Pa asnjë letër, kryeministri Rama zgjodhi këtë mënyrë për të zhvilluar debatin e hapur, për çështjen e energjisë elektrike. Para pensionistëve dhe personave me aftësi të kufizuar, Rama theksoi se është spekuluar lidhur me rritjen e çmimit të energjisë elektrike.
“Po shkojmë drejt rrugës së vërtetë dhe tërësisë së fakteve, që shoqëria duhet të përballet, pas kaq shumë vitesh në gjumë, e venë nga politika e papërgjegjshme dhe pushteti që ka parë vetëm jetëgjatësinë e vet dhe jo të ardhmen e vendit”, deklaron Rama.
Në fjalën e tij, kryeministri Rama tha se po spekulohet me çmimin e energjisë elektrike dhe politikës që po ndjek qeveria për të sjellë në binarët e ligj menaxhimin e kësaj pasurie.
Teksa u ka dalë garant pensionistëve dhe personave me aftësi të kufizuar se xhepi i tyre nuk do të rëndohet nga politikat e reja, Rama përsëriti qëndrimin e tij se vjedhësit e energjisë do të ndëshkohen, si disa prej shkaktarëve të gjendjes së keqe në të cilën ndodhet vendi.
“Ju jeni përfaqësuesit e shtresave në nevojë. Gjithçka flitet për rritjen e çmimit të energjisë elektrike dhe politikën që po ndjekim është një spekulim”, tha Rama, duke theksuar se heqja e fashës 300 kilovat ishte një vendim i duhur për shkak të dështimit të saj.
“Secili merr përgjegjësinë e vet. Arsyeja pse Shqipëria është në këto kushte nuk janë pensionistët as personat me aftësi të kufizuar. Janë hajdutët e energjisë ata që e kanë sjellë deri këtu këtë situatë, duke përfituar nga verbëria e politikëbërëseve që kanë pasur detyrimin ta qeverisnin këtë vend me vërtetësi, ta administrojnë këtë sektor, duke mos lejuar që sëmundja të përhapet deri në kërcënim, për të asfiksuar gjithë organizmin tonë social”, tha kryeministri.
“Problemi i trashëguar që lidhet me ju, fasha e 300 kv, është kthyer në një mburojë . Kemi pasur 2 alternativa; të rrisnim çmimin ose të hiqnim fashën. E para ishte e padëshiruar, shumë e dhimbshme dhe jo e suksesshme. Do rrisim pagën e mbështetjes sociale dhe ndihmën ekonomike. Këto masa nuk janë në kurriz të fukarenjve, të dobëtit nuk do të ndëshkohen”, tha më tej ai.















