Blerina Racaj “Mendoj se në rrethanat ku ndodhemi tani, është tepër e vështirë si për një femër ashtu edhe për një mashkull të bëjë punën e aktorit, gjithmonë duke e pasur parasysh se në Kosovë bëhen shumë pak filma e shfaqje”, ka thënë aktorja kosovare, Valmira Hoti. Artistët kosovarë çdo herë e më shumë po e dëshmojnë talentin dhe dashurinë që kanë ndaj artit, veçmas ndaj fushës së aktrimit. Edhe pse në Kosovë mundësitë për t`u shfaqur në projekte filmike e teatrale janë të vogla, aktorja kosovare Valmira Hoti dhe në ato ‘’pak’’ role që ka pasur, ngase është e re në moshë, e ka dëshmuar vetën që është një aktore e zonja dhe se është në rrugën e duhur drejt një karriere të gjatë e të suksesshme. Atë kohëve të fundit kemi pasur mundësi ta shohim në disa shfaqje teatrale shumë të rëndësishme të cilat janë dhënë, siç ishte “Fundi i lojës”, “Kumbulla amerikane” e “Gjashtë personazhe kërkojnë autorin” kjo e fundit nën regjinë e Orhan Kërkezit, e cila ishte dhe premiera më e re që u dha në Teatrin Kombëtar të Kosovës, e cila po qëndron aktualisht në reporterin e këtij teatri e që po synon të thyejë rekordin e shikueshmërisë në vend. Madje aktorja Hoti, së fundmi është bërë dhe një fytyrë televizive përmes rolit të saj në një spektakël humoristik në njërin nga televizionet tona vendore, duke e fituar dashurinë dhe simpatinë e audiencës. Gazeta Tribuna ka bërë një intervistë me Valmirën, e cila shpalos dhe synimet e saj që ka në të ardhmen si dhe për punën që ajo ka bërë deri më tani në profesionin e saj, që siç thotë dhe vet ajo e ka ëndërruar qysh kur ishte fëmijë, pavarësisht sfidave që ky profesion sjell në Kosovë.
Tribuna : Keni qenë pjesë e disa projekteve artistike, si në skenën teatrore, ashtu dhe në atë të filmit e televizive. Sa jeni e kënaqur me atë që keni arrit deri tani ?
Valmira Hoti :Si fëmijë e kam dashur shumë aktrimin dhe gjithmonë kam ëndërruar që një ditë të jem një aktore dhe kjo ëndërr m’u realizua në momentin kur fillova studimet pranë Akademisë. Gjatë studimeve dhe më pastaj kam pas rastin të luaj në disa shfaqje të ndryshme dhe filma të metrazhit të shkurtër dhe të gjatë. Shfaqja ime e parë profesionale ka qenë “Vdekja Troket” në Teatrin Dodona, me Ag Apollonin. Kurse përvoja ime e parë në televizion ka qenë si studente e vitit të parë dhe të dytë në serialin televiziv “Cimerat”. Pastaj disa nga shfaqjet në të cilat kam luajtur më vonë janë, “Mësuesi” nga E. Jonesco me regji të Adonis Filipit, “Mos e frikëso aktoren, mbyte!” në Teatrin Dodona, “Fundi i Lojës”, nga S. Beckett në Teatrin e Gjilanit. Shfaqje për fëmijë “Mbreti Gjumash”, “Këmbët Leshatuke”, “Zhozefinë, Napoleoni vdiq”, “N’terr po, n’dritë, jo”, ,,Kumbulla Amerikane’’ në Teatrin e Mitrovicës e së fundmi në shfaqjen ,,Gjashtë personazhe kërkojnë autorin” në Teatrin Kombëtar të Kosovës. Kam qenë e angazhuar në filmin e metrazhit të gjatë “Besa”, pastaj filmat e shkurtë “Rrota”, “Aksidenti”, “Gjumashi”, “Luludja”, filmin për fëmijë “Lepuri Reporter”. Nisur nga kjo mund të them që deri diku ja kam arritur qëllimeve të mia, gjithmonë nisur nga mundësitë në të cilat arti dhe kultura ballafaqohet në Kosovë. Gjithsesi në art nuk ka ndonjë pikë kufizimi se deri ku mund të shkosh, por unë jam duke e dhënë maksimumin nga vetja në këtë drejtim. Tribuna : Në shfaqjen ‘’Kumbulla amerikane’’, regjinë e së cilës e ka bërë Kreshnike Osmani, keni pasur një rol mjaftë kompleks. A mund të na tregosh më shumë rreth këtij roli që u është dhënë ?
