Shkruan: Mero Baze
Kosova po përballet me një proces delikat të përpjekjeve për të mbajtur larg radikalizmin fetar, që nxit urrejtjen dhe furnizon fushata terroriste në Kosovë dhe jashtë saj. Arrestimi i 12 imamëve dhe një politikani radikal islamik në Kosovë, ka një mbështetje të gjerë popullore, por dhe një kundërshti të ashpër nga një pakicë që tenton ta paraqesë këtë si persekutim politik. Kosova është një shtet i ri, i formuar nga investimi perëndimor për atë pjesë të popullsisë shqiptare, që po vuante pasojat e një genocidi etnik. Duke qenë një investim perëndimor për kombin shqiptar, ai shtet mund të mbijetojë vetëm mbi parimet e lirisë dhe shtetit ligjor perëndimor, që respekton ndarjen e fesë nga shteti dhe bën betejë ndaj çdo tendence terrorizmi në vend.
Arrestimi është çështje e prokurorisë së Kosovës, e cila besohet se ka mbledhur fakte të mjaftueshme për këtë masë ekstreme dhe rreziku i vetëm nuk është se ato janë arrestime politike, por se me këtë fenomen bëhet politikë.
Dy- tri vitet e fundit, kur paralajmërimet për islamin radikal në Kosovë po shtoheshin, disa parti politike në Kosovë flirtuan me këta imamë. Debatet për “shamitë” apo goditja e laicizmit, që bëhej në mjedise publike nga këta imamë, nuk morën ndëshkim politik në bllok. Disa gra dhe vajza politikane dhe gazetare u linçuan publikisht dhe pak vetë u dolën në krah. E vërteta është se me islamin radikal u bë politikë, duke e nënvlerësuar si fuqi shkatërruese.
Sot, kur u mbërrit në ditën që duhen arrestuar 13 figura qëndrore të tij, duket se ata nuk janë më minoritet dhe se shteti i ri duhet t’i qëndrojë deri në fund laicizmit dhe betejës me ta.
Por që kjo të jetë një betejë e fituar, Kosova duhet të thellojë ndëshkimin jo vetëm tek imamët apo mbështetësit e tyre politikë, por edhe tek partitë politike që i përdorin politikisht këto figurina.
Kosova është në një moment delikat të njohjes dhe forcimit të saj si shtet, dhe investimi kryesor i armiqve të saj është islami radikal. Serbia dhe Rusia kanë pasur dhe kanë si argument kryesor kundër Kosovës rrezikun e një shteti islamik, ndërsa siç u pa, disa prej figurave kryesore të tyre ishin të pajisur me dokumente të Serbisë, ende të vlefshme për qarkullim të lirë. Kjo ilustron idenë se armiqve të shtetit të Kosovës, ai shtet i duhet islamik, ndërsa për fat shoqëria në Kosovë është laike dhe këta janë një pakicë e sponsorizuar.
Tani që beteja nisi pa kthim, duhet çuar deri në fund, ndryshe ai shtet merr fund. Bashkë me imamët që predikojnë mesjetarizmin e tyre mendor dhe shpirtëror, ndoshta duhet forcuar legjislacioni deri për nxjerrje jashtë ligji të partive që cenojnë laicizmin si frymë kushtetuese dhe faktor stabiliteti në vend.
Por që ta bëjë këtë, klasa politike në Kosovë duhet të jetë dhe vetë e predispozuar të rrisë ndëshkueshmërinë e politikanëve të lartë nga ligji dhe të kthejë në traditë shtetërore përballjen me drejtësinë të gjithë atyre që rrezikojnë të ardhmen e shtetit të Kosovës, qofshin në xhami, kisha apo selira partish e qeverish. Vetëm atëhere kjo do të jetë një përballje e mentalitetit perëndimor, që investoi në ndërtimin e shtetit të Kosovës, me këta atavizma të mesjetës, që janë ringjallur në një territor ku askush nuk ka ndërmend të qeveriset si mysliman apo i krishterë, por vetëm si qytetar i lirë.
Ky është një apel dhe për partitë kryesore politike, që kanë flirtuar me këta imamë, një apel për PDK, që ka bërë me elementë të tillë aleanca politike, apo Vetëvendosjen, që u ka shkelur syrin disa herë debateve për shamitë. Kosova nuk ia del dot të jetë edhe investim i Perëndimit, edhe fidanishte e terroristëve të ISIS, frymëzuar nga këta imamë. Ajo ka zgjedhur të bëjë betejë me ta, dhe këtë duhet ta çojë deri në fund, duke mos diferencuar imamët e xhamive që predikojnë obskurantizëm, me liderët e selive që demonstrojnë servilizëm. Autoriteti i shtetit ligjor është i vetmi që mund të mbajë ndezur ëndrrën për shtetin e Kosovës dhe perëndia e vetme që shqiptarët duhet t’i falen, nëse duan t’ia dalin si shoqëri për të cilin investoi Perëndimi.















