Në studion e emisionit “Jamais Vu” këtë të shtunë, përballë gazetarit Mustafa Nano ishte Mimi Kodheli.
Do të jeni kandidate për bashkinë e Tiranës? Kjo ishte pyetja e beftë që moderatori i emisionit i bëri ministres së Mbrojtjes. Por mori si përgjigje një “Jo” të plotë. “Mendoj se unë kam qenë pjesë e Bashkisë së Tiranës në një kohë ndryshimi e cilat tashmë ka hyrë në histori. Them se e kam bërë pjesën time, e kam dhënë kontributin për qytetin tim, atë qytet ku kam lindur dhe jam formuar. Tanimë kam në dorë dhe jam duke menaxhuar një nga portofolet më të rëndësishme të qeverisë. Kam bërë një betim dhe reformat që kam ndërmarrë do t’i çoj deri në fund.
Para disa javësh, një deklaratë të ngjashme bëri Saimir Tahiri tek emisioni “Opinion” i Blendi Fevziut. Ndërsa më parë, Edi Rama përjashtoi kategorikisht Erion Veliajn nga kandidimi për bashkinë e Tiranës.
Ndërkohë, Monika Kryemadhi mbetet e vetmja kanidate e deklaruar jozyrtarisht për këtë bashki. Një faqe e hapur para disa javësh në FaceBook titullohet “Monika Kryemadhi per Bashkine e Tiranes”. Në këtë faqe komentojnë përditë përkrahës të saj, duke shpresuar se ajo do të jetë kryebashkiakja e ardhshme e Tiranës.
















