Shkruan: MR. SC. Agim KRASNIQ
Në botën moderne, demokracia si sistem më i avancuar i organizimit shoqëror dhe politik, është një sfidë sa e vështirë aq edhe komplekse. Kjo po dëshmohet edhe në rastin tonë. Situata e fundit politike pas zgjedhore, deshëm ta pranojmë apo jo, ka ndikuar në të gjitha shtresat e shoqërisë. Tani qytetarët janë të frustruarë nga një mori mesazhesh dhe informacionesh që nuk është në gjendje ti absorbojnë dhe që e bëjnë të dëshpëruar.
Shqyrtimet, propozimet, analizat, rekomandimet, numrat, synimet dhe shumë informacione tjera të pa arsyetuara, të pa argumentuara, të ideologjizuara dhe të shtrembëruara nga shumë të vetëquajtur analistë, opinionistë dhe vlerësues si individë apo grupe të ndryshme të interesit, duke u ndarë nga tërësia e problemit, po bëhen pengesë në procesin e konsolidimit të shtetit dhe demokracisë si sistem politik qeverisës. Mirëpo tani rrojmë në një botë të mbushur me bindës të ideologjizuar për të cilët çështja personale ka epërsi mbi të vërtetën madhore për vendin. Gjithashtu kishte edhe një tendencë në rritje për të krijuar një opinion publik anti-kushtetues dhe anti- demokratik.
Komponenta e diversitetit politik, e organizuar përmes grupimeve apo subjekteve politike, është element bazë i zhvillimit të demokracisë dhe jetës parlamentare brenda një komuniteti zgjedhor. Në këtë drejtim, i gjithë aktiviteti i këtyre grupimeve politike ka një qëllim ,, pushtetin “ apo të themi një term më të butë ,,qeverisjen”. Por për të ardhur deri te ky qëllim, në demokraci ekziston vetëm një mënyrë, a jo është ,,vota qytetare” si instrument themelor që shpreh vullnetin qytetar. Prandaj në këtë proces të votimit, nevojitet ,,zgjedhja” si subjekt i përfaqësimit përmes së cilës krijohet lidhja midis të zgjedhurit dhe zgjedhësve. Kjo lidhje pre supozon edhe përgjegjësin e llogaridhënies e të parit ndaj të dytëve si dhe të drejtën e të dytëve për ta revokuar të parin. Kjo formë e zhvillimit të demokracisë, mbështetet në rregullin e shumicës së kufizuar, procedurave të zgjedhjeve, dhe kalimi i pushtetit me anën e përfaqësimit.
Zgjedhjet janë një prej instrumenteve më të fuqishme të demokracisë sot, ku votimi shihet si një mundësi për të zgjedhur zyrtarët që përfaqësojnë më së miri vlerat dhe interesat e popullit. Mirëpo në shoqëritë me demokraci jo mirë të konsoliduara, sistemi zgjedhor mund të jetë nxitës ose pengesë për zhvillimin e procesit demokratik. Sistemi zgjedhor dhe proceset e tij, reflektojnë thellë mbi kuptimin dhe interesat e akterëve, të cilët janë të përfshirë në proces të tillë politik. Në këtë drejtim zgjedhjet parlamentare të 8 Qershorit të 2014, votimi për deputet, është bërë me sistem proporcional, që më pastaj nga pretenduesit politikë, doli të jetë mollë sherri në procesin e ndërtimit të institucioneve.
Çka në fakt nënkuptojnë këto forma të ndërtimit dhe zhvillimit të demokracisë. Duke u bazuar në situatën më të re politike në Kosovë, ku me datë 10 Qershor fillimisht tri subjekte politike, (LDK-AAK-NISMA) e më vonë i bashkëngjitet edhe VV , lidhën një marrëveshje politike përmes së cilës ata për qëllim të vetin kishin krijimin e një shumice parlamentare, përmes së cilës pretendonin në veprimet e krijimit të institucioneve të Republikës së Kosovës.
