ABDYLMENAF BEXHETI
Samiti i Berlinit dhe ai i Uellsit nxorën në sipërfaqe shpresat për një “shans të radhës”, që u paraqitet shqiptarëve ne kontekst pak më të gjerë se në kufijtë tonë administrativo-politik. Kur kësaj t’i shtohet edhe vizita e Papa Françeskut në Tiranë dhe porositë e tij, me të drejtë mund të na duket se “një yll i veçantë po ndriçon për ne”. Por, “qielli ka vend dhe nevojë për më shumë yje”, ka thënë i madhi Petro Marko. Padyshim kjo meriton një analizë pak më të thellë dhe më komplekse, por ne në këtë shtjellim do të fokusohem më shumë në çështjet dhe perspektivat ekonomike si rezultat i kësaj gjeopolitike.
Euforia jonë kombëtare për statusin e kryeministrit shqiptar në Samitin e Berlinit dhe, më pas, si zëdhënës dhe koordinator i regjionit në ndërveprim regjional, duhet menaxhuar me shumë kujdes për të mos na “rënë lakmia në kokë”, sepse bota nuk rrotullohet rreth nesh. Vendet e vogla bien në ngjarje të mëdha. Gjeostrategjia është “hartë e lëvizshme”. “Me mëndje në kokë dhe këmbë në tokë”, thonë të parët tanë, posaçërisht në situata euforie. Në krejt këtë kontekst nuk duhet harruar dy pikat më nevralgjike gjeostrategjike, atë të konfliktit ruso-ukrainas, në njërën anë, dhe të ISIS-it, në anën tjetër. Këto regjione, jo vetëm për nga pesha ekonomike, janë krejtësisht më specifike se Ballkani, por edhe për nga pesha e dominimit gjeostrategjik janë prej prioriteteve më të larta globale. Me shumë kujdes po luan figurat “Karpovi politik” i Lindjes (Putini), ashtu siç NATO dhe Perëndimi duhet “të ecin në tel” drejt një epilogu pa humbës dhe fitues. Kjo duhet të përfundojë me një alkimi politike si zgjidhje “win-win” nga të dyja boshtet, së paku në plan afatmesëm! Në këtë drejtim, ne si shqiptarë, krahasuar me tjerët, kemi një përparësi – s’kemi hamendje kah t’ia mbajmë. Perëndimi (BE-ja dhe SHBA-të) janë përcaktimet tona të palëkundshme. Të mos e nënçmojmë sikletin e tjerëve, posaçërisht sllavëve (serbët, maqedonasit, malazezët), por pse jo edhe të grekëve! Ata kanë hamendje të mëdha dhe duhet “t’i mirëkuptojmë”! Me shumë ndikim është Rusia tek ata dhe, në kontekst kohor, ata do të mundohen ta faktorizojnë maksimalisht këtë, posaçërisht nga ana e Serbisë në raport me eurointegrimet dhe marrëveshjen me Kosovën. Kohëve të fundit kjo dukshëm u vërejt nga boshti politik “Beograd-Shkup”.
Samiti i Berlinit për shumëçka kishte një rëndësi të veçantë për ne. Nga simbolika e përcaktimit të kryeministrit Rama në atë rol, padyshim të merituar edhe personalisht, por si shqiptarë sërish na vënë në një pozitë që t’i dëshmojmë vlerat tona evropiane. Zaten ne kemi vlera të veçanta që duhet “t’ia eksportojmë” Evropës dhe Perëndimit si kompensim për këtë pozitë. Krahas historisë sonë ilire, krah për krah me të tjerët, ne mund t’i shërbejmë Evropës si model i bashkëjetesës me aq tolerancë fetare dhe, pse jo, edhe etnike, pikërisht në momentet më kritike të saj. Shumica absolute e qytetarëve jo vetëm nga Shqipëria, por edhe Kosova, Maqedonia, Lugina e Preshevës, Mali i Zi,…janë shembuj më pozitivë se si solidarizohen me luftën e institucioneve ndaj çfarëdo ekstremizmi irracional, bile edhe fetar. A mund të gjendet edhe një komunitet tjetër në Ballkan, por edhe në Europë, bile aq më pak me histori si tonën, që me kaq indiferencë do t’i përjetojë të gjitha këto hetime, ndjekje të grupeve dhe burgosje të individëve, që, shpeshherë të manipuluar dhe të pavetëdijshëm, paraqesin rrezik për njerëzimin, vetëm pse janë të tjetër feje ose sekti fetar. Këto vlera duhet “të faturohen” përpjesëtimisht me vlerën aktuale të “tregut” gjeopolitikë. Aq më tepër kur dihet si dhe nga kush lindi ISIS-i – fillimisht kryengritësit sirianë ishin më të përkrahur nga Perëndimi për ta luftuar regjimin e Bashar Al Asadit dhe sapo plasi kriza ruso-ukrainase, ata u lanë në vetmi, kurse sot janë përçarë dhe një pjesë janë “konvertuar” në armiq të përbetuar të Perëndimit. Shërbimet sekrete në regjionet tona, me instrumentet e fuqishme materiale, gjithmonë do të gjejnë individë në nevojë, që t’i instrumentalizojnë për qëllime propagande dhe diskreditimi të kundërshtarit politik, por në erën e teknologjisë së sotme komunikative mund të identifikohen dhe dëshmohen lehtë këto lëvizje.
