Një nga shkeljet më flagrante që u bëhet fëmijëve në shoqërinë shqiptare është varfëria. E parë nga këndvështrimi i një psikologu, njëkohësisht fjalia e mësipërme shërben edhe si një thirrje që i bëhet shtetit për politikat që duhet të ndjekë për përmirësimin e kushteve të tyre. Psikologia, Entela Binjaku tregon për “Shekulli”-n se koncepti i të drejtave të fëmijëve, në shoqërinë shqiptare është i relativisht i ri dhe si i tillë, duhet të punohet, ashtu siç veprojnë shoqëritë e zhvilluara në botë. “Në vendin tonë të drejtat e fëmijëve, ashtu siç shoqëritë e emancipuara i trajtojnë, janë koncepte thuajse të reja për shoqërinë tonë. Dashuria për fëmijët te shqiptarët ka qenë dhe është e madhe, por respekti për të drejtat që ata kanë, ka nisur vonë të perceptohet si domosdoshmëri.
Në fjalorin e zhvillimeve aktuale shqiptare: “Të drejtat e fëmijëve” kanë hyrë herë si të imponuara nga organizmat e huaj falë aderimit në to të vendit tonë dhe herë nga shoqëria civile shqiptare, falë urave të bashkëpunimit dhe përvojave që ajo ka ndërtuar me partneritete ndërkombëtare. Kjo nga njëra anë tregon se, shoqëria shqiptare ka shumë për të bërë në drejtim të përthithjes së koncepteve, që janë të domosdoshme për një shoqëri të shëndetshme, por nga ana tjetër tregon se aty ka dhunë, të drejtat janë shkelur dhe për të drejta nuk është folur”, – tregon Binjaku.
Duke përmendur rastet e dhunës ndaj fëmijëve që ministria, organizatat dhe media përcjell, Binjaku shprehet se e ardhmja e shoqërisë tonë duhet të programohet nëpërmjet sensibilizimit dhe ashpërsimit të ligjit, në mënyrë që dhuna ndaj të miturve të minimizohet. Në ditë të posaçme si kjo, për të Drejtat Ndërkombëtare të Fëmijëve, shoqëritë në mbarë botën sensibilizojnë aktorë të ndryshëm të ngarkuar me përgjegjësi për mbarëvajtjen e çështjeve që lidhen me shoqërinë.
Ato ngrenë zërin për më shumë punë në përmbushje të të drejtave të fëmijëve, bëhen vetë zëri i tyre, këmbëngulin për denoncimin dhe ndëshkimin e atyre që lëndojnë dhe rrezikojnë jetën dhe shëndetin e fëmijëve. Në shoqërinë shqiptare sot, rastet e dhunës brenda familjes, ato të ushtruara në mjediset jashtë saj, duhet të na bëjnë të mendojmë më shumë për të ardhmen e shoqërisë sonë. Varfëria që jetojnë shumë fëmijë shqiptarë është një tjetër formë e dhunës dhe e shkeljes së të drejtave të tyre. Më shumë punë, për më shumë të drejta për të gjithë, dhe më shumë vëmendje ndaj fëmijëve”, – citon Binjaku.
















