Lidhur me vizitën e pritshme të kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, në Beograd, Senatori amerikan Christopher Murphy, në një intervistë përZërin e Amerikës, ka thënë se ka shpresë se të dy udhëheqësit do të shtrëngojnë duart me njëri tjetrin dhe do ta bëjnë të qartë se vetëm një incident dhe huliganizmi në një ndeshje futbolli nuk mund të pengojë procesin e gjatë të pajtimit mes fqinjëve.
“Unë e di se kryeministri po e pret me padurim këtë vizitë. Pata mundësinë të takojë dhe kryeministrin Vucic. Dhe di se dhe ai e priste me padurim atë. Ka shumë më tepër për t’u bërë për marrëdhëniet e fqinjësisë në këtë rajon. Nuk mund të vish në Ballkanin perëndimor dhe të mos vesh re nevojën për bashkëpunim rajonal, për të ndërtuar ekonomi të forta dhe për të përmirësuar infrastrukturën”, ka thënë ai.
Murphy ka shtuar se do t’ua lë kryeministrave Rama dhe Vucic të vlerësojnë detajet e këtij takimi.
“Por ky është një moment i rëndësishëm, veçanërisht i rëndësishëm, për të dy udhëheqësit. Në rastin e një incidenti të tillë, udhëheqësit politik dhe njerëzit e thjeshtë duhet të ulen së bashku dhe diskutojnë, të zgjidhin mosmarrëveshjet përmes komunikimit, dhe jo me provokime dhe dhunë. Simbolizimi i këtij takimi tani është më i rëndësishëm se kurrë”, ka thënë Murphy.















