Nga Naim Hasani
Dita historike për Britaninë e Madhe, 23 Qershorit 2016 erdhi dhe shkoi. Të gjithë ne u thirrëm për të votuar në referendumin popullor, nëse duhet të qëndrojmë apo të dalim nga Bashkimi Europian. Pyetja ne kutinë e votimit ishte shumë e thjeshtë në dukje por me një peshë tejet historike dhe me pasoja të paimagjinueshme për të ardhmen Unionit Britanik dhe Unionit Europian.
Më në fund rezultati erdhi dhe ajo fletë votimi aq e thjeshtë ka shkaktuar një reaksion me pasojë kataklizmike për Britaninë dhe Europën e Bashkuar por ka përcjellë valë shokuese në të gjithë botën.
Britania është jashtë Europës dhe siç e kishte paralajmëruar vetë kryeministri tashmë I dorëhequr, JASHTË do të thotë JASHTË. Në pamje të parë, një vendim demokratik dhe sovran duhet respektuar. Do ishte mirë sikur e gjithë historia të mbaronte këtu!
Por çfarë e influencojë këtë rezultat dhe cilat ishin mesazhet që ju përcollën elektoratit nga kampi që doli fitimtar dhe brenda natës na nxori jashtë grupit më të madh politik ekonomik dhe kulturor në botë?
Të gjithë ndoqëm çdo ditë debatet televizive dhe mesazhet drithëruese të Nigel Farage, Boris Johnson, Michael Gove si dhe Ian Duncan Smith. “Ne duam të na kthehet vendi ynë, i grabitur nga Europa dhe emigrantët Europiane” thërrisnin çdo ditë.
Të bindur në vetvete se nuk do të fitonin, mashtrimi dhe genjeshtrat e tyre nuk patën fund dhe mesazhet e tyre ishin drejtpërdrejt tek shtresa e varfër dhe e mesme e Anglezëve të bardhë, se vendi është i sulmuar dhe i pushtuar nga emigrantët dhe identiteti i tyre po humbiste.
Çfarë propaganda populiste, që Europa e ka provuar në kurriz në vitet 30 të shekullit të kaluar, që pasuan me ngritjen në pushtet rrymave ultranacionalite dhe raciste, pasojat të cilat akoma nuk janë shuar plotësisht.
Fatkeqësisht mashtrimi i tyre për një jetë të re fantastike, jashtë Europës, u besua nga shtresa e varfër dhe mosha e tretë dhe tani jemi Jashtë. Në vend që ata të ishin për çdo moment në media duke trumbetuar fitoren e tyre, janë zhdukur plotësisht dhe nuk paraqiten në asnjë media. Kjo është për dy arsye.
E para sepse ata kurrë nuk kanë besuar në fitore, në një moment kaq të rëndësishëm dhe e dyta sepse mashtrimet e tyre ishin aq kolosale dhe të qëllimshme, sa nuk mund të përballen me popullin dhe t’ju tregojnë të vërteten në sy.
Ne ju mashtruam dhe ju morëm në qafë juve dhe gjithë Europën. Historia na tregon se figurat më negative të Europës kanë përdorur fjalor të ngjashëm për të ardhur në pushtet në kohë kur ka ekzistuar një pakënaqësi mbarëpopullore ndaj klasës politike.
Do ta kuptoja sikur populli të përtypte një mashtrim kaq galopant në disa vende të Europës Jugore, që vuan nga papunësia dhe mungesa e prespektivës, por që kjo të ndodhte në Britani, deri dje fuqia e 5-të ekonomike në botë, me vetëm 5% papunësi, është e paimagjinueshme dhe ndjehem mjaft i keqardhur, ashtu sic ndjehen miliona shtetas Britanikë të cilët po përjetojnë momentet më dramatike, që nga përfundimi i luftës së dytë botërore.
Jam i bindur se shumë nga ata që votuan për të dalë nga Europa, janë zgjuar nga gjumi dhe pyesin veten, “si është e mundur të kemi bërë një gabim të tillë dhe të kemi rënë pre e gënjeshtrave të qëllimshme të disa politikanëve që çdo gjë mund të kenë në zemër, por jo interesin e qytetarëve të tyre dhe aq më pak të qytetarëve të Europës?”.