Të gjitha këto subjekte së bashku, në kuadër të kësaj marrëveshje kishin 63 mandate të fituara ndarazi në zgjedhjet e lartcekura, sepse edhe ishin regjistruar si të tilla në KQZ, sipas Ligjit nr. 03/L-073 për zgjedhjet e përgjithshme në Republikën e Kosovës, përkatësisht nenit 15 dhe 18. Ambiciet, se këto subjekte politike, kanë ndërtuar një shumicë pretenduese me “numrat e mandateve” dhe se mund ti krijojnë institucionet e shtetit, sollën paqartësi dhe konfuzitet, sa që çështja shkoi edhe në gjykatën kushtetuese. I gjithë opinioni publik ishte i ndikuar nga informacione të shumta prandaj do bëjë përpjekje të jap disa informacione lidhur me shumicën si term politik, që del pas një rezultati zgjedhorë të bazuar sipas sistemit zgjedhorë të aplikuar.
Opinioni publik, zgjedhjet, pjesëmarrja dhe qytetarët që vendosin, përfaqësojnë themelet e demokracisë dhe ndërtimit të shumicës, me të drejtë të qeverisjes. Në kontestet e termeve shumicë dhe pakicë të cilat përdoren në raste të ndryshme, duhet të kërkojnë një konsideratë të veçantë, e ku të paktën janë dy: strukturat dhe proceset kushtetuese si dhe arena elektorale dhe votuese. Prandaj ndërtimi shumicë-pakicë ka dy komponentë të varura nga kontestet: kushtetuese; dhe elektorale .
Së pari, në kuptimin kushtetues shprehet e drejta e shumicës për ndërtimin e institucioneve qeverisëse si dhe të drejtat e pakicës (opozita) për të ushtruar mandatin e vet të kontrollit ndaj të parit.
Së dyti në kontestin elektoral-votues nënkupton parimin mbi shumicën e ndërtuar sipas rregullave të lojës demokratike. Këtu vihet theksi mbi shumicën sipas rregullave dhe procedurave demokratike. Argumenti është se kushdo që voton për shumicën, është në anën e fitueseve, dhe zgjedhësi fitues siguron zgjedhjen e kandidatit të vet për të qeverisur. Anasjelltas kushdo që voton për pakicën (subjektet tjera politike që kanë garuar në zgjedhje) është në anën e humbësve dhe vota e tije nuk ka vlerë. Pra në votim ,,pakica” i nënshtrohet vullnetit të shumicës (qoftë edhe shumicë relative). Në rastin tonë (përveç konstituimit të kuvendit), parimi i shumicës ka të bëjë edhe me krijimin e shumicës qeveritare. Për të krijuar një shumicë qeveritare, në Kosovë nuk vlen parimi se, shumica mund të merr gjithçka, sepse nuk e ka një shumicë të nevojshme apo absolute.
Duke pas parasysh sistemin proporcional të aplikuar në Kosovë, i cili në teoritë e koncepteve të demokracisë nënkupton edhe demokraci bashkërenduese dhe e bisedimeve, si alternativ e demokracisë së sistemit të shumicës konkurruese (mazhoritare), konfliktet politike rregullohen vetëm nëpërmjet bisedimeve, negociatave dhe marrëveshjeve. Bashkërendues vije nga fjala latine ,,concardantia” që do të thotë marrëveshje. Dhe varësisht nga fuqia politike e subjekteve garuese në zgjidhje, bëhet edhe renditja e tyre konformë përqindjes së fituar të votave.
Përdallim nga sistemi i konkurrencës mazhoritare, që zgjedhjet domosdoshmërisht krijojnë shumicën absolute apo të nevojshme, në sistemin proporcional kjo shumicë vështirë se mund të krijohet Duke u bazuar në shumicën relative të krijuar pas shpalljes së rezultatit zgjedhorë, subjekti i par që do të dal me numrin më të madh të mandateve, e ka për obligim të hyj në negociata me subjektet tjera politike për të krijuar shumicën e nevojshme që do të mundësonin ndërtimin e institucioneve shtetërore. Negociatat domosdoshmërisht sjellin kompromise, të cilat në ndonjë rast mund të nxjerrin një pakicë numerike në nivelin qeveritar.
Por kjo mund të bëhet vetëm në marrëveshje me shumicën fituese. Në këtë proces për ti ikur çfarëdo lloj bllokade politike, është i domosdoshëm kompromisi, përmes së cilës edhe ndahet përgjegjësia qeverisëse, apo bëhet ndarja a pushtetit. Mirëpo për të ndërtuar dhe implementuar këto marrëveshje kompromisëse, duhet respektuar rregullat formale të përfaqësimit proporcional të rregulluara me kushtetutë si akti më i lart juridik e një vendi, si dhe tani dy aktvendimet i gjykatës kushtetuese lidhur me qështjen.
















