Daut Dauti
Shteti i Kosovës dhe i Maqedonisë janë zgjidhje të përkohshme apo rezultat i masave emergjente që ka ndërmarrë bashkësia ndërkombëtare (Evropa dhe SHBA-të) për ndaljen e konfliktit ekzistues ose për parandalimin e konfliteve të ardhshme. Këto masa, siq po vërtetohet, nuk e zgjidhin problemin e vjetër të Ballkanit.
Bashkësia ndërkombëtare, me këto masa, ka krijuar një eksperiment duke mëtuar që këto dy vende të shëndërrohen në subjekte shtetërore dhe ndërkombëtare. Por, eksperimenti është në dështim e sipër pasi që as Kosova e as Maqedonia, deri sot, nuk kanë arritur të krijojnë shtete funksionale. Evropa dhe SHBA-të duhet të provojnë edhe një herë me një plan 5 apo 10 vjeçar për të vërtetuar përfundimisht nëse këto dy vende mund të krijohen shtete të mirfllta. Nëse rezultati është negativ dhe nëse Greqia vazhdon ta injoroj ekzistencën e Maqedonisë dhe Serbia ekzistencën e Kosovës dhe nëse këto shtete nuk pranohen në Union Evropian, atëherë Kosova dhe Maqedonia duhet t’i shikojnë mundësitë e krijimit të një federate apo konfederate me Shqipërinë.
Kjo federate/konfederatë, me këto tri subjekte, është zgjidhja më optimale e problemeve në Ballkan të cilat po reflektohen negativisht edhe në Evropë. Federata/konferderata, pas një periudhe, do të duhej të shkrihej në një subjekt të vetëm.
Në një të ardhme, ky subjekt (mund të ketë çfarëdo emri), pasi që do të dëshmoj aftësi të ekzistencës dhe prosperitetit, mund të kërkoj ndonjë lloj unioni me Greqinë. Me këtë veprim do të përmirësoheshin gabimet e Kongresit të Berlinit dhe atij të Versajit dhe e cila gjë, njëkohësisht, do të shënonte fundin e problemeve në Ballkan. Si rjedhojë, në aspektin ekonomik dhe në ate të sigurisë, do të forcohej rajoni i Ballkanit dhe Evropa. Do të evitohej rreziku pan-sllav, diga e të cilit qe rrënuar në Kongresin e Berlinit, dhe që nga atëherë, sidomos kohëve të fundit, ky rrezik është në rritje e sipër e duke e kërcënuar Evropën.
(Harta tregon përkatësinë etnike/nacionale të rajonit para një shekulli. Me ngjyrë pjeshke janë trevat shqiptare. Trevat greke janë të shënuara me ngjyrë të kaltër kurse ngjyra e verdhë/jeshile shënon përzierjen e popullsisë shqiptare, greke dhe sllave në Maqedoni).















