Nasho Bakalli
Çështja që prej 22 vjetësh tërheq vëmendjen e njerëzisë dhe që së fundmi po i bën shtetarët të mendohen, është ajo e pushtetit të drejtësisë. Janë bërë përpjekje dhe në to gjen shprehjen e vet tryeza për reformën në drejtësi, e organizuar nga Presidenti para pak ditësh. Ne nuk e dimë e sata tryezë është kjo mes të dështuarave dhe ne nuk e dimë po ashtu, se ç’fryte do të na sjellë ajo, kur klima politike dhe ekonomike mbetet e pandryshuar dhe kur shpërfaqja e drejtësisë mbetet dëshpëruese. Kujt i detyrohemi për tryezën? Atë e mori Presidenti Nishani përsipër. Ai ndodhet në qendër të gjendjes kritike të drejtësisë shqiptare. Ky pozicion mund ta bëjë atë hero nëse u kundërvihet realisht njerëzve që përgatisin dosjet dhe kundër atyre që japin “drejtësi”. Ose, këta njerëz e të tjerë rreth atyre do të gëzohen po të dështojë reforma. Më kot e kanë. Presidenti premtoi se do të marrë të gjitha masat e nevojshme për ta zgjidhur pozitivisht gjendjen kritike të drejtësisë. Premtim i rëndë ky! Sepse njerëzit nuk janë ata të viteve më parë; nuk ngopen me reforma gjysmake, por presin shërim rrënjësor. A e ka vallë presidenti recetën me barnat e duhura?
Po sikur një shumicë në KLD të ngrihen dhe ta njollosë atë si shpërfillës të korrupsionit në drejtësi? A mundet të mbrohet i vetëm ai? Mbetemi me shpresë që punët të mos arrijnë në një përfundim të trishtueshëm për Presidentin. Natyrisht, të gjithë ata që u mblodhën rreth tryezës thanë se përpiqeshin për drejtësi. Por, përvoja tregon se në të tilla tryeze, drejtësia mbytet edhe “pa dashje”, siç ndodh rëndom në komisionet hetimore të Kuvendit. Bie një pikë uji në tryezë apo në komision dhe mjafton për të shuar një zjarr të madh! Tryeza la edhe një kuptimin tjetër, u duk sikur i tha drejtësisë: “Ti bindu se ne duam të të presim kokën dhe këtë e bëjmë për të mirën tënde”. Pastaj, kush do ta jetësojë reformën kur vet KLD-ja, aktorja kryesore në sistemin e drejtësisë, nuk është shembull besnik i dhënies së vendimeve të ndershme dhe të paanshme?! Mbetet që gjyqtarët dhe përfituesit nga padrejtësitë e bëra prej tyre të mblidhen “te sheshi” për një “katharsis en bloc”!
Tryeza të tilla nuk përcjellin besim sepse edhe situata ekonomike është e dobët. Ajo i shtrëngon qeveritarët të kërkojnë “luftë ose paqe” jashtë pushtetit të tyre, me qëllim që të fitojnë kohë, apo që të zhvendosin vëmendjen e qytetarëve nga një çështje në një tjetër. Çfarë kërkojnë qytetarët? Ata kërkojnë drejtësi. Por drejtësinë e kërkojmë me fjalë kur padrejtësia zhvillohet me vepra. Edhe të huajt thonë se gjyqësori shqiptar mbart një fuqi të mbinatyrshme! Ku e gjen ai atë? Duke thelluar dhe shtrënguar lidhjet politike dhe financiare me qeveritarët e vjetër, administratën, deputetët, biznesin, fondacionet financiare dhe KLD-në. Pushteti i drejtësisë ndjek me fanatizëm rrugën e nisur gjatë qeverisjes së Sali Berishës; ruan atë frymë drejtësie që ua ngjizi ai kur i zaptoi të gjitha pushtetet. Autoritarizmin e Sali Berishës po e kultivon edhe Presidenti, me mbështetjen lunatike të opozitës! Kudo që të hedhësh sytë – për shembull te 21 janari 2011, te Gërdeci, te megaskandalet me pasurinë shtetërore, private, etj. – dhe pret të buçasë drejtësia, ajo, nuk dëgjohet sepse vjen “papritur” zhurma e një skandali të ri. Dhe kështu, drejtësia humbet në kohë dhe mes britmave që jehojnë në hapësirë. Te hapësira zënë vend edhe nëpunësit civil të sistemit të drejtësisë, që janë më të shumë në numër sesa oficerët në ushtri dhe që përbëjnë një hallkë plus në zinxhirin e korrupsionit që varet në xhepat e hallexhinjve. Mbi këto dhe të tjera arsye të brendshme a të jashtme, mendoj se bazohen edhe SHBA-të, tani që u futën në mesin e “luftës”, me qëllim që të ndreqet absurditeti që konsiston në dhënien, për shkaqe korruptive, të vendimeve gjyqësore të pandershme dhe të njëanshme. Kujtojmë se zv/ambasadori i SHBA-ve në Tiranë dha në tryezë se këtu ka gjyqtarë të korruptuar dhe se disa prej tyre duhet të shkojnë në burg.
Ndërhyrja e SHBA-ve, edhe pse e vonuar, është ogur i mirë. Por koha e sotme mund të quhet edhe koha e çudirave, domethënë koha kur shqiptarët presin nga qielli të zbresë shpëtimtari, që do të sjellë një lloj drejtësie, e cila nuk ngjan me atë franceze, as me atë gjermane, as me atë sllave dhe as me atë amerikane, por, një drejtësi që përçon të gjitha të mirat që ka drejtësia në shtetet e lartpërmendura! Pra, të jetë një lloj i ri “synetllëku”! Përtej ironisë, suksesi i reformës në drejtësi rrezikohet vetëm në një pikë. Cila është ajo? Ajo përmbledh politikanët, gjykatësit, prokurorët dhe oborrtarët e atyre janë shtresa sociale me gjendje ekonomike shumë të pasur, përkundrejt ëndrrave të qytetarëve të përçarë dhe të varfër. Zotërinjtë, kanë nevojë të dëgjojnë se njeriu, mirëqenia, dashuria, mëshira, durimi dhe dashamirësia janë të gjitha çështje të tyre dhe se ato qëndrojnë në zemër të drejtësisë sociale.
