David Cameron cdo ditë na paralajmëroi për pasojat shkatërrimtare që do të ketë dalja nga Bashkimi Europian por fjalët e kryeministrit tonë, të cilit duhet ti besonim më shumë se askujt tjetër shkuan në vesh të shurdhër. Periudha që po jetojmë është e jashtëzakonshme dhe që mund të ketë pasoja helmuese për të gjithë Jetojmë në një kohë kur ata që kemi zgjedhur vetë, nuk i beson askush, edhe kur paralajmërimet e tyre për pasojat e vendimeve tona ishin rrënqethëse.
Besoj se shumica dërrmuese i sjell ndër mend disa herë fjalët e David Cameron dhe pyet veten “ah, sikur të mos kisha votuar për të dalë nga Europa?” Ajo pyetje është shumë vonë tani. Jashtë është Jashtë dhe tani duhet që gjithë të reflektojmë si të dalim nga kjo situatë dramatike, e paprecedentë dhe epidemikë që ndjellë vetëm shkatërrim për Britaninë dhe gjithë Europën.
Deri të premten në mëngjes ishim shumë krenar që e quanim veten British dhe papritur pyesim veten “Sikur të kisha edhe në shtetësi tjetër të Europës” dhe nëse a do të ketë më Britani të Madhe në kushtet kur Skocia dhe Irlanda e Veriut votuan për të qëndruar në Bashkimin Europian?”
Ky referendum ka hapur “kutinë e pandorës” dhe me të drejtë njerëzit ndjehen konfuzë, të frikësuar dhe pa një elitë politike që të ngrihet dhe të përballet me mashtrimin galopant të politikanëve që predikuan daljen nga Europa.
Michael Gove në mënyrë të famshme deklaroi publikisht që nuk do ti dëgjonte dhe besonte paralajmërimet e ekspertëve, për një situatë kaotike pas referendumit, nëse Britania do të vendoste të votonte për një dalje nga Europa. Kjo nuk kishte asnjë sens në kushtet kur secili nga ne në mënyrë logjike, mbështetemi tek ekspertët në çdo aspekt të jetës sonë.
Githë bota bën pyetjen “Si ka mundësi që Britania të ndërmarrë një hap kaq shkatërrimtare për vetveten, kur është paralajmëruar çdo ditë për pasojat e paparashikueshme dhe një rrëshqitje në errësirë?” Premtime boshe, pa asnjë fakt konkret, që të kujtonin filmin për fëmijë “Liza në botën e çudirave”. Ata ofruan një Britani pa emigrantë brenda ditës dhe nuk pushuan së thëni se çdo gjë e keqe vinte nga Bashkimi Evropian dhe emigrantët.
Të gjitha personalitetet më të shquara të vendeve mike në botë, duke filluar nga Presidenti Obama si president i SHBA, insistuan me forcë që Britania të luajë rolin e saj dominant në Bashkimin Europian e jo jashtë saj, e bashkuar me Europën e jo e vetme. Ata që drejtuan fushatën për të dalë jashtë Europës kishin vetëm dy aleatë Donald Trump dhe Vladimir Putin.
Në fakt ata ja arritën të bindnin shumicën e votuesve me mashtrime që ata vetë kurre nuk i kanë besuar, nëpërmjet kartës së ksenofobisë, racizmit dhe oportunizmit, dhe tani jemi jashtë.
Britania ishte deri dje ekonomia e pestë më e madhe në botë, falë tregtisë dhe inkuadrimit si pjesëtarë e tregut të përbashkët Europian dhe nuk ishte e nevojshme të dalë nga Europa për të shkuar aty ku jemi sot.
Europa e Bashkuar dhe sidomos Britania, si anëtare kryesore e bllokut më të madh politik dhe ekonomik në botë, kanë luajtur deri tani, një rol parësor dhe determinues, paqeje dhe stabiliteti në botë, por sidomos në kontinentin tonë, që ka përjetuar pasojat shkatrrimtare të dy luftërave botërore, duke mos harruar për asnjë moment luftërat e përgjakshme që pasuan shpërbërjen e ish-Jugosavisë.
