Xhabir AHMETI
Kush jemi ne, të gjithë ne që jetojmë këtu? Natyrisht ne jemi populli. Ne jemi njerëzit e thjeshtë që kalojnë jetën në luftë për koren e bukës. Ne jemi ata të cilët nuk kanë shpresë se dikush mund të na e shtrijë dorën e ndihmës kur të gjendemi në ngushticë. Ne jemi ata të cilët nuk jemi të vetëdijshëm se kemi forcë të madhe të cilën e pret vendi kur ka nevojë të dalë nga ndonjë krizë. Ne jemi ata që e kemi në dorë vulën e pozitës dhe të opozitës. Ne jemi ata prej të cilëve gjithmonë politika kërkon mbështetje. Ne jemi ata të cilëve nuk u kthehet kjo mbështetje me kurrfarë mirënjohjeje. Ne jemi alfa e omega e demokracisë. Ne jemi kuptimi i lirisë. Ne jemi shpresa. Ne jemi perspektiva. Ne jemi ata që jemi shkak dhe arsye pse dikush është ministër, dikush kryetar i partive të pozitës e dikush tjetër kryetar i opozitës. Ne jemi ata që kacafytemi me kriza, me tranzicione, me piramida. Ne jemi ata që e mbajmë mbi shpatulla barrën e problemeve ekonomike të vendit. Ne jemi ata që nga mëngjesi herët na shihni në ara duke mbjellë drithë, duke u kujdesur për fushën e për malin. Ne jemi ata që e shpërndajmë bukën nëpër dyqane dhe shkojmë e blejmë me çetele. Ne jemi ata që kemi mundësuar disa veta të këtij vendi të bëhen multimilionerë duke i dhënë lekët e fundit për miellin e pasigurt që na e shesin, për barnat e shtrenjta të cilat nuk i kanë të gjitha substancat e nevojshme, për këpucët e tekstilin kinez. Ne jemi ata që i mbushim shkollat me nxënës, çerdhet me fëmijë, autobusët me udhëtarë, dyqanet e mëdha me myshterinj. Ne jemi ata që bankat e ndryshme i mbushim me kursimet e fituara me çmimin e lëkurës sonë dhe prej bankave marrim kredi të cilat pastaj na marrin kamata marramendëse ose më mirë të themi na i thithin me gojë ushunjëzash paratë e fituara me djersë e gjak. Nëpër ne kalojnë epidemitë. Pasiguria. Pesha e frikës. Shtëpitë tona rrezikohen nga vërshimet, nga stuhitë, nga fatkeqësitë elementare. Fëmijët tanë shkojnë ushtarë për pak para e nuk kanë mundësi të shkojnë në studime në Harvard e në Kembrixh. Ne jemi ata që me strajcën mbi kokë futemi në thellësitë e tokës për të nxjerrë metale së andejmi për veturat e shtrenjta, për aeroplanët e luftës, për anijet, për makinat e shtrenjta të amvisërisë. Ne jemi ata që i mbajmë hallet e kësaj bote dhe që i paguajmë planet e mujsharëve me sakrifikimin e rinisë sonë. Ne jemi ata që pajtohemi të kemi rroga që nuk e sigurojnë as koren e bukës. Ne jemi ata që i mbajmë fëmijët tanë me pensionet minimale. Ne jemi ata prej të cilëve të gjithë presin. Ne jemi ata që na quajnë “turma pa tru”. Ne jemi ata që i harrojmë aferat, skandalet, korrupsionet e papara. Ne jemi ata që i durojmë fyerjet e shpeshta nga foltoret e partive politike. Ne jemi ata që jetojmë nëpër lagjet e mjerimit mu në qendër të qytetit, që jetojmë në terr të rrethuar nga dritat e forta në të cilat lahen përmendoret e shumta. Ne jemi populli. Po ju?















