Nga Ramazan SHERJA
U konsiderua si vlerë e kuvendit kombëtar të PD edhe fakti se Lulzim Basha si kryetar i PD, paska kërkuar ndjesë për qeverisjen jo në shërbim të qytetarit të PD përgjatë 8 vjetëve në pushtet. Po kujt ia kërkon këtë ndjesë Lulzim Basha, vetvetes apo Berishës, që e vuri atë në karrigen e kryetarit të PD!? A nuk ka qenë Lulzim Basha katër vjet ministër, dhe afro katër vjet kryetar i Bashkisë së Tiranës, ku kishte rastin të tregonte vlerat e tij se si i shërbehet qytetarit kur je në pushtet!? A nuk ka më shumë se një vit në krye të PD dhe gjer tani ka treguar vetëm se është një kopje e Berishës dhe lidershipit të vjetër të PD! Kur paska qenë qeverisja e PD jo e mirë dhe jo në shërbim të qytetarit, pse ky farë ministri nuk bëri dorëheqje atëhere, por në bashkëpunim me Sali Berishën e mbajtën pushtetin me mafiozllëk edhe katër vjet të tjera me vota të vjedhura e duke u mbështetur në aleatë të majtë? Aq u verbuan nga kolltuku dhe pasurimi i paligjshëm këto lloj qeveritarësh dhe aq i vunë këmbën popullit, sa që edhe kur humbën në vitin 2009, jo vetëm që nuk pranuan të hapeshin kutitë e votimit, e nuk dha dorëheqje asnjë ministër, por e acaruan situatën deri në vrasjen e katër demonstruesve në mes të bulevardit.
Më vonë, kur nuk kishin votat e duhura për të zgjedhur Presidentin e Republikës, u detyruan të joshnin tipa karrieristë si Kastriot Islami, i cili më parë i kishte kërcënuar me thyerje kafkash. A nuk ishte ky moment më i mirë për të bërë autokritikë para shqiptarëve e për të kaluar në zgjedhje të parakohshme!? Edhe si kryetar bashkie, ju zoti Basha keni qeverisur në mënyrën më të keqe dhe më antiqytetare. Ju jeni marrë vetëm me punët e PD së shkatërruar, që nuk ka forcë që ta ringjallë më, dhe i keni vënë këmbën një kryeqyteti të tërë, ku jeton e punon gati gjysma e Shqipërisë. A i ke parë si janë katandisur rrugët e kryeqytetit nën qeverisjen tënde? Pyete pak veten pse nuk e mbajte premtimin për ngritjen e godinave të reja shkollore, duke shkaktuar një mbipopullim nëpër klasa e zhvillimin e mësimit me dy turne në disa shkolla, gjë që e ka dëmtuar rëndë cilësinë e punës në shkolla. A i ke parë se si përleshen studentët e gjorë çdo fund muaji para kioskave që keni ngritur ju për një abone studenti, sepse ti nuk qe në gjendje të garantosh të drejtat që burojnë nga karta e tyre edhe pse e premtove.
Edhe pse ky shqetësim i studentëve është paraqitur me shkrime në shtyp dhe me pamje filmike në ekrane, ju si kryetar bashkie as që e keni vënë ujin në zjarr për këtë. Po për këta problem që është bërë shqetësues nga keqqeverisja jote si kryebashkiak, kujt do t’i kërkosh ndjesë? Ju zoti kryetar i PD, deklaroheni e pretendoni për bashkëpunim pozitë- opozitë, për konkurim vlerash e idesh, por sa erdhe në krye të bashkisë hoqe me polic të gjithë nëpunësit e punëtorët e thjeshtë që ishin me bindje të majta. Ti flet për konkurim vlerash dhe alternativash, por të gjithë e pamë se si u sollët me Sokol Olldashin, si konkurenti yt real për postin e kryetarit të PD. Dhe kjo u duk ashiqare në Kuvendin tënd demokrat, kur jo vetëm që nuk mbajtët një minutë heshtje në kujtim të tij, por asgjëkundi, nga asnjë nuk u fol qoftë edhe një rresht për të, si ministër e deputet, si kontribues prej vitesh në PD që tani ju po e drejtoni me klanin tuaj. Po të mos ishte konkurent me vlera në PD, e po të ishte gjallë ende Olldashi, a do të ishte i pranishëm në atë sallë ku u hesht për të?!
Keni patur shumë raste ju zoti Basha për t’u kërkuar ndjesë shqiptarëve e për të dhënë dorëheqje, por nuk jeni nga ata politikanë modernë që të veproni. Kur u vranë katër protestues të pafajshëm në mes të bulevardit dhe qeverisja juaj kishte kaluar në diktaturë e hakmarrje, jo vetëm që nuk dhe dorëheqje e nuk u kërkove ndjesë atyre fëmijëve që mbetën jetimë e atyre nënave që mbetën pa djem, por kaluat qëndrimin tuaj drejt një shteti policor. Edhe sikur të mos kishe fare faj, ti duhej ta bëje këtë, e jo më kur ti ishe Ministër i Brendshëm, e një ndër urdhëruesit kryesorë të hapjes zjarr mbi qytetarët e pafajshëm.