Ballkani, si regjion, në kompleksitetin e vet ka “fituar” shumë definicione dhe karakteristika vlerësimi, varësisht nga perspektiva e qasjes. Nga perspektiva negative historike, njihet si regjion i shumë luftërave dhe shkaktar i dy luftërave më të mëdha botërore. Në këtë kontekst shumëkush e definon si regjion të gërshetimit të kulturave të ndryshme, që më shumë gjenerojnë konflikte se vlera diversifikuese. Në kontekstin pozitiv kulturor, Ballkani mund të definohet si “një buqetë lulesh me ngjyra të ndryshme, edhe pse mes tyre ka edhe aso me shumë gjemba”! Në kontekstin ekonomik, Ballkani më mirë definohet më shumë si një gjeografi e padrejtë nacionale (shtetërore), por akoma me tregje jofunksionale!
Përvojat tona në komunikim me shumë investitorë potencialë dëshmojnë për atraktivitetin e ulët të këtyre tregjeve, gjë që është e dukshme edhe nga statistikat ekonomike të sektorëve të jashtëm të të gjitha vendeve. Pra, niveli i bashkëpunimit dhe bashkëveprimit ndërshtetëror në regjion është relativisht i ulët dhe kjo paraqet referencë negative për investitorët jashtë Ballkanit. Avantazhet krahasimore të këtij tregu duhet të promovohen si treg me potencial në rritje, akoma me kosto oportune efiçiente, me shumë diasporë ekonomike dhe dije potenciale për t’i konvertuar mangësitë në përparësi të konsiderueshme, me potenciale të mira në pasuri natyrore të pautilizuara sa duhet (xehe, minerale, energji, ujë, turizëm, klimë,…), si edhe me kahe dhe trend drejt tregut të përbashkët të BE-së. Këto edhe janë arsyet pse ndër pikat kryesore të Deklaratës së Berlinit ishte bashkëpunimi ekonomik i bazuar në rritjen e tregtisë dhe investimeve regjionale, me qëllim të ekuilibrimit të bilanceve tregtare dhe kapitale të vendeve në regjion. Për këtë është parashikuar edhe një konferencë e veçantë nga Këshilli i Bashkëpunimit Regjional në këtë vjeshtë në Mal të Zi. Transporti dhe energjia janë nënvizuar si potenciale dhe nevoja të posaçme, ku duhet të fokusohen të gjitha shtetet e regjionit me qëllim të harmonizimit të dinamikës së rindërtimit dhe reduktimin e “fyteve të ngushta” në këto sektorë, që shumë herë i kemi elaboruar edhe më herët. Arsimi dhe investimet në këtë sektor mbase do të paraqesin “thembrën e Akilit” të këtij procesi.
Gjermania në këtë proces vetëpërcaktohet si “sponsor” dhe bartës kryesor i këtyre koordinimeve edhe përmes fondeve bilaterale, por edhe atyre evropiane, të njohura si fonde për asistenca paraaderimit – IPA. Zotimi i Gjermanisë dhe vetë autoriteti i zonjës më të fuqishme të botës (Merkel) është një shans i papërsëritshëm për gjithë regjionin. Mentaliteti i prerë gjerman mund të na ndihmojë ta reformojmë edhe kodin tonë mental. Nëse një ligj e ndryshoni për ca muaj, një sistem ekonomik mund ta ndërtoni për ca vite, por ju duhen disa dekada të ndryshoni sistemin e vlerave dhe kodin e mendimit. Në këtë kontekst, kur një gjerman thotë “jo”, ajo mbetet e tillë dhe nuk e luan as topi! Kur thotë “ndoshta”, mbi 90% është “po”, por kur thotë “po”, kjo s’ka hamendje që bëhet. Kur një ballkanas thotë “jo”, me shumë pak “stimulim” mund të bëhet “po”! Kur thotë “ndoshta”, kurrqysh nuk bëhet dhe kur thotë “po”, me shumë pak arsye e kthen në “jo”! Këto janë dallime të mëdha në gjykim dhe veprim. Ne nuk jemi të vetëdijshëm se sa mund të përfitojmë nga “po”-ja gjermane, por duhet t’u “rrimë karshi” detyrimeve të marra. Roli i kryeministrit Rama si koordinator i regjionit do të jetë i vështirë, por jam i bindur se ai e di këtë më mirë se gjithkush. Në takimin e tij të parë (diku ne pranverën e hershme) me kancelaren Merkel ai mori vëmendjen e saj shumë më shumë se që kishte planifikuar protokolli për këtë takim. Kjo më shumë si rezultat i të