Xhabir AHMETI
“Shihni shokë, shihni pra, se ahmaku çka ka ba”… Kështu e kurrsesi ndryshe nuk mund ta filloj këtë rrëfim të pikëllueshëm që flet për mjerimin tonë, më saktë për partitë tona që na godasin neve e që nuk dinë të mbrohen prej atyre dalldyshanëve të cilët i fyejnë partitë tona dhe përmes njerëzve të partisë e fyejnë edhe popullin shqiptar, e fyejnë secilin prej nesh veç e veç. Pa shikoni se çfarë fyerjeje lexova në një gazetë, e cila ka rënë në nivel të gazetës së murit, por që e mban veten për prestigjioze:
“Përfundimisht, diçka normale nga partia plot terroristë, e ashtuquajtur DUI. Na bënë të qeshemi. Gega Grubi na bëri një selfie. Pres një foto të përbashkët me papën dhe mbishkrim ‘Artan Grubi me Xhemo ballistin’. Ali Ahmeti ndërkaq kërkoi nga FBI të përzihet në rastin ‘Monstra’. Bën be Ali, por unë në gjyqësinë tonë dua ta angazhojmë Xhaxh Dred-in”.
Kështu. Këto fjalë nuk duan koment. Absolutisht. Mirëpo rrethanat në të cilat jetojmë na detyrojnë të bërtasim publikisht që të na dëgjojnë pushtetarët tonë të cilët e kanë për detyrë ta mbrojnë dinjitetin e tyre dhe përmes mbrojtjes së dinjitetit të tyre ta mbrojnë edhe dinjitetin tonë. Në fillim t’i pyesim këta pushtetarë se a kanë dëgjuar se gjyqi e mbron kryeministrin dhe ministrat prej çdo sulmi verbal që ia bëjnë njerëzit publikë. Besoj se duhet ta dinë se kryeministri dy gjykime të këtilla i fitoi dhe mori dëmshpërblime të mira. Në qoftë ashtu, e ashtu është, ky gjyq është i detyruar t’i mbrojë edhe pushtetarët tonë.
Gjashtë fjali janë që i shkruan një dalldyshan, por secila vlon nga fyerjet më të rënda që na bëhen neve si shqiptarë. Shikoni tash se sa fyerja ka në këto gjashtë fjali të bolduara: Partia plot terroristë, një, e ashtuquajtur DUI, dy. Tash shtrohet pyetja: si mundka që një parti plot terroristë të jetë në pushtet dhe nëse është ashtu si thotë dalldyshanu, atëherë del se krejt qeveria qenka terroriste. Nëse është ashtu Maqedonia na del si shtet problematik në Ballkan pasi qeverinë e paska plot terroristë. Problemi tjetër është se nëse BDI-ja e hesht këtë akuzë, atëherë në fakt ajo e pranon pohimin. Vjen fjalia tjetër: Gega Grubi na bëri një selfie. Lexuesi e di mirë se ku rreh dalldyshani me fjalën Gega! Një fyerje që vjen nga nëntoka e të ashtuquajturës enciklopedi që mundohet të na e mohojë kombin e gjuhën duke na trajtuar si një turmë amorfe e përbërë nga fise barbare. Në këtë mënyrë edhe ky farë “opinionisti” dalldyshan mundohet të krekoset duke na e bërë me dije se e na e paska lexuar “Serdarin” e Grigor Përliçevit, vepër për të cilën ende nuk e ka thënë fjalën e fundit shkenca e letërsisë, nuk janë shpjeguar si duhet se kush është Kuzman Kapedani e kush janë gegët. Me një fjalë dalldyshani e quan Artanin Gegë dhe kështu një përfaqësues politik të cilin e kemi votuar ne e quan njeri gegë, që është një aluzion fshatar i dalldyshanit me qëllim që të na qesë neve si njerëz të kohëve fisnore. Barbar. Duke e fyer përfaqësuesin e partisë në pushtet në fakt e ka fyer partinë, qeverinë dhe edhe krejt popullin shqiptar. Çudi, si e tolerojnë këta njerëz të partisë, si e durojnë pushtetarët, si nuk kërkojnë përgjegjësi prej dalldyshanëve, po vazhdimisht na mbajnë në shah ne shqiptarëve duke na ndarë në “tonët” dhe “të atyre”. Çudi sa heqin shqiptarët e gjorë nga partitë e veta, edhe pse vazhdimisht dalin e ua japin votën. Çudi se si mund të na ndëshkojnë duke na i lënë rininë jashtë proceseve ekonomike, shoqërore e kulturore, e kur vjen puna për dalldyshanët që na fyejnë partitë heshtin. A mos keni dëgjuar të kenë kërkuar përgjegjësi për mijëra fyerje që na janë bërë?
Fjalia tjetër e dalldyshanit: Pres një foto të përbashkët me papën dhe mbishkrim ‘Artan Grubi me Xhemo ballistin”. Pse a nuk kemi ne “të presim një foto të përbashkët me Artemijen dhe mbishkrim Dalldyshani me Kosta Peqanacin”? Po ne s’e themi, se është tepër e ulët të thuhet për bashkëqytetarët tonë, ndaj të cilëve kemi kujdes mos të fyhen në baza nacionale dhe të identitetit. Dalldyshani e thotë dhe për këtë nuk ka kurrfarë përgjegjësie ai. Kjo pritet, të mos ketë përgjegjësi dalldyshani, mirëpo ku janë pushtetarët tonë të cilët lejojnë të fyhet papa, ta quajë një person të politikës shqiptare si ballist, fjalë kjo që në fjalorin maqedonas shpjegohet si pjesëtar i një organizate nacionaliste shqiptare, por në përdorim të përditshëm maqedonasit e përdorin me kuptim shumë të keq, si gjakpirës, gjakatar etj. Epo ku jeni zotërinj pushtetarë? A ka gjyq këtu, a e keni ministrin e drejtësisë nga partia juaj?
Vjen edhe një fjali: Ali Ahmeti ndërkaq kërkoi nga FBI të përzihet në rastin ‘Monstra’. Kjo nuk e di a është e vërtetë se a ka kërkuar Ali Ahmeti diçka të tillë. Në qoftë e pavërtetë kjo punë, duhet të zgjidhet në gjyq njësoj si rastet e kryeministrit. Për Xhaxh Dred-in as që dua ta komentoj, sepse aludimi është tepër i ulët. Fjalën e ka dalldyshani se ne nuk jemi njerëz të këtij shteti, se jemi të rënë nga qielli befas sa mos të them se kemi ardhur ashtu si thotë enciklopedia e Bllazhes. Përndryshe ky farë Xhaxh Dredi përdoret nga dalldyshani sa për të treguar se di gjithçka. E Xhaxh Dredi ka hyrë në Librin e rekordeve të Ginisit si muzikanti më i ndaluar për shkak të pacipësisë.















