1945/Dënimet me vdekje të Divizionit të 5-të kundër shqiptarëve të Kosovës
Nga Kastriot Dervishi
Në territoret shqiptare në Jugosllavi nuk kishte prani ushtarake gjermane në kohën kur divizionet komuniste shkuan nga Shqipëria atje. Qëllimi i tyre ishte nënshtrimi i shqiptarëve dhe dorëzimi i pushtetit jugosllavëve. Gjatë qëndrimit atje, divizionet në fjalë rekrutonin me forcë aty ku shkonin. Këto rekrutime në nëntor 1945 e çuan forcën e Divizionit të 5-të komunist në 2902 trupa. Nga ky proces i dhunshëm, shumë shqiptarë nga Kosova kryesisht, filluan të largohen. Një sërë procesesh u zhvilluan kundër tyre, një pjesë edhe me vdekje.
Njëri prej tyre, Isuf Halimi (mbiemri nuk dihet pasi “Halimi” është atësia e tij), 27 vjeç nga Dravari i Nënprefekturës së Vuçiternës, me vendimin nr.19, datë 9.7.1945 të Gjykatës Ushtarake të Divizionit të 5-të me kryetar Riza Dacin e prokuror Riza Taushanin, në bazë të neneve 15, 17, 18 të ligjit nr.41, datë 14.1.1945 “Mbi organizimin e funksionimin e gjykatave ushtarake”, u deklarua fajtor dhe u dënua me vdekje. U la në fuqi me vendimin nr.260, datë 6.10.1945 të Gjykatës së Lartë Ushtarake. Pavarësisht kësaj, vendimi nuk mund të ekzekutohej sepse i dënuari kishte vdekur. Komanda e Divizionit të 5 me qëndrim në Gostivar, njoftonte më 18.8.1945 Gjykatën e Lartë Ushtarake, se i dënuari kishte vdekur më 12.7.1945. Pra në Tiranë ishte lënë në fuqi dënimi me vdekje i një të vdekuri.

1984/Enver Hoxha: Nuk do të bëjmë propagandë kundër Jugosllavisë, kosovarët do t’i dorëzojmë te UDB-ja
Qëndrimi i regjimit komunist të Enver Hoxhës ndaj shqiptarëve të Kosovës që emigronin për arsye politike në Shqipëri, ka qenë antikombëtar. Jo vetëm për faktin se regjimi ishte antikombëtar dhe internacionalist proletar, por këto veprime shoqëroheshin edhe me pabesi të pafundme. Njihet numri shumë i lartë i shqiptarëve të Kosovës që vinin në Shqipëri për t’i shpëtuar gjenocidit serbomadh dhe që burgoseshin e internoheshin nga regjimi i E.Hoxhës. Por, po kaq, shumë të tjerë i dorëzoheshin UDB-së me qetësinë më të madhe. Sjell sot, një pjesë të mbledhjes së datës 18.4.1984 të sekretarëve të Komitetit Qendror, ku merr pjesë edhe ministri i Punëve të Brendshme, Hekuran Isai. Këtu diskutohet edhe për emigrantët kosovarë. Udhëheqja nuk tundet nga mendimi se duhet t’i kthejmë, ndërsa E.Hoxha është më i sinqertë se kurrë duke thënë se nuk mund të bënin propagandë kundër Jugosllavisë.
Biseda e zhvilluar
Shoku Hekuran Isai: Nga Kosova, shoku Enver, pothuajse na vijnë çdo muaj nga 5-6-7 apo nganjëherë edhe nga 8 vetë të arratisur. Pothuaj çdo javë kalojnë ata kufirin jugosllavo-shqiptar. Këta vijnë me pretekste të ndryshme, njëri thotë “kam ardhur për të vazhduar shkollën”, tjetri, “më ndjek UDB-ja”, kush kështu e kush ashtu. Po ne mbasi jemi konsultuar dhe i vjelim nga kanë ardhur e pse kanë ardhur, ku mendoni të shkoni e si do të shkoni, i kthejmë përsëri. u themi mirë, ju vini këtu, po shokët tuaj luftojnë në Kosovë, prandaj pse largoheni, detyra juaj është të luftoni, se atje bëhet luftë. Mirë, ja erdhe këtu dhe ta zëmë se ne të strehuam, të dhamë edhe punë apo për të ngrënë e për të pirë, por në fakt ju largoheni andej nga lufta. Kështu mundohemi t’i bindim që të kthehen dhe mendojmë që kemi bërë mirë që i kemi kthyer.
Shoku Enver Hoxha: Të ç’moshe janë këta?
Shoku Hekuran Isai: Ka të rinj fare, 15 ose 20, ka 30-vjeçarë, ka që vijnë me familje dhe janë të moshave të ndryshme. mendoj se kemi bërë mirë që i kemi kthyer. Vetëm ndonjë të rrallë e mbajmë dhe këtë e bëjmë në konsultim me shokët e Komitetit Qendror, që lidhet me ndonjë problem të rëndësishëm.
Shoku Enver Hoxha: Po këta nëpërmjet kufirit kthehen?
Shoku Hekuran Isai: Po nëpërmjet kufirit kthehen.
Shoku Enver Hoxha: Domethënë i dorëzojmë?
Shoku Hekuran Isai: Po i dorëzojmë. Ndonjë kur jemi të bindur që është njeri i mirë, e kemi kthyer edhe inkonjito, pa e dorëzuar, të tjerët ua kemi kthyer jugosllavëve. Fakt është që disa nga këta që kthejmë, jugosllavët i kanë përpunuar, na i kanë çuar me qëllim një pjesë të mirë të tyre. Në 100 vetë që na vijnë, 70 ata i çojnë për interesat e veta, midis tyre futin edhe 30 të mirë. Këtë rrugë ndjekim tani me kosovarët që kalojnë për këtu, shoku Enver, se na bëhet barrë, mbasi pas strehimit politik, duan rrogë mujore, duan veshje, duan punë.
