Heqja e barrikadës me rërë dhe gurë, e cila ishte vendosur nga serbët lokalë mbi urën qendrore mbi lumin Ibër që nga korriku i vitit 2011 dhe rivendosja e barrikadës tjetër, të ashtuquajtur “Parku i paqes”, nga autoritetet lokale të Mitrovicës së veriut, u bënë shkak i protestës së qytetarëve shqiptarëve, ditën e diel, në anën jugore të lumit Ibër.
Por, cili është roli i Beogradit zyrtar lidhur me këtë barrikadën?
Gjatë vendosjes së barrikadës me vazo të betonit në vendin ku më parë ishte barrikada me gurë dhe rërë, aksion të cilit i printe kryetari i komunës së Mitrovicës së Veriut, Goran Rakiq, pranë tij ka qëndruar pothuaj gjatë gjithë kohës edhe Marko Gjuriq, drejtor i Zyrës së Qeverisë së Serbisë për Kosovën.
Rakiq, pati thënë se vendimin për vendosjen e të ashtuquajturit “Parku i paqes” e ka marrë në koordinim me shtetin e Serbisë.
Njohësit e zhvillimeve politike në Kosovë vlerësojnë se Beogradi është iniciator dhe planifikues i këtij veprimi, i cili, siç thonë ata, u ekzekutua nga serbët lokal në Mitrovicën e Veriut.
Analisti i çështjeve politike, Halil Matoshi, ka thënë për Radion Evropa e Lirë se Beogradi po krijon situata përmes të cilave synon t’i bishtnojë zbatimimit të marrëveshjeve të arritura me Kosovën në Bruksel.
“Që ka gisht Beogradi zyrtar në atë farë performanse të turpshme mbi urën e Mitrovicës, kjo as që mund të diskutohet. Unë mendoj se Beogradi synon neglizhimin e detyrimeve që ka marrë në Bruksel dhe, eventualisht, mashtrimin e opinionit publik ndërkombëtar, në këtë rast edhe të Brukselit zyrtar, se kinse Serbia praktikisht po e ndërron qasjen, duke u thirrur në paqe, duke krijuar kinse një ‘park të paqes’, etj.”, është shprehur Matoshi.
Ai ka shtuar se, me veprimet mbi urën qendrore mbi lumin Ibër, Serbia vetëm po e shtyn zbatimin e detyrimeve që kanë dalë nga marrëveshja e 19 prillit, në Bruksel.
Por, sipas tij, Beogradi vetëm “po blen kohë”, sepse Serbia, me qasje të tillë, “nuk mund të bëhet anëtare e bllokut të vendeve evropiane”.
Në anën tjetër, kryetari i Këshillit për Kosovën në Kuvendin e Serbisë, Milovan Drecun, ka thënë se heqja e barrikadës në urën mbi lumin Ibër është në frymën e Marrëveshjes së Brukselit, ndërsa deklaratat e drejtuesve të qeverisë lokale në Mitrovicën Jugore “kanë mbjellë frikë” tek bashkësia serbe në veri të Kosovës.
Ai ka shprehur dronë se në mungesë të qeverisë qendrore, pushteti lokal, pa kontrollin e autoriteteve në Prishtinë, mund të reagojë në mënyrë të pamatur.
Drecun ka theksuar se dialogu ndërmjet pushteteve lokale në veri dhe në jug të Mitrovicës,mund ta pengojë destabilizimin e mëtutjeshëm të situates.
“Bazuar në situatën specifike në Mitrovicë, unë mendoj se, në periudhën e ardhshme, aty duhet të gjendet një mekanizëm që do të vendoste komunikimin e drejtpërdrejtë në nivelin lokal dhe në kuadër të procesit të Brukselit për normalizimin e marrëdhënieve. Kjo gjithsesi do t’i shërbente përshpejtimit të atij procesi dhe zbatimit të plotë të asaj për të cilën tashmë është arritur me marrëveshjen e parë të Brukselit”, ka thënë ai.
Dushan Janjiq nga Forumi për marrëdhënie etnike është pyetur se çfarë në të vërtetë dëshiron të arrijë Beogradi me “Parkun e paqes” në urën qendrore mbi lumin Ibër dhe a e vë ky veprim në pikëpyetje Marrëveshjen e Brulselit.
Janiq ka thënë se Beogradi e ka bërë këtë veprim në kohë të gabuar dhe ka shprehur bindjen se veprimet e serbëve në veri janë nxitur nga një pjesë e politikës në Serbi, e cila synon të ruajë ndikimin te serbët e Kosovës.
“Mendoj se një pjesë e Beogradit mbase e do këtë. Kurrë nuk e kam dëgjuar kryeministrin Vuçiq të ketë thënë se aneksimi i Krimesë ka krijuar situatë të re gjeopolitike, të cilën duhet shfrytëzuar. Por, deklarata të tilla kemi dëgjuar nga udhëheqës partish, si edhe nga Presidenti Nikoliq. Beogradi së pari duhet të tregojë se Vuçiq, Daçiq dhe Nikoliq janë në anën e njëjtë”, është shprehur Janjiq.
“Do të thotë, kur them një pjesë e Beogradit është absolutisht e qartë se Lista ‘Srpska’ atje është bërë me diktatin e partisë së Vulinit, Lëvizjes së Socialistëve dhe, natyrisht, nën diktatin e qarqeve skajshmërisht të mbyllura, të cilat gjithashtu i ka koordinuar Vulini”, ka thënë Janjiq.
Janjiq ka thënë se në deklaratat e disa liderëeve politike serbë , sidomos të Vulinit për Evropën dhe NATO-n, aty nuk mund të shihet vullneti për integrime evropiane.
“Ky njeri nuk është për këtë, sepse për të më e përafërt është Evro-azia. Prandaj, këtë duhet vendosur në kontekst serioz, kontekstin e presionit nga jashtë dhe ndihmës në terren , në mënyrë që, realisht, të ripërtërihet konflikti dhe që vëmendja të kthehet kah Kosova”, ka theksuar Janjiq.