Në emër të partisë suaj i është kërkuar dorëheqje Ministrit të Brendshëm aktual, për arsyen pse një avion “droge” u rrëzua në rërë dhe ju bridhnit me rrotën e tij në dorë, ndërsa keni heshtur para ngjarjeve tragjike që i keni shkaktuar këtij populli. Kasnecët e Partisë që ju drejtoni i kanë kërkuar dorëheqjen e Ministres së Mbrojtjes, se “paska vënë avionët ushtarakë në ndihmë të policisë së shtetit gjatë ndeshjes me kriminelët e drogës, ndërkohë që ministri yt atëhere i vinte avionët ushtarakë në dispozicion të këngëtarëve që bridhnin për qejf nëpër Shqipëri. Kujt i thua ti që të kërkojë ndjesë, Sali Berishës, që si Presidenti i vendit ashtu edhe tetë vjet kryeministër ka qeverisur me dorë të hekurt dhe duke monopolizuar të gjitha institucionet e shtetit. Kë të besojmë, ty si kryetar i PD që u kërkon ndjesë shqiptarëve për mosqeverisje si duhet, apo Berishën ish kryeministër, që pretendon se gjatë qeverisjes së tij “paska bërë mrekullira!”. E si ka mundësi që “mrekullirat” tuaja, “vlerat demokratike” që manifestuat, nuk i pa dot ky popull që u vuri shkelmin në votimet e 23 qershorit? Në një emision televiziv, Basha, duke u hequr si lider modern e i digjet shpirti për këtë popull, bëri dy gafa të rënda. Pyetjes së një teleshikuesi se “pse qeshni edhe kur nuk është për të qeshur”, ai iu përgjigj afërsisht kështu: Unë jam i qeshur në sipërfaqe, por në çdo qelizë të trupit tim ndjej trishtimin për këtë qeverisje shkatërrimtare të mazhorancës së majtë dhe për çdo goditje që u jep ajo proceseve demokratike në vend. Se sa i trishtuar është Basha për këtë popull, e ka treguar duke mos bërë asgjë për Tiranën, edhe pse mandatit si kryetar bashkie po i vjen fundi.
Shërbimin më të madh për qytetarët e Tiranës sipas Bashës, ai e paska bërë duke ndërtuar kompleksin e pallateve tek Liqeni. Vetëm një kryetar si Lulzim Basha mund të shpjegojë në mënyrë sofistike se “hapsirat e gjelbërta për qytetarët tek liqeni u rritkan me 40 %, duke ndërtuar kompleks pallatesh shumë kate! Madje Basha paska meritë të madhe edhe për luftën ndaj drogës, si në Lazarat e në mbarë Shqipërinë. Paska qenë “aleanca e tij kundër drogës” e cila u tret si vesë mëngjesi pa u krijuar mirë, që e paska detyruar qeverinë e majtë të merrte aksione të tilla kundër drogës! Madje Basha, vetë personalisht, paska qenë disa herë në Lazarat, kur ishte Ministër i Brendshëm e qenka marrë vesh mrekullisht me banorët atje. Që është marrë vesh me bosët e drogës është e saktë, se ndaj Lazarati qëndroi bastion i pathyeshëm i prodhimit dhe tregtimit të saj drogës, deri kur qeveria e majtë, nëpërmjet Ministrisë së Brendshme ndërmori aksionin real për shpartallimin e çdo rrënje bime narkotike e ndëshkimit ligjor të çdo kultivuesi të saj në këtë fshat.
Ndaj edhe deklaratat e drejtuesve të PD gjatë aksionit të suksesshëm të policisë në Lazarat, ishin për të qeshur e për të qarë, çfarë thoshte njeri e hidhte poshtë tjetri, se “brumi i Lazaratit” ishte gatuar nga duart e tyre të pista. Mirë zoti Basha, biem dakord me ty, që tu kërkosh ndjesë ministrave tuaj gjatë qeverisjes, për shkëputje nga populli e vënien e qeverisjes në shërbim të rehatisë së tyre familjare e personale. Po pse nuk i kërkon ti Prokurorisë që ta marrë ndonjë nga ish ministrat tuaj në ndjekje penale për zullumet e bëra, të cilat nuk kanë qenë të pakta, që nga shitja e pjesëve territoriale të Shqipërisë e gjer tek Gërdeci e 21 Janari? Të kërkosh pra, që të vihet drejtësia në vend, ashtu siç kërkove të ndëshkohen ata që goditën një deputetin tënd provokues,ata që “të penguan “për hapjen e bulevardit të Tiranës, e për “pengesa” të tjera që të paska bërë qeveria Rama. Më i kujdesshëm zoti Basha kur kërkoni ndjesë. Se ajo nuk është aspak e sinqertë, kur ju në Kuvendin partiak kërkoni ndjesë për gabimet e qeverisë së Saliut, kurse ai kërkon protesta mbarëpopullore kundra qeverisë së majtë, e cila qenka shumë më e keqe se qeverisja e tij…
















