Projektvendimi i hartuar nga Ministria e Arsimit në bashkëpunim me ministrinë e brendshme, të drejtësisë dhe të jashtme parashikon kriteret për sigurimin e të drejtës të arsimimit në gjuhën e pakicës kombëtare.
9 minoritetet, ai rom, egjiptian, grek, serb, malazez, maqedonas, boshnjak, bullgar si dhe arumun do të bëjnë mësim në gjuhën e tyre në klasa të krijuara me numër të ulët nxënësish, ndryshe nga numri I fëmijëve të klasave të tjera të sistemit arsimor parauniversitar.
Fëmijët e komunitetit romë shprehin për Top Channel dëshirën për të mësuar si të shkruajnë, gjuhën që prindërit u flasin në shtëpi.
“mua më pëlqejnë të dyja gjuhët. Po prindërit më kanë mësuar fillimisht gjuhën rome. Nuk e di alfabetin”, thonë disa prej tyre.
Sipas programeve mësimore, nxënësit që u përkasin pakicave kombëtare do të studiojnë edhe për historinë, traditat dhe kulturat e tyre.
Një tjetër kriter i parashikuar në projektvendim është numri personave të një pakice kombëtare, i cili duhet të jetë jo më pak se 20% e numrit të përgjithshëm të banorëve të njësisë administrative që i përkasin.
***
Shqipëria zyrtarisht me 8 pakica kombëtare, 3 prej tyre sllave
Qeveria ka propozuar në mbledhjen e fundit projektligjin “Për Mbrojtjen e Pakicave Kombëtare”, duke i bërë një shtesë minoriteteve që Shqipëria njeh zyrtarisht si pakica kombëtare.
Kështu sipas ligjit, pakicat kombëtare në Republikën e Shqipërisë janë pakicat greke, maqedonase, vllahe/arumune, rome, egjiptiane, malazeze, boshnjake, serbe. Ajo që bie në sy është se 3 prej minoriteteve që do të njihen si pakica kombëtare janë me popullsi sllave (maqedonase, malazeze, serbe). Ndryshimi është se me ligjin e vjetër minoriteti Grek, minoriteti Maqedon dhe ai Serbo-Malazez njiheshin si minoritete etnike kombëtare, ndërsa vllahët dhe romët si minoritete etnogjuhësore, ndërsa boshnjakë dhe egjiptianët si komunitete – raporton Respublica.
Në përkufizimin e ligjit thuhet se një pakicë kombëtare është një grup shtetasish shqiptarë që banojnë në territorin e Republikës së Shqipërisë, kanë lidhje të hershme dhe të qëndrueshme me shtetin shqiptar, shfaqin karakteristika dalluese kulturore, etnike, gjuhësore, fetare ose tradicionale dhe të cilët janë të gatshëm për të shprehur, ruajtur dhe zhvilluar së bashku identitetin e tyre të dallueshëm kulturor, etnik, gjuhësor, fetar ose tradicional.
Qeveria thotë se ndryshimet në ligj u bazuan në kërkesën e përfaqësuesve të pakicave kombëtare dhe në përputhje me kriteret e Konventën Kuadër të Këshillit të Evropës për Mbrojtjen e Pakicave Kombëtare. Në Censusin mbi popullsinë dhe banesat të zhvilluar në vitin 2011, minoritetet rezultojnë me 52.700 individë në Shqipëri, ose 1.9% të numrit të popullsisë në vend. Sipas të dhënave të nxjerra nga ky Census mbi popullsinë banuese, sipas përkatësisë etnike dhe kulturore, rezulton
Minoriteti Grek: 24.243 (individë)
Minoriteti Maqedonas: 5.512
Minoriteti Malazez: 366
Minoriteti Arumun (Vllah): 8.266
Minoriteti Rom: 8.301
















