Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, ka vënë theksin në nevojën e bashkëpunimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor me qëllim të realizimit të asporatës së përbashkët të tyre për anëtarësim në Bashkimin Evropian (BE).
Duke folur në takimin e presidentëve që po mbahet në kuadrin e Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore, në Bukuresht, Jahjaga ka theksuar përkushtimin për paqe, stabilitet e prosperitet.
“Ne kishim një të kaluar të rëndë, një të kaluar nga e cila mund të mos jemi këndellur plotësisht dhe pasojat e se cilës vazhdojmë t’i vuajmë ende, por jemi duke u bërë bashkë drejt vizionit premtues për liri, paqe, stabilitet dhe prosperitet për të gjithë, për secilin qytetar, dhe, si Presidente e Kosovës, jam e vendosur që këtë dedikim ta zbatoj në Kosovë”, ka thënë ajo.
Presidentja e Kosovës ka kritikuar politikat dhe veprimet që pengojnë ndërtimin e marrëdhënieve të mirë fqinjësore midis vendeve të rajonit. Në këtë kontekst ajo është shprehur për “implementimin e marrëveshjeve” dhe për “heqjen e barrikadave” që pengojnë bashkëpunimin.
“Rruga jonë për në BE është e kushtëzuar me aftësinë tonë që të ndërtojmë marrëdhënie të mira ndër fqinjësore, të cilat nënkuptojnë respekt për vlerat e mbajtura nga shoqëritë tona dhe për integritetin e vendeve tona respektive. Marrëdhëniet e mira nuk ndërtohen vetëm me nënshkrime marrëveshjesh, por me implementimin e atyre marrëveshjeve. Jo nëpërmes barrikadave, por nëpërmjet dialogut kuptimplotë, i cili do t’i largojë ato pengesa drejt bashkëpunimit”, ka theksuar ajo.
“Si vendi më i ri në regjion, Republika e Kosovës i ka dhënë prioritet ndërtimit të marrëdhënieve të mira ndër fqinjësore. Për ne, ndërtimi i themeleve të qëndrueshme për partneritete nuk është vetëm vendosmëri politike, por edhe e nevojshme, nëse duam të lëvizim përpara drejt përmirësimit të jetës së qytetarëve tanë dhe të sigurojmë stabilitet në regjion”, ka thënë Jahjaga.
“Ne kemi dëshmuar këtë vendosmëri në procesin e dialogut me Republikën e Serbisë, një nga ndërmarrjet më të vështira politike, që ka kërkuar një kurajo të madhe. Por ne e kemi bërë këtë sepse dëshirojmë të lëvizim përpara”, ka theksuar Jahjaga.
Presidentja e Kosovës ka bërë thirrje që Kosova të përfshihet në të gjitha nismat dhe projektet rajonale.
“Asnjë bashkëpunim në regjion nuk do të jetë i kompletuar pa pjesëmarrjen e Kosovës, asnjë politikë regjionale nuk do të jetë plotësisht e implementuar pa përfshirjen e Kosovës dhe Bashkimi Evropian nuk do të jetë i plotë pa anëtarësim të plotë të vendeve të Ballkanit Perëndimor”, ka thënë Jahjaga në mbyllje të fjalimit të sat para pjesëmarrësve të Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore, në Bukuresht.
Ekskluzive/ Sa viza aprovoi dhe refuzoi Anglia për shqiptarët janar-shtator 2023
Për të njëjtën periudhë kohore për viza familjare aplikuan 1,365 shtetas shqiptarë. Në të gjitha deklarimet publike, kryeministri Anglisë Rishi...