Falë frymës së lirisë dhe demokracisë që shpërndau Bashkimi Europian, Shqipëria dhe vendet e Europës Lindore dhe qendrore u shkeputën përfundimisht nga tirania dhe diktatura komuniste qjysmë shekullore. Disintegrimi dhe shpërbërja, populizmi dhe fashizmi nuk kanë dhe nuk mund të kenë vend në Europën e shekullit të XXI.
Me të drejtë e pyesim veten më shumë shqetësim dhe zhgënjim “Si ka mundësi që Britania ti kthejë shpinën Europës dhe të fillojë lundrimin e vetme, në një botë tejet të trazuar pa asnjë plan se cili do të jetë destinacioni ynë, i fëmijëve tanë dhe i fëmijëve të fëmijëve tanë?”
Rinia ndjehet e zhgënjyer dhe e frikësuar por pak vonë, sepse thirrjet për pjesëmarrjen e tyre dhe angazhim në këtë ushtrim unik të së drejtës së tyre për të votuar e kanë dëgjuar mbas rezulatit që na la jashtë Europës, dhe të gjithë pyesim veten cfarë ndodhi me neve.
Shqiptarët e kanë vuajtur më shumë se askush tjetër, racizmin, ksenofobinë, ndarjen dhe izolimin. Demokracia, uniteti dhe bashkimi duhet të dominojnë Europën dhe Britaninë sot. Vendimi për të dalë nga Europa po jep pasojat dhe nuk dimë se ku do ndalen.
Gjatë gjithë fushatës për referendumin, politikanët pro daljes së Britanisë nga Bashkimi Europian kanë dhënë alarmin e rremë, se nëse Shqipëria bëhet anëtare e bllokut Europian, dhe mbi një milion shqiptar do të mësyjnë Anglinë, miliona turq po ashtu. Shqiptarët janë një pjesë shumë e vogël e Europës dhe ishte qesharake të spekulohet me trillime të tilla keqdashëse.
Bashkimi Europian dhe aspiratat për anëtarësim me të drejta të plota i kanë dhënë Shqipërisë dhe Ballkanit perëndimor një mundësi dhe prespektivë Europiane, ku kombet flasin e bashkëpunojnë me njëri tjetrin, si anetarë të familjes së bashkuar dhe më demokratike në gjithë botën. Ëndrra për tu bërë pjesë e Europës së bashkuar e ka bërë Shqipërinë dhe Ballkanin perëndimor më dominant dhe më shpresëdhënës e sigurisht më të sigurt.
Dalja e Britanisë e ka dërguar ëndrrën e shqiptarëve për tu bërë pjesë e Europës, në sirtaret e Bashkimit Europian dhe askush nuk mund ta parashikojë, kur ajo ëndërr do të bëhet realitet apo do të perëndojë. Shqiptarët janë bashkëhumbës të mëdhenj pas vendimit të Britanisë për ti kthyer shpinën Europës.
Pamvarësisht situatës kaotike dhe konfuze pas referendumit, që e ka gjetur të gjithë botën të papërgatitur dhe na ka shokuar të gjithëve, une besoj dhe shpresoj se kombet e mëdha si Britania, qytetarë të së cilës jemi dhe jetojmë këtu cdo ditë, kanë ditur të ngrihen gjithmonë në lartësinë që kërkojnë momente historike, si kjo periudhë pas këtij referendumi dhe të mos e lenë vendin tonë dhe gjithë Europën të bien në shock dhe pesimizëm, që do të kishte pasoja shkatërrimtare për neve dhe për gjeneratat që do të vijnë.
Kaosi dhe anarkia nuk i intereson askuj në Europë dhe demokracia duhet të triumfionte ndaj rracizmit dhe ksenofobisë dhe nuk duhet të lejojmë kurrë që kjo situatë të keqpërdoret nga politikanë oportunistë që duan të bëjnë karierë me fatkëqësinë e popujve të tyre. Kurrë nuk është vonë për ti thënë jo ndarjes, mospërfilljes, pabarazisë dhe oportunizmit. Liria dhe demokracia, uniteti dhe humanizmi duhet dhe do të ttriumfojnë, sot më shumë se kurrë.
Avokat dhe Ekonomist
















