Mojca Jakop qëndronte në Qerret, lajmëroi me mesazh për pengmarrjen.
Një aksion blic i Policisë së Kavajës ka liruar një shtetase sllovene që dyshohej se mbahej prej disa muajsh peng. Megjithatë, deri më tani, prokuroria nuk ka faktuar nëse kjo shtetase ishte apo jo peng, pasi deri më tani ka dhënë disa deklarata kontradiktore. Burime nga Policia e Shtetit pohojnë se ka qenë INTERPOL-i që ka dhënë alarmin për këtë pengmarrje, ndërsa policia bëri lokalizimin e apartamentit, ndërhyrjen dhe lirimin e 29-vjeçares sllovene, Mojca Vlado Jakop.
Sipas policisë, Jakop është gjetur në gjendje të mirë shëndetësore, ndërsa në momentin që është raportuar gjetja e 29-vjeçares në vendin e ngjarjes ka shkuar edhe zëvendësambasadorja sllovene e akredituar në Tiranë. Policia, prej të enjtes ka shpallur në kërkim 46-vjeçarin Peter Petrovic Matliev, gjithashtu shtetas slloven si autor të heqjes së paligjshme të lirisë në dëm të 29-vjeçares. Hetimet për këtë çështje kanë qenë në konspiracion të plotë, për faktin se deri më tani nuk është arrestuar autori Matliev.
Madje, edhe e rrëmbyera ka dhënë disa deklarata kontradiktore, ndërsa në “lojë” është futur edhe Prokuroria e Krimeve të Rënda. Sipas burimeve nga policia, Matliev dhe Jakop kanë hyrë bashkë në territorin e Shqipërisë dhe janë vendosur në kompleksin “D…” në Qerret prej 8 muajsh, ku për 7 nga të cilët nuk i kishin paguar qiranë e qëndrimit. Jakop kishte dërguar një mesazh që mbahej kundër vullnetit në Shqipëri nga 46-vjeçari dhe kjo kishte alarmuar Ambasadën Sllovene dhe INTERPOL. Ndërkohë, banorët e kompleksit dhe tregtarët e dyqaneve mësohet të jenë shprehur për policinë se i kanë parë disa herë të dalin bashkë dhe nuk kanë krijuar asnjëherë dyshime se 29-vjeçarja mund të ishte e rrëmbyer apo e kërcënuar nga bashkëjetuesi i saj 17 vjet më i madh.















