Popullit shqiptar i mungon qëndresa dhe këtë e ka vërtetuar komunizmi që zgjati 50 vite dhe korrupsioni, brutaliteti si dhe emigracioni me të cilin po përballemi sot.
Kështu u shpreh deputeti i mazhorancës Ben Blushi në festivalin e letërsisë, duke artikuluar kritika të forta për mënyrën sesi po funksion vendi sot.
Deputeti socialist, i njohur për qëndrimin e fortë kritik ndaj politikave të qeverisë Rama, renditi disa nga problemet me të cilat sot po pëballet shoqëria shqiptare, duke vënë theksin tek brutaliteti, emigracioni dhe korrupsioni.
“Duhet t’i kishim rezistuar më shumë të keqes, kjo do të na forconte identitetin e do të na jepte një shpirt qëndrese, që koha provoi që nuk e kemi në masën që duhet ta kemi.
Sot që flasim jemi përballë varfërisë, korrupsionit, brutalitetit, padrejtësisë, pabarazisë, integrimit, emigrancionit, injorancës. Dhe nëse ka një popull në Evropë që ka arsye mos t’i pëlqejnë shumë gjera jemi ne, se nuk vidhet asnjë popull siç vidhemi ne, është e provuar me fakte”, theksoi Blushi.
Deputeti i mazhorancës u ndal edhe tek fenomeni i emigracionit që ka përfshirë në masë shqiptarët gjatë muajve të fundit, duke e cilësuar të papranueshëm faktin se në 6 muaj janë larguar 40 mijë vetë.
“Kjo është e papranueshme sepse nëse 40 mijë veta ikin për 6 muaj do të thotë në tetor janë bërë 100 e ca mijë zyrtarisht. Po mirë, a mendojmë ne nëse kjo ikje vazhdon çfarë perspektive ka ky vend, dhe në fund të fundit kush do i punojë tokat tona. E beson dot që pas 30 vjetësh nga 2 milionë që jemi sot këtu të jenë 1 milion?”, tha Blushi.