Programi për Zhvillim i Kombeve të Bashkuara (UNDP) në hulumtimin e opinionit publik të përmbledhur në të ashtuquajturin ‘Pulsi Publik’ ka nxjerr të dhëna të cilat flasin se problemi kryesor për kosovarët mbetet gjendja e keqe ekonomike. Ndërsa 22% planifikojnë të migrojnë jashtë vendit me te vetmen arsye për të pasur një jete më të mirë ekonomike.
Prishtinë 25 qershor 2014 – Nga raportit Pulsi Publik 7, të hartuar nga zyra në Kosovë e Programit për Zhvillim të Kombeve të Bashkuara (UNDP), del se ka një rritje të përgjithshme të kënaqshmërisë së qytetarëve, sa i përket punës së institucioneve kryesore të ekzekutivit, legjislativit, dhe gjyqësorit. Mesatarisht, rreth 46 për qind e kosovarëve duket se janë të kënaqur me institucionet.
Rreth 21 për qind e kosovarëve duket se janë të kënaqur apo shumë të kënaqur me orientimin e tanishëm politik të Kosovës, ndërsa gati gjysma, 42.5 për qind, duket të jenë të pakënaqur apo shumë të pakënaqur me orientimin politik të Kosovës.
Derisa në muajin prill 2013 vetëm 25% e qytetarëve besonin se media gëzon lirinë e shprehjes, sondazhi i itit 2014 raporton këtë numër të jetë në 45%. Nga 59% e kosovarëve papunësia perceptohet si një nga problemet kryesore me të cilat përballet Kosova. Menaxheri i projektit të Pulsi Publik, Atdhe Hetemi, gjatë prezantimit të raportit thotë se 22.2 përqind e të anketuarve bëjnë plane për të migruar jashtë vendit, dhe shumica e tyre mendojnë ta bëjnë për arsye të situatës jo të favorshme ekonomike në familje, apo për të një të ardhme më të mirë.
“Ndërsa arsyet, kur ata të cilët kanë plane të migrojnë janë pyetur lidhur me arsyet që i bënë ata të mendojnë për plane të tilla, arsyet kryesore janë të renditura si më poshtë, gjendja ekonomike në familjet e tyre, mandej disa prej tyre kanë deklaruar se kanë familje që jetojnë jashtë dhe duan tu bashkëngjiten atyre, dhe një përqindje goxha e madhe me rreth diku 40 për qind e tyre kanë thënë që planifikojnë të emigrojnë me qëllim që të gjejnë një të ardhme më të mirë për familjet e tyre”, deklaron Hetemi.
Sipas raportit, 60 për qind e kosovarëve deklaruan se ndjehen të sigurt kur gjenden jashtë shtëpie, krahasuar me 82 për qind në prill të vitit 2013, ndërkaq vetëm 34 për qind, për dallim prej 15% në prill të vitit 2013, ndjehen në përgjithësi të pasigurt.
Shumica e kosovarëve mendojnë se ballafaqimi me të kaluarën është i rëndësishëm. Rreth 87% konsiderojnë se nevoja e popullit të Kosovës për t’u marrë me zbulimin e së vërtetës për të gjitha krimet e luftës të kryera në të kaluarën, pa marrë parasysh përkatësinë etnike të viktimave dhe autorëve të krimit.
















