Petrit Kuçana
Imagjinojmë për një moment, hipotetikisht, sikur asnjë emigrant shqiptar nuk dërgon asnjë kacidhe në Shqipëri. Asnjë emigrant nuk shkon në Shqipëri për turizëm. Kushedi sa ekonomistë do të vihen në garë për të “spjeguar” efektin e jashtëzakonshëm në ekonominë shqiptare, sidomos në këto kohë pandemie. Kushedi sa politikanë duke filluar nga vendim-marrësit, pasi të kenë përllogaritur efektet shkatërruese ekonomike etj etj, ku gjithësecili e rikujton se të paktën dy nga tre familje mbahen nga emigrantët do të përpiqeshin të gjenin një “zgjidhje”.
A do të ishte një termet tjetër në ekonominë shqiptare dhe jo vetëm?
Kushedi si do të krekoseshin atyre që u ka dalë fjala se “remitancat” pra paratë e emigrantëve, ruajnë kohezionin social në Shqipëri.
Vërtet çfarë do të ishte Shqipëria pa diasporën?
Kryeministri i Kosovës Albin Kurti e ka përkufizuar diasporën si pasurinë më të madhe, (njësoj si vendet arabe të pasura me naftë), ndërsa nga Shqipëria zyrtare nuk e ka parë fort të arsyeshme që të merren me këtë temë. Tek-tuk ndonjë shfaqje, një si tip samiti që mbush lajmin treditor dhe ja u kry.
Ngritja e një dikasteri shtetëror të emërtuar si “Ministër shteti për Diasporën”, (pra jo Ministri Diaspore) u duk dhe po rezulton më tepër si gjetja e një vendi pune për Majkon, sesa një detyrim ndaj diasporës.
Edhe në momentet më kritike, sidomos në kohën e pandemisë, u pa që mërgimtarët u lanë në mes të netëve të ftohta, derisa ishte diaspora do të ndihmonte diasporën. Mbase ishte ky moment që sqaroi gjithçka mbi ngrehinën që presupozohet që “kujdeset” për Diasporën. Deri më sot nuk dijmë sa është numri i shqiptarëve që jetojnë jashtë. Nuk kemi asnjë të dhënë për numrin e shkenctarëve shqiptarë, profesionistëve apo të tjerëve që po shkëlqejnë nëpër botë, që mbeten pasuri e jashtëzakonshme për kombin. (Në kohën e pandemisë u promovuan disa nëpër media)
Mirëpo shumë shpejt erdhi një kohë tjetër, ajo e përcaktueshmërisë, ajo vendimtarja për diasporën e drejta e tyre për të votuar.
Krejt qetësisht e qartësisht, velloja e turpit kalon mbi klasën politike shqiptare dhe që, nuk ka as skuqjen më të vogël që emigrantët e Shqipërisë zyrtare, janë të vetmit në rajon dhe më gjerë, që nuk e kanë të drejtën e votës në vendet ku ata jetojnë.
Deri më tani nuk kemi parë as impenjimin më minimal nga klasa politike, aq më tepër të ketë ndonjë plan apo strategji të mirëmenduar për këtë fenomen, për pasojë diaspora mbetet thjesht një spektatore e paepur.
A do të ketë më kuptim ngehina e Ministrit të shtetit për Diasporën, nëse nuk sigurohet as këtë herë e drejta e votës për shqqiptarët që jetojnë jashtë?
Mbase nuk është e tepërt të përsëritet që diaspora do ta bëntë më të mirë Shqipërinë, qoftë edhe duke u përfaqësuar në parlament. Vetëm të imagjinojmë që në vend të gjysëm analfabetëve të ishin ata profesorët, doktorët (me diploma perëndimore kuptohet) me kontribute të jashtëzakonshme në shumë fusha të jetës, qoftë edhe në fushën e drejtësisë apo kudo. Vërtetë kur do të kujtohen për diasporën?
Londër 25 Prill 2020














