Një gjest naiv, shumë qesharak dhe tragji-komik. Kështu unë do ta quaj marrëveshjen mes Maqedonisë dhe Serbisë, për ambasada të përbashkëta nëpër vende të ndryshme të botës. Marrëveshja në të vërtetë nga Qeveria e Maqedonisë u shit si një provokim për shqiptarët dhe për perëndimin, botën demokratike. Gjoja se Maqedonia do të bashkohet me Serbinë për inat të evropianëve dhe amerikanëve, pasi nuk e pranojnë në NATO dhe BE.
Pse heshtin ndërkombëtarët? Sepse, edhe ata si unë qeshen, pasi edhe ata e dinë të vërtetën rreth përfundimit të kësaj marrëveshje, por edhe të vetë Maqedonisë dhe kësaj Qeverie, që udhëhiqet nga një kryeministër naiv si Nikolla Gruevski. Prandaj, as shqiptarët nuk kanë pse shqetësohen. Serbia nuk është aq naive sa Maqedonia dhe as politikanët e saj nuk janë si Gruevski dhe klishat e tij. Serbët para se gjithash, janë edhe të sprovuar nga historia me politikanë të këtillë. Ata, patën një Millosheviq që shkatëroi një Jugosllavi dhe mezi arritën ta shpëtojnë këtë Serbi që e kanë sot, andaj nuk do të lejojnë ta humbin edhe atë. Serbët u ulën në një tryezë edhe me atë që deri dje e quanin foshnje të tyre dhe disa herë e shihnin edhe si armik, shtetin e Kosovës.
Pse e bënë këtë?
Sepse, ata nuk janë maqedonas dhe as Gruevska. Serbët natë e ditë punojnë për reformim, demokratizim dhe për t’u bërë pjesë e Bashkimit Evropian, sado që këtë dëshirë mundohen ta kamuflojnë dhe ambalazhojnë ndonjëherë me folklorizma vetëm sa për mos t’i dhënë ndonjë shok psikik popullit të vet, të cilin e kishin helmuar më herët me nacionalizma. Serbia shumë më shpejtë, sesa Maqedonia, do të bëhet edhe anëtare e BE-së dhe më pas edhe e NATO-s dhe atëherë jo ambasada, por pikëpyetje nëse do të ketë edhe fqinjësi me Maqedoninë, e cila do të jetë ende në ëndëra dhe lojra fëmijësh. Maqedonia me një Qeveri si kjo dhe me një kryeministër si Nikolla Gruevski, do të mbetet këtu ku është, me një situatë shumë më të vështirë ekonomike, krizë politike dhe marrëdhënie të acaruara ndëretnike që do të jenë si një bombë të cilët megjithatë nuk do të lejojnë tëpëlcasë ndërkombëtarët dhe vetë shqiptarët.
Ëndërrat nacionaliste dhe shoviniste të Nikolla Gruevskit, do të marim fund një ditë kur ai do të zgjodhet dhe do ta sheh dëmin që ia ka bërë popullit dhe shtetit “të vet”. Do të zgjohet nga zhurma e protestuesve të uritur që nuk do të kenë as bukë e as ujë, të pa punë dhe të izoluar, përderisa i gjithë rajoni bashkë me shqiptarët do të jenë pjesë e Evropës demokratike dhe krah përkrah fuqive perëndimore në NATO.
Gruevski do të zgjohet nga gurët e popullit të vet, të cilët do ta gjuajnë kur do ta kuptojnë se edhe ai, si Millosheviqi dikur, nuk ka dëmtuar askend tjetër por vetë popullin e vet.
Cili do të jetë fati i Maqedonisë dhe a do të humbin shqiptarët apo maqedonasi?
Shqiptarët tanimë kanë dy shtete dhe duan të jenë “ortak” edhe në një shtet të tretë. Edhe do të jenë, por dilema e vetme mbetet nëse ortak i shqiptarëve në Maqedoni do të jetë kombi maqedonas apo fuqitë e mëdha dhe nëse Maqedonia do të jetë shtet apo protektorat ndërkombëtarë.
Shqiptarët duhet të kenë kujdes dhe të mbrohen vetëm nga dy rreziqe: të mos i rrinë shumë afër Gruevskit dhe të mos digjen në zjarrine tij dhe të mos i kaplojë inati dhe euforia e skajshme e të bëhen më të këqij se ai.














