Jeni Myftari
Referendumi i datës 23 qershor 2016, i cili rezultoi me 52% të votave pro ndarjes së Mbretërisë së Bashkuar nga Bashkimi Evropian, tregoi edhe një herë dështimin e politikës së brendëshme Britanike.
Edhe pse dukej qartazi, nga pozicionimi i kryeministrit David Cameron, se shteti ishte pro qëndrimit në BE, prapë drejtuesit e fushatës elektorale nuk arritën të jenë bindës dhe as të bëjnë një analizë të plotë politike dhe ekonomike për të qartësuar masën e popullit mbi të mirat dhe dobësitë e qëndrimit në BE.
Mbase gabimi kryesor i kësaj fushate qëndron tek vënia në krye të kampit për qëndrim, e kryeministrit David Cameron, i cili e ka provuar edhe më parë se nuk është bindës në fushatat e tij elektorale, siç ndodhi me fushatën për zgjedhjen e Kryebashkiakut të ri të Londrës një muaj më parë.
Ndërkohë Sadik Khan, kryebashkiaku i sapo emëruar i Londrës dhe krahu i djathtë i Cameron në këtë fushatë, ishte akoma në fillimet e detyrës së tij dhe akoma nuk kishte provuar veten në praktikë se sa i suksesshëm do të jetë në detyrë.
Megjithatë, duket se Khan, si individ, e fitoi edhe këtë fushatë të dytë pasi 27 nga 32 minibashkitë e Londrës votuan pro qëndrimit në BE. Mbase Khan do të kishte bërë mirë ti mësonte Cameron artin e fitimit të një fushate elektrale/referendumi.
Dështimi nuk duket vetëm në faktin së MB votoi pro shkëputjes së vendit nga BE por duket qartë në paaftësinë e qeverisë për të treguar në mënyrë konkrete pasojat ekonomike dhe politike që do të vinin nga kjo shkëputje, dhe në paaftësinë për të përgatitur një plan B në rastin e shkëputjes. Tashmë është e qartë se si drejtuesit e MB ashtu edhe ata të BE nuk ishin përgatitur që rezultatet e referendumit të ishin për daljen nga Unioni Evropian.
Në të njëjtën kohë, fushata pro qëndrimit, u përqëndrua më së shumti në atë se çfarë do të fitonte Londra nga bilionat e Evropës për pastrimin e ndotjes së ajrit, por pak u bënë përpjekje për të bërë një analizë të plotë ekonomike në shkallë vendi. Edhe nëse u bë një gjë e tillë, ajo nuk ishtë veçse një pikë më shumë në një fushatë të keqmenaxhuar.
Veç kësaj fushata qe një luftë e ky kampeve opozitare të cilët nxituan të japin secili argumentat e veta, por pak u thelluan në analizën e argumentave të oponentit.
Është me interes të dihet se sa e studiuar ishte nga qeveria, deklarata e krahut për daljen nga BE, për ti dhënë Shërbimit Kombëtar Shëndetësor (NHS) £350 milion paund në javë, shumë e cila i shkonte BE. Kjo deklaratë ishte një nga pikat më të forta që nxiti shumë individë të të gjithë grupmoshave të votojnë për daljen nga BE. Por nuk do të kalonin veçse disa orë nga referendumi që të kuptohej se ky premtim ishte jo vetëm një përllogaritje e gabuar por një flluckë sapuni që plasi në duar. Vetëm në ditën e parë të daljes së Britanisë nga unioni, tregu botëror u godit me një humbje prej 2.8 trilion dollarë, paundi u zhvleftësua me 7% natën e parë e ndjekur nga një ulje prej 2.7% në ditët në vazhdim. Kush përgjigjet për këtë humbje??? Sa përgjegjësi mbajnë drejtuesit e fushatave pro dhe kundër në këtë rast dhe a mjafton pranimi publik i gabimit të tyre për të ndryshuar fatin e 65 milion banorëve të vendit dhe për t’i kthyer vendit humbjet e pësuara?
Nga e gjitha kjo duket qartë se vendi po përballet me probleme serioze në politikën e brendëshme dhe të jashtme. E gjithë lëvizja për referendumin filloi si një lëvizje për të mbyllur kufinjtë ndaj dyndjeve të emigrantëve që vinin nga zonat në konflikt, por nuk u analizuan ashtu siç duhet humbjet ekonomike në para dhe vende pune, që do të kishte vendi nga kjo shkëputje. Dëmi ekonomik i shkaktuar nga shkëputja, i ka kushtuar Britanisë vetëm në natën e parë pas referendumit £100 bilion paund. Vetëm me këtë humbje, Britania mund të mbulonte shpenzimet financiare të emigrantëve për aq vite sa ata të bëheshin të aftë për t’iu bashkëngjitur tregut të punës.
