E kupton që ligjërimi publik në Shqipëri është futur në një fazë impotence artikuluese, kur sheh përdorimin inflacionar dhe të pavend të një pilule fuqidhënëse, parashtesës fjalëformuese “ri”. Moderatorët televizivë na njoftojnë herë pas here se “ja, ku u ri-kthyem sërish” në emision. Dhe, sigurisht, që pas këtij ri-kthimi të dyfishtë, për të na ri-futur në temë, ata na ri-sjellin në vëmendje atë që mund të na ketë rrëshqitur jashtë vëmendjes gjatë pjesës para se të ri-futej reklama. Edhe policia e shtetit ka patur raste kur ka “ri-ndaluar sërishmi” persona të dyshuar. Ndoshta rrënjët e këtij trendi duhet t’i kërkojmë tek “Ri-lindja” e së majtës, e cila, pasi humbi në “të vetmen Rrugë”, e ri-gjeti tek ri-lindja rrugën e duhur për “t’u ri-kthyer sërish” në pushtet. Kur “kohës për ndryshim” së të djathtës i erdhi fundi dhe gjërat nuk ndryshuan siç duhej/pritej, atëherë opozita, në Kuvendin e saj të fundit u detyrua të ri-premtojë “ri-ngritjen për të ri-kthyer besimin dhe për të ri-ngjallur shpresën”. Nuk duhet harruar se në çdo fushatë elektorale lokale “ri-premtohet ri-përtëritja e qytetit” dhe e sipërfaqeve të gjelbra, por edhe pse kjo nuk ndodh, politikanët arrijnë të “ri-gjejnë forca për t’u ri-kthyer” në fushatën e ardhshme me “ri-premtime të reja”. E meqë i përmendëm, ç’do ishte një fushatë elektorale pa një “ri-numërim të përsëritur” votash?! E ç’kuptim do kishte fushata pa atë paralajmërimin standard se kryeministri i radhës kërkon “të rivjedhë zgjedhjet dhe të rindalojë shqiptarët për të zgjedhur atë që duan”.
Edhe për Kushtetutën, me sa duket, ka ri-ardhur koha e “ri-ndryshimeve të reja”, sepse u bë kohë e gjatë që ky tekst i shenjtë nuk po ndryshon fare. “Ri-shkeljet e ri-përsëritura të kryetarëve të ri-zgjedhur” në të gjitha institucionet janë histori më vete, prandaj nuk po i ri-përmendim këtu. Historia, po e po, është në “ri-lexim dhe ri-shkrim të vazhdueshëm”. Bile-bile një historian e ri-pranoi vetë nevojën e ngutshme për një “ri-shkrim të ri të historisë”. Edhe unë, tani që po ri-mendohem, them se historia duhet “ri-parë nga e para”. Psikologët na ndihmojnë të “ri-gjejmë veten pas një ri-humbjeje të mundshme” apo “të ri-përpiqemi ta ri-gjejmë intimitetin e humbur për t’ia ri-zgjatur kohëzgjatjen bashkëjetesës në çift”. Dhe, kur terapia ndërpritet, ajo nuk ri-fillon nga e para apo aty ku është ndërprerë, por, duke ri-përdorur gjuhën e terapistit, ajo “rivazhdon”. Meqë ra fjala, lexova diku se edhe bojkoti i PD-së rivazhdon. Koha do tregojë, nëse bojkoti do të ri-ndërpritet për të ri-filluar në një moment tjetër. Kurse sa i takon protestës kundër “ri-rritjes së çmimit të energjisë elektrike”, kjo nuk përbën ndonjë risi, thjesht ri-hap debatin mbi besueshmërinë e ri-premtimeve të reja elektorale
Një tjetër pilulë tjetër po kaq fuqidhënëse që përdorin rëndom aktorët në ligjërimin e tyre publik është përdorimi i shkallës krahasore të mbiemrit. Kjo kategori gramatikore që duket sikur nuk bën asgjë, por thjesht stolis pasivisht ca emra e dukuri të ndryshme të kësaj bote, është një kategori tejet interesante dhe e sofistikuar. Ndër të gjitha kategoritë tjera gramatikore, vetëm kjo ia del të krijojë shkallë hierarkie duke filluar nga forma më e thjeshtë, pohore, duke kaluar tek ajo krahasore e duke arritur në shkallën e epërme, atë sipërore. Përdorimi i komparativit mund të sjellë me vete disa pasoja të paparashikueshme për përdoruesit, sidomos kur këta