Në bazë të vetë-deklarimit të pasurisë nga zyrtaret e shtetit të Kosovës pranë Agjencisë Kosovare Kundër Korrupsionit rezulton se Presidentja Jahjaga një vit me herët (2013) ka pasur para të gatshme në vlerë prej afro 48 mijë eurosh, ndërsa një vit me vonë (2014) ajo ka deklaruar rreth 61 mijë euro para të gatshme, plus blerjes së veturës po në 2014 rreth 17 mijë euro. Njësoj i është rritur pasuria edhe kreut të AKR-së Pacollit, ndërsa kreut të PDK-se dhe atij të Vetëvendosjes nuk u janë rritur shifrat nga viti i kaluar, së paku kështu thonë ata në deklarimin e pasurisë
Prishtinë 18 qershor 2014 – Agjencia Kosovare Kundër Korrupsionit ka publikuar të mërkurën formularët e deklarimit të pasurisë se zyrtarëve publikë/politikë të vendit.
Sipas këtyre formularëve, e para e Kosovës Atifete Jahjaga tërheq pagë bazë mujore (pa të hyrat e mëditjeve) në vlerë prej 2 mijë e 873 eurosh. Presidentja ka deklaruara para të gatshme në bankat e Kosovës në vlerë prej 61 mijë eurosh. Bashkëshorti i Presidentes tërheq pagë mujore rreth 1 mijë euro nga profesioni i stomatologut dhe si mësimdhënës në Fakultetin e Stomatologjisë. Presidentja nuk ka deklaruar se ka pronë të saj apo të bashkëshortit. Ata kanë deklaruar se e kanë një veturë e cila ka vlerë rreth 17 mijë euro.
Presidenti i AKR-së, Behgjet Pacolli rezulton lideri më i pasur në Kosovë. Ai në deklarimin e fundit të pasurisë ka deklaruar miliona para në aksione, por edhe para të gatshme. Ndërkohë bie në sy aeroplani privat i tij në vlerë prej 18 milionë eurosh. Pacolli ka deklaruar shtëpi jashtë vendit në vlerë prej 20 milion eurosh, Hotel Iliria 42 milion euro dhe aksionet në Grand Hotel. Ai ka deklaruar rreth 3 milionë euro para të gatshme që i mban në bankat e Kosovës, por që të gjitha ka deklaruar se i ka fituar jashtë Kosovës.
Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti sipas formularëve të deklarimit të pasurisë të cilat i ka dorëzuar në Agjencinë Kundër Korrupsionit, nuk e ka deklaruar asnjë cent pasuri të paluajtshme. Sipas kësaj, personalisht Albin Kurti nuk ka as kulm mbi kokë. Në formularin e pasurisë së Kurtit janë vetëm pagat vjetore të tij, të cilat janë rreth 19 mijë euro.
Ndërsa lideri i PDK-së Hashim Thaçi ende nuk e ka paguar kredinë prej 100 mijë eurosh në NLB. Kryeministri në largim, Hashim Thaçi, sipas formularit për deklarimin e pasurisë, ka pasuri pothuaj të njëjtë më atë të vitit të kaluar. Madje në deklarimin e pasurisë së Thaçit nuk ka ndryshuar as shumë e kredisë prej 100 mijë eurosh, të cilën e ka marrë në bankën NLB. Këtë shumë të kreditë ai e ka deklaruar qe disa vite radhazi.














