasohet me cilësinë e atij të para njëzet viteve, ndërsa njerëzit të kërkojnë një tjetër shpërblim se i detyrohesh sepse nuk kanë pranuar paratë për shitjen e votës, narrativa rilindase në mungesë të çdo ideologjie dhe çdo parimi politik apo shoqëror ka shpikur rrugën e tretë, që në fakt është rruga drejt askundit. Këtij udhëtimi, në diskurin e përgjithshëm politik i është gjetur edhe një emër: “Rruga drejt Europës”.
Europa nuk vihet në diskutim. E ardhmja e ndritur socialiste është zëvendësuar nga ëndrra shekullore europiane, nga “kthimi në Europë”. A thua se shqiptarët modernë qenkan një popull biblik, të cilit i është dashur të endet andej-këndej, sa nëpër humbëtirat e Anadollit, sa nëpër stepat e Rusisë, dhe që së fundmi e ka gjetur Europën, tokën e tij të premtuar, pas një udhëtimi global ideologjik, gjatë të cilit na është dashur t’i biem edhe nga Kina. Gjurmët e këtij udhëtimi janë të dukshme – Pallati i Kulturës në Tiranë, Metalurgjiku në Elbasan, disa nëndetëse të ndryshkura në Vlorë.
Sot rilindja e nihilizmit kryhet nëpërmjet vjedhjes së uniformave të ushtarëve të vrarë në mbrojtje të kauzave të mëdha. Hajdutëve të historisë nuk u bërtet askush. Sepse shumica e njerëzve që flijoheshin për kauza tashmë kanë vdekur. Por janë gjallë njerëzit-miza që ushqehen nga simbolika e tyre. Janë gjallë njerëzit që përdorin simbolikën e shallit të kuq, simbolikën e festës partizane, simbolikën e grushtit lart. Ata janë gjallë, dhe në këtë periudhë post-ideologjike ia kalojnë fort mirë, duke grabitur varret e ideologjive të vdekura. Kur vjen puna deri këtu, shqiptarët thonë rëndom: “Mirë që ngordhi kali, por s’na lënë rehat as mizat”.
Pak orë na ndajnë nga vizita e Papës në Shqipëri. Ati i Shenjtë u shpreh se vjen të vizitojë një vend që vuajti gjatë si pasojë e ideologjive të së shkuarës. Por pasnesër Papa Françesku nuk do të gjejë vetëm një popull të çliruar nga ideologjitë e rreme, një popull që e pret me respekt dhe dashuri. Ai do të gjejë edhe një vend të zhgënjyer nga mungesa e kauzës të së tashmes, e shpresës të së nesërmes. Është në nderin tonë që ta risjellim këtë shpresë mes nesh, për veten tonë, për të mirën e fëmijëve tanë. Sepse ende zotërojmë forcën e shpresës.
Ende e nderojmë dinjitetin e së shkuarës. Kushdo që kalon në bulevardin e madh të Tiranës dhe shikon fotot e martirëve që ranë për Zot, liri dhe komb, e di që kauzat e mëdha do të mbështeten përgjithnjë mbi supet e shpirtrave të mëdhenj.















