Thuajse pas 3 javësh hetime, policia e Durrësit ka ndaluar sot autorët e dyshuar të vrasjes makabre të dy kunatave në Durrës dhe ka shpallur në kërkim një të tretë.
Sipas policisë, të arrestuar si autorë të dyshuar janë: Velson Elmazi, 28 vjeç, lindur dhe banues në Elbasan, dënuar më parë me 4 vjet burg për marrëdhënie seksuale me dhunë; Artur Kacanolli, 28 vjeç, lindur e banues në Shijak, i padënuar më parë, i dyshuar si bashkëpunëtor dhe për mbajtje pa leje të municioneve luftarake.
Ndërkohë është shpallur në kërkim, Indrit Shaqja, 41 vjeç, lindur e banues në Shijak, i dënuar për krime kundër jetës dhe për disa ngjarje të rënda kriminale.
Policia bën me dije se kanë qenë Elmazi dhe Shaqja ata që kanë ekzekutuar gratë dhe akuzohen për vjedhje me pasojë vdekjen në bashkëpunim.
Ndërsa 28-vjeçari Kacanolli i ka ndihmuar dy autorët. Por pas hetimeve dhe marrjes në pyetje nga policia, del se Kacanolli është nipi i njërës prej viktimave, Gjinovefës, duke rezultuar si organizatori i ngjarjes, ndonëse nuk ka marrë pjesë në ekzekutimin e tyre.
Policia ka zbardhur mekanizmin e vrasjes së dy të moshuarave. Indrit Shaqo dhe Velson Elmazi që kishin si qëllim grabitjen e parave dhe floririt, kanë hyrë në banesën e tyre pasi thyen dritaren e katit të parë të saj.
Me armë në dorë ata kanë kërcënuar gratë për të treguar se ku ndodheshin shumat e parave që ata dyshonin se ishin fshehur në shtëpi. Pasi gjetën vetëm 2 milionë lekë të vjetra ata u lidhën duart dhe këmbët dhe u vendosën qese plastike në kokë. Si pasojë, për shkak të asfiksisë, të moshuarat kanë humbur jetën. Mëngjesin e 2 shtatorit, ato u gjetën pa jetë nga nj familjar i tyre në banesë.