artikulohen publikisht për çështje të ndjeshme si komunikimi politik apo bashkëjetesa fetare. Çfarë nënkupton një klerik i nivelit të lartë kur aspiron për një bashkëjetesë fetare “më harmonike”? Kërkohet nga anëtarët e komuniteteve fetare të jenë më harmonikë se harmonikë? Po ai analisti kur i bën thirrje politikanëve për një “komunikim më të ndershëm” midis palëve? Aty ku sherrnaja politike është e madhe, mesa duket, nuk mjaftokërka një komunikim i ndershëm, por u dashkërka një komunikim “më i ndershëm”. Cila na qenka ajo fytyrë “më njerëzore” e politikës, e cila na qenkërka “më njerëzore” se njerëzore? Të paktën dy refleksione kemi të drejtë të parashtrojmë: së pari, a është logjikisht e mundur që ta rrisim në një shkallë më të lartë ndershmërinë, harmoninë, humanizmin, pastërtinë, drejtësinë etj? Dhe, nëse ia dalim ta bëjmë këtë, cilës gjendje i afrohemi më tepër: të vërtetës apo gënjeshtrës? Së dyti, në aspektin gjuhësor, ai, që tani është më i ndershëm, a është tashmë më i ndershëm se i ndershmi apo thjesht jo aq i pandershëm sa përpara?
Çfarë ka parasysh kleriku kur flet për bashkëjetesë “më harmonike” apo politikani kur flet për sistem “më të drejtë” gjyqësor? Aspirojnë të dyja palët realitete hyjnore, në të cilat, përmes ndershmërisë dhe drejtësisë gjithnjë e në rritje, ne bëhemi pjesë e së Vërtetës Absolute? Apo kërkojnë të na sjellin me këmbë në tokë duke na thënë: “të dashur njerëz, nuk do ia dalim asnjëherë të jemi të ndershëm, por le të përpiqemi ta gënjejmë njëri-tjetrin paksa më rrallë se ç’e kemi gënjyer deri tani dhe të bëhemi “më të ndershëm”, “më të drejtë”, “më njerëzorë”.
Ligjërimi aktual publik në Shqipëri po ushqehet pa hesap nga një parashtesë “ri” që sinjalizon diçka të re, por nënkupton realisht vazhdimin e së vjetrës. Në çdo rresht mburret një komparativ, i cili sinjalizon një “më shumë”, por nënkupton realisht një “më pak”. Nga buron kjo prirje aktuale për t’i ushqyer artificialisht, vakt pas vakti, foljet dhe emrat me parashtesën “ri” apo për ta mbushur, vend e pa vend, ligjëratën me shkallën krahasore të mbiemrave? Mos ndoshta, tani që, siç thonë specialistët e marketingut, qytetarët janë gjithnjë e “më pretendues” në kërkesat e tyre, do ishte shumë pak nga ana e politikanëve të aspironin thjesht të drejtën, thjesht njerëzoren, thjesht vazhdimin dhe jo ri-vazhdimin, thjesht rritjen dhe jo ri-rritjen? Apo është thjesht dëshira për të qenë autentik? Një lloj gare për të qenë më autentik se parafolësi, i cili ishte thjesht autentik dhe, si i tillë, shumë pak autentik? Një lloj gare për t’u ri-rritur më shumë se rivali yt, i cili sa ishte në pushtet, thjesht u rrit pa arritur që të ri-rritej? Në një kohë që, siç thonë kritikët e mediave, njerëzit jetojnë sipas modeleve të gatshme që ofrojnë imazhet televizive,autenticiteti ofron formulën magjike për t’iu ri-kthyer thelbit të gjërave, zanafillës. Por, edhe në këtë përpjekje për të qenë “më autentik” se sa thjesht autentik, komparativi, duke u rrekur për më tepër si në rastin e ndershmërisë, drejtësisë, pastërtisë apo të brendshmeve të bardha (të cilat reklama premton t’i bëjë më të bardha se të bardha), degradon në më pak.
Përpjekjet për ta maskuar problemin kryesor të tyre – sinqeritetin me njerëzit – ligjëruesit e sotëm publik nuk mund t’i bazojnë tek afrodiziakët “ri” dhe “më”. Janë të paterica të brishta. Jo më të brishta e as tejet të brishta. Thjesht të brishta!
