Shoku Enver Hoxha: Nuk i ushqejmë dot ne ata.
Shoku Ramiz Alia: Këtu është çështja se po të dëgjojnë se të tjerët që po i ushqejmë, u japim edhe punë, hapet rruga dhe hajde mbaji pastaj.
Shoku Enver Hoxha: Jo, nuk i ushqejmë dot, pastaj nuk jemi të sigurt çfarë njerëz janë ata që vijnë. Ne nuk mund të bëjmë propagandë kundër Jugosllavisë me të arratisurit kosovarë. Nuk është në vijën tonë kjo punë.
Shoku Hekuran Isai: Unë kam pasur presione nga kosovarët që janë të vendosur me kohë në vendin tonë, disa nga të cilët kanë punuar edhe në organet e Ministrisë së Punëve të Brendshme. po si i kthejmë ne këta, më tha njëri, pse ia dorëzojmë, ata? Po i thashë unë, UDB-së ia dorëzojmë, pse më siguron mua ti që nuk i ka dërguar ajo për qëllimet e saj? Merr zotim ti nuk i ka dërguar UDB-ja? Pse më del me një mendim të tillë? Ne ata i këshillojmë të kthehen, të shkojnë të luftojnë atje dhe kjo është gjë e mirë, bile, në këto situata të vështira, çdo kosovar duhet të luftojë për vendin e vet. Kurse ti thua t’i thithim të gjithë.
Shoku Enver Hoxha: E ç’ti bëjmë këtu gjithë ata njerëz?
Shoku Hekuran Isai: Pastaj gjysma e kush e di sa të tjerë si këta, mund të jenë agjentë të UDB-së. Prandaj kemi ndjekur këtë taktikë ne, pasi kemi biseduar me shokët në aparat të KQ për këtë çështje.
Shoku Enver Hoxha: Mirë, drejt e keni menduar. Dakord jam edhe unë, kështu duhet bërë, sidomos derisa nuk i njohim. Unë kujtoja se nuk vijnë më.
Shoku Hekuran Isai: Jo, jo vijnë vazhdimisht.
Shoku Enver Hoxha: Pesë-gjashtë në muaj vijnë patjetër thua ti.
Shoku Hekuran Isai: Vijnë, vijnë shoku Enver.

1986/Ramiz Alia: Sigurimi i Shtetit nuk ka qenë korrekt me kosovarët
Keqtrajtimi që u bëhej emigrantëve kosovarë në Shqipëri me burgosje, internime, përndjekje, etj, pranohet nga udhëheqësit komunistë, duke na dëshmuar se kjo ka qenë politikë zyrtare e shtetit internacionalist komunist, i cili qante hallin e revolucioneve nëpër botë teksa urrente vëllezërit e një gjaku matanë kufirit. Në mbledhjen e datës 21.6.1986 të sekretarëve të Komitetit Qendror të PPSH-së, midis sekretarit Foto Çami dhe sekretarit të parë Ramiz Alia diskutohet edhe çështja e emigracionit kosovar.
Biseda
Shoku Foto Çami: Nga Ministria e Punëve të Brendshme na erdhi një relacion për emigrantët kosovarë që janë këtu dhe u tërhoqa vëmendjen për një kujdes më të madh për ta. Ka shumë ankesa dhe kërkesa nga emigrantët kosovarë. Nga ata ka kërkesa dhe ankesa që janë të drejta dhe shokët u kanë dhënë të drejta, por nuk i sqarojnë. Shokët e komiteteve të partisë së rretheve nuk dinin gjë fare që ka një vendim qeveri për trajtimin e tyre, kush merret me këtë punë, etj. ndërsa organet e punëve të brendshme, të bëjnë detyrën që u takon. Dy të rinj emigrantë kosovarë kishin mbaruar fakultetin dhe i emëruan në Fier. Aty mbetën disa muaj pa punë. Njërin prej tyre e emëruan në një fshat të Rrethit të Fierit, ku shumica dërrmuese ishin të internuar. U desh të ndërhynim ne që ta vendosnin në qendër.
Shoku Ramiz Alia: Me çështjen e emigrantëve kosovarë merret komiteti ekzekutiv, mbase nuk merret mirë, por ai e ka për detyrë ta ndjekë këtë çështje, por duhet të kujdeset edhe partia. Qëndrimet e komiteteve ekzekutive të Fierit dhe të Mirditës nuk janë korrekte. Organet tona duhet të kujdesen veçanërisht për të rinjtë në mënyrë që ata të bëhen të mirë. Në qoftë se ato do të mbeten jashtë kujdesit të njerëzve tanë me ta, do të punojë i ligu. Shpesh herë njerëzit tanë druhen të mos përzihen me kosovarët, mendojnë që të tjerët kushedi ç’thonë, prandaj gjejnë më të përshtatshme ta lënë mënjanë. Ky nuk është ky nuk është qëndrim i mirë, njerëzit tanë, përkundrazi, duhet të rrinë e të punojnë bashkë me kosovarët. Qëndrimi ndaj emigrantëve kosovarë është një problem mjaft kompleks. Edhe organet e Sigurimit të Shtetit në përgjithësi kanë mbajtur një qëndrim jo shumë korrekt, ka prej tyre që thonë bile, pse shoqërohet ky ose ai njeri me emigrantët? Njerëzit tanë duhet të ndikojnë për mirë te emigrantët kosovarë.

















