Nga Gentian Kaprata
Pas një periudhe disamujore të propagandës artistike, kryebashkiaku Veliaj i është kthyer një nga temat më të partitizuara të fundmandatit të fundit të z. Rama. Jemi duke folur për ‘projektin belg’ të kthimit të sheshit ‘Skënderbej’ në një shesh këmbësor. Projekti, në të folurin e përditshëm, mori këtë emër për shkak të origjinës belge të studios ‘51N4E’ që punoi për hartimin e projekt-idesë së këtij zhvillimi, ku z. Rama kishte varur shpresën për një mandat të katërt si kryebashkiak. Fatkeqësisht, jo sepse besonte te vota e qytetarëve të impresionuar nga një hata e tillë urbane, porse besonte tek aftësitë e tij të pashoqe për të triumfuar e ngadhënjyer në konflikte që publikut i shiteshin si politike. Mirëpo, qeverisja qendrore Berisha nuk ra në këtë grackë dhe nuk e pengoi lryebashkiakun e Tiranës në ekzibicionin e tij. Çka ishte një gjë e mirë në dimensionin e realpolitikës (në lidhje me aspiratat integruese europiane të shqiptarëve) sepse i ashtuquajturi ‘stabiliteti politik’ i munguar mund t’i dënonte sërish. Porse, ishte edhe vrasja e mundësisë së fundit që sheshi ‘Skënderbej’ të kthehej në një unitet këmbësor gjigant.
E theksova etiketën ‘unitet këmbësor gjigant’ për dy arsye. Së pari, për shkak të dimensioneve të saj të mëdha në marrëdhënie me atë pjesë të qytetit në shërbim të të cilit mund të vendosej. Sepse është e kuptueshme, shpresoj, për këdo që një këmbësore e tillë nuk mund t’i shërbejë gjithë Tiranës. Vështirë të besohet se qytetarë nga periferitë të vijnë për të ushtruar aktivitetin e ecjes në qendër të Tiranës! Dhe së dyti, për shkak të perceptimit si një unitet i vetëm i kësaj hapësire të hapur. Duhet të jemi të moralshëm e të themi se pjesë të caktuara dhe jo vogla të kësaj hapësire janë tashmë këmbësore. Bile më shumë se kaq. Ato kanë, prej dy vjetësh, formatin e këndeve të gjelbëruara me funksion rekreativ, ku funksioni i ecjes mund të kryhet me lehtësi e vijueshmëri të pranueshme. Me pak fantazi të burokratëve të bashkisë apo të shoqërive private turistike, këto hapësira ku realisht mund t’i prekë vetëm këmba njerëzore, mund të ishin kthyer në linjën e një turi turistiko- historik për qytetin. Në një sipërfaqe të vogël përreth tij gjenden të mishëruara në objekte ndërtimore të gjitha fazat historike që ka kaluar qyteti, që nga krijimi e deri sot.
Mirëpo duhet thënë se kryebashkiaku i ri nuk e ka merakun te gjetja e mënyrave racionale për të përmirësuar cilësinë e jetesës së komuniteteve që banojnë në zonat përreth sheshit ‘Skënderbej’. Ai nuk po punon as për rritjen e shanseve reale që Tirana të fitojë një dimension turistik të munguar. Dukshëm ai po hakmerret për dështimin e ‘Kapitenit’ të tij. Ai po hakmerret ndaj qytetarëve, të cilëve do t’iu vështirësojë lëvizjen private e publike, duke ndërprerë të paktën katër akse rrugore dhe disa linja kryesore të shërbimit urban të qytetit. Dhe e gjitha kjo, vetëm për t’u treguar shqiptarëve se Kapiteni e mban fjalën! Mirëpo, Kapiteni nuk mund ta mbajë dot fjalën, sepse ishte ai që i vrau mundësitë që sheshi ‘Skënderbej’ të kthehej në një unitet të vetëm këmbësor, edhe nëse pranojmë se kjo është një gjë e mirë për Tiranën urbane. Ai, për së pari, vrau mundësinë nga qasja makro. Me mënyrën e fragmentarizuar dhe absolutisht të paplanifikuar sesi e lejoi zhvillimin, ai i pamundësoi Tiranës një zhvillim policentrik. Dhe vetëm një zhvillim policentrik mund të ulte volumin e lëvizjes në këtë nyje shumë aktive të flukseve të tranzitit.
Të pretendosh që burokratët apo politikanët vendorë të Tiranës të kuptojnë se një qasje policentrike e zhvillimit do ulte nivelin e varësisë së komuniteteve ndaj sheshit ‘Skënderbej’ si nyje tranziti, dhe se ky është parakushti bazik që sheshi të kthehej në këmbësor, ndoshta është e tepërt. Sidoqoftë, nuk është e tepërt të kërkosh të kuptojnë se dy lejedhëniet ndërtimore në zonën pranë Kalasë së Tiranës, të z. Rama si kryebashkiak, vranë mundësinë që ‘unaza e vogël’ të ndërtohej dhe të kryente funksionin për të cilin ishte projektuar që në vitin 1977. Dhe, nëse ‘unaza e vogël’ do ishte sot në funksion të plotë, ndoshta përdorimi i sheshit ‘Skënderbej’ për lëvizje të motorizuar nuk do ishte domosdoshmëri. Thënë këtë, vijmë tek e fundit mundësi që kishim dhe z. Rama na e vrau. Te projektimi i sheshit ‘Skënderbej’ në dy plane, nëntoka me lëvizshmëri motorike dhe mbitoka këmbësore. Kjo ishte mundësia e fundit, por edhe këtë e humbëm kur u betonua masivisht nëntoka e sheshit për depozitat e shatërvanëve të sipërfaqes, sipas ‘planit belg’. Ai vërtet nuk përfundoi, por u implementua aq sa për të lënë litarin jashtë!