Të penduar për gabimin e bërë britanikët po kërkojnë të gjejnë çfarëdo zgjidhje për të qëndruar në BE. Tashmë kokat e mbretërisë po kërkojnë të gjejnë ndonjë aneks të çfarëdo ligji që mund t’i japë MB mundësinë për të qëndruar në Unionin Evropian. Mbi 2 milion firma janë hedhur në një peticion për të kërkuar një rireferendum, por duket se shancet për këtë janë të pakta. Mbase ajo që është bërë nuk mund të zhbëhet më.
Megjithatë, Britania nuk është vendi i parë që e lë BE. Grenlanda, pjesë e Danimarkës, ka votuar për ta lënë BE më 1979 por faktikisht ka dalë nga BE vetëm më 1985.
Po kështu, ishujt Faroe, gjithashtu Daneze, nuk janë gjithashtu pjesë e BE-së siç është përcaktuar në Traktatet e Romës, por kjo nuk përbën ndonjë problem për Danimarkën.
A do të mbijetojë Britania, pas daljes së vendit nga BE?
Sigurisht do të mbijetojë, por ekonomia britanike do të vuajë konsekuenca të rënda pas shkëputjes nëse nuk merren masa të menjëherëshme për ta parandaluar këtë.
Megjithatë, ekonomia e qytetarëve të thjeshtë britanikë nuk e përballon dot këtë goditje të papritur. Dhe janë pikërisht këta qytëtarë që do të paguajnë faturat e bilionave të humbur deri tani dhe të atyre që do të humbasin në të ardhmen e afërt derisa të arrihet një marrëveshje për stabilitet ekonomik në përshtatje me situatën e re. Por sa do të jenë në gjendje të mbajnë mbi shpatulla qytetarët e thjeshtë, ata të cilët e sigurojnë jetesën duke u mbështetur në krahët dhe profesionin e tyre dhe të cilët për çdo vit të ri financiar përballen me ngritje të vazhdueshme të taksave dhe të çmimeve. Tashmë qytetarët duhet të përballen edhe më rritjet e reja si pasojë e bombës financiare mbi ekonominë e vendit, veçanërisht me rritjen e çmimeve në transport, petrol, energji etj.
Cilat janë konsekuencat që do të paguajë vendi nga largimi nga BE?
Nuk është akoma e qartë nëse Britania do të bëjë një shkëputje të menjëherëshme nga Unioni, apo kjo do të marrë një kohë të gjatë, mbase dhe vite, për të mos thnë se shkëputja mund të jetë vetëm fiktive dhe faktikisht mund të mos realizohet kurrë. Ose ajo mund të qëndrojë si anëtare me të drejta të kufizuara, duke përfituar nga tregu i lirë dhe përfitime të tjera nga marrëveshjet e ndryshme të bashkëpunimit, por mund të humbasë të drejtën e votimit si një vend me të drejta të kufizuara.
Megjithatë, në rast të një shkëputje të shpejtë, mundësi e humbjes ekonimike nga humbja e tregut të lirë është një nga pikat më të forta nga të cilat do të goditet ekonomia e vendit, nëse nuk merren masa për parandalimin e kësaj.
Përsa i përket lëvizjes së lirë të qytetarëve britanikë në BE, nuk besoj se kjo do të përbëjë ndonjë problem serioz, por sigurisht që nuk do të jetë më aq e lehtë të sigurosh një vend pune brenda unionit, pa aplikuar më parë për të drejtë punësimi.
Një tjetër problem, për britanikët e thjeshtë mund të jetë heqja e gjuhës angleze si gjuhë e BE. Kjo do t’i detyronte britanikët të përballen me domosdoshmërinë e mësimit të gjuhëve të huaja, gjë jo shumë e praktikueshme kjo nga masa britanike.
Megjithatë, nuk duhet nxituar në nxjerrjen e konkluzioneve. Duket pritur të qetësohen ujrat nga goditja e parë dhe të zbardhen hapat e ardhshme. Se si do të jetë e ardhmja dhe çfarë do të sjellë ajo, këtë do ta tregojë dëshira politike e bashkëpunimit ndërmjet BE dhe MB, për të përcaktuar mënyrën e vazhdimësisë së këtyre marrëdhënieve dhe fuqia financiare e gjithkujt që do të qëndrojë të mbrojë krahët e britanikëve.















