Fatos Lubonja në një shkrim të sotën në Gazetën Panorama ka trajtuar dilemën nëse duhet një reformë në drejtësi sipas modelit të “vendeve të rrezervuara” apo asaj të nje drejtësie teorikisht të pavarur. Frika e Lubonjës është se mos nën petkun e pavarësisë fshihet një tentativë e re për të ribërë një drejtësi partiake. Madje kjo dhe me ndihmën e ambasadorëve… Ja seç shkruan ai…
Kthimi prapa në një Drejtësi të kapur nga një parti e vetme, kërkohet të na shitet si ecje përpara që do ta shpejtonte integrimin në Europë të Shqipërisë. Dhe kjo me ndihmën e disa ambasadorëve, të cilëve u referohet gjithmonë Rama kur thotë: “është Amerika që e kërkon këtë”; “është Europa që e kërkon”, duke e barazuar një ambasador me tërë SHBA-të apo Europën për të na sugjestionuar. Dhe shqiptarët kanë shumë komplekse ndaj këtyre vendeve. Ata diçka dinë më shumë se ne – thonë ata – dhe na duan sinqerisht të mirën.
Gjykoj se ka ardhur koha të çlirohemi nga këto komplekse dhe të besojmë më shumë te vetja, te përvoja jonë politike. Le të mos harrojmë se në fillim të viteve ‘90 ka qenë një ambasador amerikan, Rayersoni, që i dha qorrazi mbështetje pa rezerva një neodiktatori si Berisha, ndërkohë që shqiptarët e kishin kuptuar tashmë se çfarë rreziku u kanosej. Rezultatet katastrofike të kësaj mbështetjeje pa rezerva u panë vetëm pas pak vjetësh. Nuk e kam dëgjuar këtë ambasador t’u kërkojë ndonjëherë ndjesë shqiptarëve.
Përkundrazi, e pashë së fundi të bënte thirrje për të votuar Reformën në Drejtësi alla Rama. Ndoshta, në vend të kësaj mbështetjeje, do të bënte më mirë t’i sugjeronte kolegut të tij aktual të kishte pak më kujdes, e të mësonte nga gabimet e paraardhësve. Që nesër shqiptarët, të cilëve nuk u ka munguar nuhatja politike si në kohën e Rayersonit ashtu edhe sot, të mos e mbiquajnë, siç mbiquanin disa dikur Rayersonin, ambasadori sovjetik i Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
