menduarit ndryshe (disi “jashtë kornizës” së politikanit ballkanik). Prandaj ai po përpilon një agjendë veprimi jotipike për Ballkanin – nga vizita e Beogradit e deri te kërkesat paekuivoke ndaj Maqedonisë, bile edhe me kërcënim për sanksionim në rast të mospërmbushjes. Duket se ka nisur me fjalorin dhe stilin gjerman. Prandaj meriton urime dhe përgëzime! Pa çka se e ka frustruar deri në atë masë klasën politike të qeverisë Maqedoninë, ku mediat përpiqen t’i nxjerrin nga konteksti këto paralajmërime të Ramës si “muskuj” të një “artisti” që bën politikë, duke u “përzier në punët e brendshme” të tyre. Fraza tipike komuniste, edhe pse VMRO-iste! Ata harrojnë se Shqipëria e sotme nuk është ajo e ‘97-ës dhe po ashtu jo edhe Maqedonia! Ka ndryshuar koha, por më shumë edhe hapësirat! Ata e kanë shumë gabim që forcën e “muskujve të Ramës” duan ta matin me ato të muskujve të “integristëve”, që i kanë kapur në qeverisje dhe u kërcënohen si babai një fëmije për mosblerje të një lodre nëse nuk rrinë urtë siç kërkon ai!
Përderisa shqiptaria po “Rilindet”, ekonomia do të Maqedonisë do vazhdojë të lëngojë edhe pas samitit të NATO-s në Uells! Pasiguria politike dhe izolimi ndërkombëtar, në planin ekonomik i kushton vendit jo vetëm në koston oportune, por edhe në “uljen e pazarit” për kompensim të investimeve të refuzuara! Gjithkush që vendos të investojë në Maqedoni, duhet të përfitojë beneficione marramendëse, jo vetëm në aspektin infrastrukturor, por edhe në atë monetar. Subvencionet, si kosto që u jepen për “t’i kajdisur” për këtë adresë, janë kosto neto shumë më e lartë se përfitimet eventuale që i realizon vendi. Ditën e “dështimit” të pritur të këtij samiti për Maqedoninë vetë kryeministri duhej “ta mbulonte” duke e defokusuar vëmendjen me paralajmërimet shpresuese për “tri kompani” virtuale (amerikane dhe turke), që kanë vendosur të investojnë dhe hapin qindra vende pune në vend! Edhe pse shumë pak njerëz e kuptojnë këtë realitet, shumëkush për ditë e më shumë e ndjen këtë “rilindje” ekonomike të paralajmëruar tash e një dekadë. S’ka mbetur gjë tjetër, përveç vazhdimit të “fragmentimit zonal” të vendit – krahas zonave ekonomiko-industriale edhe ato shëndetësore, por edhe financiare! Këto të fundit janë alkimia dhe invencioni kreativ i kësaj qeverisjeje. Amendamentet e Kushtetutës janë “gatuar” për këtë produkt, edhe pse akoma s’ka as shpjegime bazike konceptuale nga kompetentët se si modelohen dhe parashihen zonat financiare.
Në këtë eklips informacionesh gjithsecili paragjykon në dioptrinë e tij – që nga ato të karakterit “of shor” oaza, e deri te ato “sisteme paralele”, që do ishte një konfuzion dhe pasiguri në sektorin më stabil (bankar) në dy dekadat e fundit. Ka edhe të atillë që mendojnë se ata do të jenë “makina shpëlarëse” për kapitalin vendor të derdhur jashtë dhe nuk janë për t’i nënçmuar (ish ministra finance, ish guvernatorë…). Ndërkohë që as vetë guvernatori aktual nuk e ka idenë konkrete se çfarë modeli do të krijohet me zonat financiare (së paku në debat publik nuk e shpjegoi atë). Për “befasi” ai e shpjegon si platformë financiare, që destinohet për tregun financiar ndërkombëtar! Edhe sikur të arrijë të thithë kapital financiar, ku do ta plasojë. Si pasojë, shtrohet dilema kujt i shërben kjo zonë e kësaj platforme? Kjo është errësirë e patolerueshme në këtë iniciativë sistemore dhe kapitale, bile edhe në kohën kur tashmë kanë kaluar draft amandamentet e kushtetutës!
Elita qeverisëse po bëhet e shurdhër ndaj thirrjeve dhe komunikatave të Berlinit, Uellsit dhe, së fundi, të asaj të Beneluksit. Radhën e ka raporti i “progresit” të tetorit nga Brukseli! Do të thonë: “Po çka se…. neve vazhdon të na dojë populli!”















