Samiti i Berlinit i thirrur nga gruaja e çeliktë, kancelaria Angela Merkel, nxori në pah një qasje të re të Bashkimit Evropian ndaj procesit të zgjerimit dhe thellimit me vendet e Ballkanit Perëndimor.
Pas më shumë se dy dekadave, liderishipi evropian përherë të parë ka vizion të qartë dhe të fuqishëm për integrimin e vendeve të rajonit në familjen evropiane, si interes politik, ekonomik dhe gjeostrategjik i Evropës.
Jo rastësisht, Samiti i Berlinit kishte për qëllim nxirjen e bashkëpunimit ekonomik rajonal dhe rinovimin e angazhimi të BE-së për Ballkanin Perëndimor, i cili edhe pas një periudhe të gjatë trancizioni akoma përballet me probleme të shumta, të brendshme dhe ta jashtme.
Sot Ballkani Perëndimor ballafaqohet me shumë bomba të kurdisura sociale, ekonomike, ndëretnike, të ekstremizmit fetar, të cilat mund të rrënojnë perspektivën e tij për anëtarësim në strukturat euroatlantike.
Ndërsa, BE-ja e ka të qartë se është momenti i fundit për ta deminuar këtë rajon, dhe për të menaxhuar me kujdes procesin e zgjerimit, duke avancuar paqen, stabilitetin, prosperitetin, demokracinë, të drejtat e njeriut si dhe rregullat e ligjit tej përtej Evropës.
Interesimi i tille rezulton nga fakti se Bashkimi Evropian konsideron se do të përfitoj duke pasur fqinjë të cilët kanë demokraci stabile, treg dhe një ekonomi të begatshme.
Dhe për këtë fakt nuk mund të mohohet edhe kontributi i kryeministrit shqiptar, Edi Rama, i cili gjatë vizitave të tij në Londër, Berlin e Paris, alarmoi lidershipin evropian, se rajoni ynë ka nevojë për pjesë të vogla hekurudhash, pjesë të vogla autostradash, pjesë të vogla linjash interkonjeksioni për energjinë, si dhe investime tjera, për tu bërë rajone të zhvilluara, e të cilat nuk mund të arrihen pa u financuar nga fondet strukturore të Bashkimit Evropian.
Ndryshe, ky rajon në mungesë të mjeteve, buxhetit, resurseve njerëzore mund të shkojë në humnerë dhe ta humb timonin, për ta gabuar mëpastaj rrugën dhe destinacionin drejtë Brukselit dhe qendrave tjera evropiane.
Në këtë situatë, do të jetë fare e lehtë që ky rajon të bie në kontrollin apo agjendën e Turqisë apo Rusisë, me dëshirë apo agresion.
Evropa është vetëdijshme për këto tentativa dhe sikur është këndellur nga invazioni i Rusisë në Ukrainë.
Kam përshtypjen se pushtimi i disa rajoneve të Ukrainës nga Rusia do ta bëjnë si asnjëherë më të fuqishëm Bashkimit Evropian. Përfundimisht do të rrëzohen idetë e euroskeptikëve të cilët ka një kohë e planifikojnë dhe konstruktojnë shpërbërjen e Bashkimit Evropian.
Të paramendojmë sikur 10 vite më parë të mos ndodhte Big Bang-u i njohur me anëtarësimin e 10 shteteve nga ish- blloku sovjetik dhe në vitin 2007, anëtarësimi i Rumanisë dhe Bullgarisë.
Shtetet e lartpërmendura, pa një mbrojtje dhe siguri kolektive shumë lehtë mund të binin në karremin e Rusisë, duke përjetuar fatin e njëjtë të Krimes dhe rajoneve tjera të Ukrainës, ose në këtë kundërtën do të përshkallëzohej një konflikt i përmasave botërore mes perëndimit dhe lindjes.
Anëtarësimi i shteteve të lartpërmendura ato kohë u bërë përmes vendimeve politike të Bashkimit Evropian dhe jo duke u bazuar në parimet dhe standardet evropiane.
Kjo ishte një strategji e guximshme nga ana e Bashkimit Evropian dhe e njëjta duhet të ndodhë edhe me vendet e Ballkanit, por kësaj radhe me një përkujdesje më të madhe duke shtuar fondet dhe investimet në këtë rajon, i cili historikisht kanë pjesë e Evropës.















