Dhjetë mijë qytetarë të Hong Kongut këtë fundjavë i kanë vazhduar protestat në disa lokacione në këtë qytet kinez, duke kërkuar nga pushteti lokal dhe ai në Pekin zbatimin e demokracisë së vërtetë. Por, tensionet në këtë koloni të dikurshme britanike, e cila sadopak ka gëzuar liri më të mëdha se Kina tjetër, po rriten gjithnjë.
Guvernatori jopopullor i Hong Kongut, Leung Chun-ying, i cili ka refuzuar t’i nënshtrohet presionit të demonstruesve dhe nuk ka dhënë dorëheqje, të tubuarve në rrugët me të qarkullueshme në qytet u ka dhënë afat deri të hënën për shpërndarje të qetë. Ai ua ka tërhequr vërejtjen se të gjitha zyrat e pushtetit lokal duhet të lirohen, në mënyrë që të hënën të vazhdojnë me punën e rëndomtë. Kjo do të thotë se kërkohet përfundimi i bllokadës së rrugëve të qytetit.
Leung dhe ekipi i tij nuk kanë thënë se çka do të ndërmarrin në qoftë se demonstruesit nuk e respektojnë afatin, por natën e së dielës janë shënuar interaksione me policinë dhe në një çast edhe është hedhur gaz lotsjellës.
“Independent” shkruan se edhe guvernatori Leung dhe njerëzit e tij e dinë se situata në Hong-Kong është shpërthyese dhe se tentimet brutale të policisë për ngufatjen e protestave para një jave kanë rezultuar me daljen edhe më masive të qytetarëve në rrugë.
Por, shumë vëzhgues pajtohen se demonstratat kanë arritur në pikën e vdekur. Leung ka refuzuar të tërhiqet, ndërsa Federata e Studentëve e ka refuzuar ofertën e tij për negociata.
Politikani i njohur demokrat hongkongas, Law Chi-kwong, ka tërhequr vërejtjen se pushteti çdo çast mund të nisë ndonjë aksion.
Në ndërkohë, pushteti ia ka dalë të hedhë në mesin e demonstruesve Triadat famëkëqija, bandat kriminale nga nëntoka e Hong Kongut. Policia thotë se të premten gjatë trazirave në Mong Kok janë arrestuar 19 persona të ndërlidhur me Triadat. Është fjala për persona, të cilët i kanë sulmuar demonstruesit kryesisht të qetë, ndërsa “Independent”-i shkruan se kushdo që i ka paguar për këtë, sigurisht se e ka pasur mbështetjen e Pekinit.
Kreu në Pekin sigurisht se mendon opsione të ndryshme për t’i hequr qafe shpejt demonstratat. Drejtori i OJQ-së “Hong Kong Transition Project Michael DeGolyer” ka paraqitur pesë skenarë të mundshëm që Pekini i ka në dispozicion, prej më të afërmit (dorëheqjes së Leungut) deri te ai më drakoniku (ndalimi i furnizimit me ujë të tërë qytetit).
Vëmendjen me të madhe ka tërhequr skenari të cilin ai e ka quajtur “Strategjia Anakonda”. Gjarpri i madh johelmues Anakonda gjahun e saj e vret duke e mbështjellë rreth tij dhe e ngufat, pastaj e dromcon dhe e ha. Përkthyer në situatën në Hong Kong, ngufatja e ngadalshme e revolucionit të ambrellave do të bëhej me metodën “përçaj e sundo”.
Kjo do të thotë që Kina Hong Kongut së pari pak nga pak t’ia mbyllë çepin ekonomik dhe me këtë do t’i kthejë qytetarët kundër studentëve. P. sh., DeGolyer thotë se Pekini do të mundë ta ndalonte ardhjen e turistëve në grupe në Hong Kong nga pjesa tjetër e Kinës dhe dëmet do të ishin të mëdha. Kjo për fat të keq edhe është bërë realitet vetëm disa orë më vonë. Pastaj, në “dromcimin e gjahut”, pasi që qytetarët do të kërkonin largimin e demonstruesve, në punë do të viheshin Triadat…
Ky mund të duket si përshkrim i apokalipsit, por është fakt se dy fazat e skenarit janë bërë realitet.















