Nga Gilman Bakalli
Për shumëkënd, Platini ka hyrë në historinë e futbollit europian. Për disa si futbollist i talentuar, për disa të tjerë si një aparatçik i lartë e i shumëpërfolur i një institucioni po aq të përfolur si UEFA. Për mua personalisht, me rastin e një ndeshjeje famëkeqe futbolli, Platini ka hyrë në histori si përdoruesi më i famshëm i një strukture linguistike, e cila në variantin shkencor quhet mënyra lidhore, të cilën e përdorim për situata kontrafaktike, për ngjarje, të cilat nuk kanë ndodhur, por konsiderohen si hipotetike. Varianti popullor i mënyrës lidhore është pyetja e famshme “po sikur të kishte halla koqe?” E tillë ishe pyetja e Platinisë “po sikur droni që fluturoi mbi fushën e Beogradit të kishte bombë të instaluar në të?” Kaq tha Platini dhe u largua.
Për një rastësi fatkeqe, momenti kur Platini hodhi në eter pyetjen e tij apokaliptike, përkoi me momentin kur në Shqipëri po rriteshin radikalisht gjobat e policisë rrugore ndaj shkeljeve të rregullave të qarkullimit rrugor. Duke përjashtuar reagimet populiste të opozitës, pjesa më e madhe e reagimeve popullore ndaj masës së lartë të gjobës ishin konstrukte të pastra “platiniane” të tipit:
“po sikur gjobat të jenë një mënyrë për të mbledhur parà për të paguar borxhin ndaj CEZ?”,
“po a kemi ne infrastrukturë të rregullt, me kamera e me semaforë që funksionojnë siç duhet?”,
“po sikur polici të vendosë arbitrarisht për ngjyrën e semaforit dhe të ta vërë gjobën gjithsesi?”,
“po në Shkodër, ku nuk ka semaforë?”,
“po për ato rastet e diskutueshme kur makina ka kaluar midis portokallisë dhe të kuqes?”,
“po pse të jetë 400 mijë e jo sa në Amerikë ku gjoba është kaq e aq dollarë?”
“po sikur t’i dënojmë me vdekje, me internim e me burg ata që kalojnë me të kuqe?”
Mënyra lidhore është bërë në fakt, forma më e zakonshme me të cilat publiku shqiptare reagon ndaj çdo nisme ligjore e cila synon të vërë rregull aty ku deri dje mbisundonte kaosi. Aq fort na ka hyrë në palcë shkelja e ligjit dhe e rregullit, aq fort jemi mësuar me anarkinë publike, saqë çdo përpjekje për të na shkëputur prej entropisë sociale e nxit fantazinë tonë drejt absurdit “platinian”. E gjithë kjo morì pyetjesh hipotetike, të cilat krijojnë realitete jo reale, e mjegullojnë aftësinë tonë reflektuese dhe nuk na lejojnë të kuptojmë se, përtej këtij surrealiteti pyetjesh sfilitëse “platiniane”, ndriçon një mundësi krejt e thjeshtë e pastër si kristali: liria jonë për të vendosur që ta zbatojmë ligjin, liria për të mos e kaluar semaforin me të kuqe. E thënë ndryshe, në mënyrë “platiniane”: “zonja dhe zotërinj, po sikur të vendosim të mos e kalojmë me të kuqe semaforin?”
















