Kryekuvendari Ilir Meta i tha homologut Isa Mustafa se ka bindjen për forcimin e bashkëpunimit ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës
Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta dhe kryetari i Partisë Demokratike opozitare, njëherit kryebashkiak i Tiranës, Lulzim Basha uruan Isa Mustafën për zgjedhjen në krye të Kuvendit të Kosovës.
Kryekuvendari Meta në një bisedë telefonike i tha zotit Mustafa se ka bindjen për forcimin e bashkëpunimit ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës.
“Do të thellojmë më tej bashkëpunimin e të dy Kuvendeve”-tha zoti Meta, pasi uroi për marrjen e detyrës kryetarin e ri Mustafa, drejtues njëherit i Lidhjes Demokratike të Kosovës.
Gjithashtu urimet ia përcolli kryeopozitari Lulzim Basha, sipas të cilit “ligjvënësit kosovare nën drejtimin e zotit Isa Mustafa do të arrijnë të orientojnë drejt rrugët e zgjidhjes së çështjeve që u shërbejnë interesave të të gjithë qytetarëve të Kosovës për zhvillim ekonomik, punësim dhe mirëqenie për konsolidimin e demokracisë dhe integrimin europian dhe euroatlantik””.
Zoti Basha beson se me “urtësinë” dhe ,me “përvojën” e tij kryekuvendari Mustafa “do të arrijë t’i japë një dimension të ri parlamentarizmit në Kosovë duke vijuar në rrugën e progresit dhe zhvillimit”.
Tri ditë më parë Basha dhe Mustafa u takuan pasdreke në Tiranë duke theksuar gatishmërinë për bashkëpunimin Shqipëri-Kosovë dhe ndërmjet PD-së dhe LDK-së.
Urimet e radhës rreth pasdrekes ia dha zotit Mustafa edhe Partia për Drejtësi, Integrim dhe Unitet e njohur si “Partia e Çamëve”, shqiptarë etnikë të krahinës jugore të Shqipërisë, Çamërisë që iu dha Greqisë nga Konferenca e Londrës në vitin 1913.