Plot gjashtë komisariate kanë kaluar në gatishmëri, për të siguruar mbarëvajtjen e Asamblesë Parlamentare të NATO-s, punimet e së cilës do të mbahen për tri ditë në Tiranë.
Duke filluar nga dita e nesërme deri të dielën masat e sigurisë në Tiranë do të rriten ndjeshëm për shkak të zhvillimit të sesionit të pranverës së Asamblesë Parlamentare të NATO-s.
Përveç kufizimeve të qarkullimit rrugor, të akseve pranë Pallatit të Kongreseve, përreth tij nuk do të lejohet të kalojnë asnjë këmbësor. Në gatishmëri për 3 ditë janë vendosur Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë si dhe reparte të tjera speciale, të cilat do të monitorojnë situatën nga lartësitë e godinave pranë Pallatit të Kongreseve.
Burime nga policia nuk përjashtojnë as mundësinë e patrullimit nga ajri të ndonjë helikopteri të Ushtrisë, si në rastet e vizitave të personaliteteve të larta të kohëve të fundit. Nën vëzhgim të rreptë do të jenë edhe hotelet ku do të akomodohen 600 delegatët. Nëntë hotelet janë marrë në ruajtje nga policia, e cila ushtroi kontrolle edhe me qen antieksploziv.
Mjediset e brendshme të hoteleve do të ruhen për 3 ditë nga Policia Ushtarake dhe Forcat e Armatosura. Po ashtu, pjesë e planit të masave janë edhe Shërbimi Informativ i Shtetit, Agjencia e Inteligjencës Sigurisë dhe Mbrojtjes si dhe Garda e Republikës, e cila ka marrë në dorëzim Pallatin e Kongreseve, ku do të mbahen punimet 3-ditore.