Valmira Hoti : Po, në këtë shfaqje me tekst të Arian Krasniqit dhe regji nga Kreshnike Osmani, unë e luaj rolin e Nuses. Qysh në leximin e parë teksti më ka bërë për vete. E gjithë ngjarja zhvillohet në shtëpinë-odën e kryefamiljarit (Rrustës), djali i të cilit është vrarë në pritë për gjakmarrje. Gjakmarrja pra, është tema kryesore e kësaj shfaqje. Nusja, të cilën unë e luaj në këtë shfaqje e ka humbur burrin e saj për gjak. Ajo si e thotë rendi e kanuni, nuk e ka të drejtën e dialogimit kur vjen puna tek pleqnimi i punëve sipas kanunit. Ajo, në këtë dramë kanunore ka disa monologë me anë të të cilëve tregon dhe e shpreh gjithë mllefin e saj për humbjen e burrit, brengën për fatin që do t’i vendoset ose do ta ketë, sepse për më tepër Nusja është shtatzënë dhe deri në fund të shfaqjes ajo ka frikë se mund të lind djalë, dhe me këtë rast gjakmarrja në këtë familje do të vazhdojë. Në shfaqje trajtohet një pjesë e Kanunit “Dreka e Mortit”, ku siç dihet gjakësi e ka për obligim të shkojë në drekë. Nusja në këtë rast në shfaqje ballafaqohet edhe me gjakësin, por nuk dialogun. Në fund të shfaqjes ajo lind një vajzë dhe është shumë e lumtur se gjakmarrja përfundon aty. Gjatë gjithë shfaqjes, ky personazh, me shumë vështirësi shpërfaqë ndjenjat e ndrydhura të një gruaje shqiptare e gjykuar sipas Kanunit.
Tribuna :Sa është e vështirë të jesh aktore në një vend si Kosova? Cilat janë sfidat që përballen në përgjithësi aktorët në vendin tonë?
Valmira Hoti : Mendoj se në rrethanat ku ndodhemi tani, është tepër e vështirë si për një femër ashtu edhe për një mashkull të bëjë punën e aktorit, gjithmonë duke e pas parasysh se në Kosovë bëhen shumë pak filma e shfaqje. Sidomos kur mendon të jetosh nga ky profesion duhesh ta përgatisësh veten që do të ballafaqohesh edhe me” kriza të herëpashershme financiare”, hahaha. Kosova është një vend shumë i vogël për ëndrra të mëdha. Por, ambicia dhe vullneti është ai që e mban të gjallë dëshirën e çdo artisti për të mos u dorëzuar deri në sakrificë.
Tribuna : Aktualisht jeni pjesë e shfaqjes, e cila po jepet në Teatrin Kombëtar të Kosovës, si po ndiheni në rolin e ri dhe sa po e gjeni vetën në këtë rol?
Valmira Hoti : Po, shfaqja e fundit që kam luajtur dhe reprizat e së cilës vazhdojnë të jepen në Teatrin Kombëtar është “Gjashtë personazhe kërkojnë autorin” nga Pirandelo, me regji të Orhan Kërkezit. Në këtë shfaqje unë luaj pjesët koreografike, ku kam pas një bashkëpunim shumë të mirë me balerinën Behie Murtezi, e cila ka qenë koreografja e shfaqjes. Gjithashtu edhe me kolegët kemi pas një bashkëpunim shumë të mirë mes vete dhe një energji mjaft pozitive. Kjo shfaqje do vazhdojë të qëndrojë në repertorin e Teatrit Kombëtar të Kosovës.
Tribuna : Cilat janë synimet dhe ambiciet tua në të ardhmen në fushën e aktrimit?
Valmira Hoti : Aktualisht po vazhdoj me reprizat në Teatrin Kombëtar në premierën më të re që është dhënë, atë ‘’Gjashtë personazhe kërkojnë autorin’’ dhe në Teatrin e Gjilanit me shfaqjen ,,Fundi i Lojës’’, shfaqje këto që duan përkushtim dhe punë pavarësisht që rolet në të cilat shfaqje i kam, kanë fjetur shumë në mua. Gjithsesi sikur çdo aktor tjetër jam në pritje për ndonjë rol të ri apo të angazhohem në ndonjë projekt artistik. Gjithmonë mirëpres ftesat kur bëhet fjalë për profesionin të cilin e kam zgjedhur dhe që besoj kam lindur për të. Besoj që në të ardhmen do të hapen dhe mundësi të reja në Kosovë, në mënyrë që jo vetëm unë, por të gjithë kolegët dhe artistët kosovarë të mund ta shprehim talentin dhe dashurinë që kemi ndaj fushës së artit.















