Delvina KËRLUKU
Ҁështja dhe përdorimi i nacionalizmit në kushtet aktuale ekonomike-politike në Maqedoni, është aktiviteti dhe dobia më e lehtë e çastit. Duke ditur këtë fakt, liderët e disa partive politike, nuk prajnë duke i fryrë këtij zjarri, që sot u duket se i ngroh. Ata harrojnë faktin tjetër edhe më të padiskutueshëm, se ky zjarr nesër, apo më së voni, pasnesër, ata, frymëzues qofshin apo zbatues, do t’i djeg. Plagët që do marrin, do kërkojnë një shërim shumë afatgjatë. Këtë e ka dëshmuar historia, bile edhe shumë e afërt (rasti Milosheviq). Por, kokat që kanë marrë erë, s’e dallojnë erën e keqe të kësaj gjelle. Ata s’kanë mësuar gjë nga historia. Si duket, janë bindur se janë arkitekt të kësaj godine që s’kanë ç’i bëjnë furtunat që i mbjellin. Hegjemonët, farën e tragjedisë e mbjellin të parët dhe e korrin të fundit. Por, gjithsesi e korrin. Liderët e kësaj politike, gjenden në një udhë pa krye. Bile, me sa duket, ose nuk e kanë kuptuar, ose nuk duan ta kuptojnë, meqë kthimi prapa gati-gati u duket i pamundshëm pas gjithë atij rrugëtimi të gjatë e të mbrapsht. Sado aluzive që mund të duket, shigjetat dhe shigjetimet janë fare të qarta.
Qeverisja në një shtet multi etnik kërkon mjeshtri, talent, njohuri, tolerancë, drejtësi, barazi. Kërkon shkathtësi udhëheqjeje të një shkalle të lartë, bile shumë të lart. Shmangia nga këto postulate, ngadalë por sigurt, degjeneron në diktaturë. Në fillim ky lloj qeverisje duket joshës, meqë ta miklon sedrën, ta rrit vetëbesimin. Me një fjalë të trimëron, edhe pse ti nuk ke asnjë kapacitet e vlerë për ta mbështetur, përveç fuqisë së pushtetit, fuqi e cila mbështetet në një verdikt, të cilin elita (pushtetare ose partiake), nuk e dirigjon gjithmonë. Këto elita, në fillim i flijojnë të tjerët (më të pafuqishmit, pakicat, të varfrit, etj.) dhe, në fund, bëhen viktima të veprës së tyre, duke shkaktuar më parë një gjendje të mjerë ekonomike, sociale, morale dhe besimi. Kur e them këtë kam parasysh ligjet ekonomike, por edhe ato morale.
Këtë bindje ma përforcoi ndjesia e dorëzimit të çmimit Oscar, të cilin çmim, vitin e mëparshëm, e mori filmi “Të mjerët”, bazuar tek motivet e romanit shumë të njohur, me të njëjtin titull, të shkrimtarit francez edhe më të njohur, Viktor Hygo. Patjetër që do pajtoheni se motivet sociale-ekonomike të kësaj vepre ngjasojnë me ato të vendit tim, bile edhe më gjerë.
Ngjarja është e vendosur në Francën e shekullit 19-të dhe flet për një histori dashurie, mbi pasionin, sakrificën dhe mbijetesën e shpirtit njerëzor. Personazhi protagonist Zhan Valzhani, ndiqet tërë jetën nga polici i pamëshirshëm, Zhavert. I pashpresë brenda mureve të qelisë, ia del të arratiset nga burgu dhe strehohet tek prifti human, i cili e pranon në tempullin e Zotit. Ballafaqimi me mjerimin dhe pashpresën, ValZhanit ia rrit besimin te Zoti, si të vetmin shpëtimtar të njeriut dhe shoqërisë.
E shpalosa këtë histori, që nuk ka mbaruar së frymuari, por në trajta dhe mënyra të tjera, por me të njëjtën përmbajtje. Edhe njëherë përsëritem t’u them elitave, që kanë fatet e njerëzve në dorë, se koha kohon me jehonën e zhurmës dhe përmbajtjes së ngjarjeve franceze, të cilat i përfolëm më sipër. Dua të theksoj, se koha e Zhan Valzhanit, znj.Helena Carter, Zhavertit dhe një galerie të tërë, në njëfarë mënyre, po troket në portën e jetës tonë, të fatit tonë. Këta personazhe dhe kjo dhe ajo kohë, janë gjallë. Janë aq të gjallë e të vërtetë, sa mund t’i prekim çdo ditë. Profesioni më shtyn t’u besoj ligjësive të ekonomisë, që kanë derivatet e tyre. Dhe lind pyetja: a mund t’i dilet kësaj të keqe përpara, që të mos agravojë më shumë, që plaga të mos bëhet shndërrohet në gangrenë. Dhe përgjigjja është kjo: Mundet, por duhet guxim, dije, drejtësi, moral gjatë investimeve dhe shpërndarjes së të mirave materiale, të cilat i krijojmë së bashku. Në këtë mënyrë gjendet shoqëroria dhe fatet e personazheve, siç janë Zhan Valzhani, Helena Carter, Zhaverti, jo se nuk do t’i kemi, por do të jenë më të pakët!
Dhe, që të mos keqkuptohemi: nuk po kërkoj ndonjë përmbysje, revolucion.., por një evolucion pak më i përshpejtuar, do të pajtoheni me mua, do t’i bënte mirë shëndetit të shoqërisë sonë, e cila vuan nga më shumë se një sëmundje.
Të mjerë janë ata, vërtet, që bien preh e sistemit dhe pushtetit që e krijojnë vetë.















