Aktivitetet për ‘Javën Çame’ kanë bashkuar në Tiranë politikën shqiptare. Kryeministri Edi Rama, kryeparlamentariIlir Meta, dhe kreu i PD-së, LulzimBasha kanë pranuar ftesën e çamëve për të marrë pjesë në ekspozitën e çelur në Muzeun Historik Kombëtar mbi 70 vitet e gjenocidit ndaj shqiptarëve të Çamërisë.
Por megjithëse në të njëjtin aktivitet Rama dhe Basha nuk kanë preferuar t’i shtrëngojnë duart njëri-tjetrit dhe kanë qëndruar gjatë gjithë kohës në distancë. Fjalën përshëndetëse në këtë ceremoni të veçantë për komunitetin çam e mori kreu i PDIU-së, Shpëtim Idrizi që mes të tjerash përmendi dhe çastin e këtij bashkimi politik.
Idrizi: Çështja çame bashkoi sot politikën shqiptare
“Jemi mbledhur për të kujtuar historinë e komunitetit çam, në tokën e të cilit janë përkulur legjendat më të bukura të Europës. Shqiptarët e Çamërisë duke pritur janë zhgënjyer nga krerët grekë, të cilët pasi shfrytëzuan kontributin e tyre iu vodhën edhe territoret. Ne e kemi amanet nga të parët tanë dhe ne do ta tregojmë historinë tonë më fort, në të gjitha katedrat e universiteteve botërore, dhe të kancelarive vendimarrëse për fatin tonë. “Qoftë orë e mirë”, thoshin çamët kur takoheshin me njëri-tjetrin. E pra kjo qoftë një orë e mirë që na bëri të gjithë bashkë. Unë jam shumë i lumtur që një kauzë për Shqiptari sot ka bërë bashkë gjithë politikën shqiptare. Miqtë e mi shumë faleminderit, dhe dua t’ju shoh gjithmonë bashkë, pavarësisht nga bindjet tona, ju na nderuat sot. E pra këtë Shqipëri e kemi bashkë; Rroftë Shqipëria;Rroftë Çamëria,”, theksoi në fjalën e tij Shpëtim Idrizi.
Aktivitetet për ‘Javën Çame’ janë planifikuar të organizohen edhe në ditët në vijim; ku ditën e mërkurë, do të promovohet botimi më i ri akademik, i hartuar nga një grup profesorësh, ndër më të njohurit në vend dhe i titulluar “Epiri i Jugut, Çamëria”; ditën e enjte vëmendja do të zhvendoset brenda Kuvendit të Shqipërisë, ku së paku pesë deputetë shqiptarë të Çamërisë do të debatojnë mbi zgjidhjen politike të çështjes çame.
Java Çame këtë vit do të kulmojë më 27 qershor 1944 në Tiranë. Në ndryshim nga vitet e kaluara, aktiviteti qendror i këtij viti do të jetë në kryeqytet, si një simbol i mbijetesës dhe forcës së çështjes çame në zemër të kryeqytetit shqiptar. Aktiviteti do të zhvillohet në orën 18:00 në Sheshin “Nënë Tereza”. Ditën e shtunë, 28 qershor, një delegacion i Shoqatës “Çamëria” do të shkojë në Kllogjer të Sarandës për të zhvilluar homazhet e përvitshme në Varrezat Monumentale të Shqiptarëve të Çamërisë













