Botuesja e njohur flet në një intervistë befasuese për projektin e saj më të fundit për botimin e Vargjeve Satanike të Selman Rushdi, botim i cili ka frymëzuar një furtunë të vërtetë histerike kundër që prej botimit të tij shumë vite më parë. Dudaj, e kërcënuar dy vjet më parë për një gjë të tillë, tregon se çfarë ka ndryshuar sot në Shqipëri në lidhje me këtë botim. Ajo rrëfen për vetveten, për sprovat e saj në biznes dhe në miqësi dhe një vështrim për marrëdhëniet njerëzore në Tiranë. Edhe pse e pa përfshirë në asnjë strukturë politike, Dudaj njihet nga miqtë e saj si një intelektuale mjaft e angazhuar deri në protestat e ish-opozitës së djeshme shqiptare. Një vështrim i veçantë për raportin burrë-grua në shoqëri dhe çfarë refuzon Arlinda Dudaj në të, në intervistën e saj për revistën Java, menjëherë mbas botimit të librit që dikur tronditi Perëndimin
Ju jeni një nga gratë e njohura të Tiranës, por kush është Arlinda Dudaj e parë me sytë e vetë Arlinda Dudajt?
Kjo është një pyetje e vështirë për t’u përgjigjur. Ende nuk e kam mbaruar punën më të vështirë në botë, siç mund ta quanin latinët, njohjen e vetvetes. Eshtë një punë dhe një sipërmarrje gati-gati e pamundur. Po kështu, e kam të vështirë të flas për veten në vetën të tretë. Në disa raste një gjë e tillë ndodh, por nuk jam unë ky rast. Megjithatë, nëse insistoni, po ju them se jam një përzierje e shumë gjërave të ndryshme, që ndonjëherë duket edhe se e përjashtojnë njëra-tjetrën. Jam edhe idealiste, e brishtë, e pavendosur, por edhe e prerë dhe kokëfortë si ballkanase tipike. Më pëlqen të flas gjatë dhe të dëgjoj më pak, por më pëlqen edhe të dëgjoj gjatë e vetë të rri në heshtje, më pëlqen të qesh, të lexoj, të eci në këmbë, të botoj libra, të takoj autorë, të mërzitem, por të mos qaj, të qaj nga lumturia, të ngrihem, të ankohem e shumëçka nga gjërat që bëjnë njerëzit e zakonshëm. Që bën kushdo, ti, unë, fqini ynë apo njeriu që nuk i flasim prej vitesh, pavarësisht se është i njohur apo jo, se del apo jo në televizor, jep intervista apo bën të kthehet koka për t’u parë kur del në rrugë. T’jua them ndershëm? Njerëzit e njohur në këtë vendin tonë të vogël nuk janë një shembull dhe aq i mirë për t’u ndjekur.

Sapo keni nxjerrë në treg Vargjet Satanike të Rushdiut. Pse kjo zgjedhje sot, ndërkohë që në Evropë është bërë vite më parë dhe ka provokuar debate të ashpra?
Kjo zgjedhje nuk është e sotmja, ka kohë për të mos thënë shumë vite që diskutohet botimi i këtij libri. E kam pasur në planet e mia prej shumë e shumë kohësh, por mesa duket, nëse do të më lejohet ta them me pak humor, qenka e shkruar për ne shqiptarët që të jemi të fundit në Evropë në gjithçka bëjmë, edhe botimi i këtij libri ndodhi sërish në fund. Përtej humorit, mesa duket është kështu edhe si rrjedhojë e disa rrethanave specifike, nevojitej edhe pjekja e disa kushteve të veçantë. Megjithatë të gjitha këto janë folje në kohën e shkuar, sot e rëndësishme është që libri është në duart e lexuesve. Nuk e di nëse ky botim do të sjellë debat, ashtu siç ka ndodhur shumëkund gjetkë, por edhe nëse ndodh një gjë e tillë, besoj se nga debati nuk ka asnjë të keqe. As nga “pro”-të për librin, as për “kundrat” ndaj tij.
Jeni kërcënuar?
Jo, nuk ka ndodhur një gjë e tillë. Dy vjet më parë, po, por në rrethana të tjera. Atëherë deklarova publikisht për herë të parë se kisha në plan të botoja Vargjet Satanike në shqip dhe në email-in tim, më vijnë dy të tillë kërcënues. Asgjë më shumë. Mendoj se ka shumë arsye për një gjë të tillë. Duke nisur që me atë thesar që fatmirësisht ne shqiptarët kemi trashëguar, tolerancën që herë pas here bashkëjeton në mënyrë shumë të çuditshme edhe me një intolerancë ekstreme. Kam përshtypjen se njerëzit janë më të qartë lidhur me faktin se libri duhet lexuar para se të kalohet në paragjykime mbi bazat e një gjëje të palexuar. E ka thënë dhe vetë Salman Rushdie, që njerëzit më ekstremisht kundër librit ishin fanatikë që nuk kishin lexuar një rresht nga libri. Kam përshtypjen se ekstremet në përgjithësi vijnë dhe ushqehen pikërisht nga padija.
Një shtëpi botuese dhe një universitet, Marin Barleti, çfarë kanë të përbashkët dhe çfarë të ndryshme kanë këto dy aktivitete me të cilat ju merreni? Cilat janë problemet e tyre?
Unë merrem me shtëpinë botuese më së shumti, por sigurisht jo më pak me botimet universitare të universitetit Marin Barleti. Eshtë gjithashtu një nga fushat e rëndësishme të interesave të mia, jo nga pikpamja e ngushtë e biznesit, siç mund të perceptohet së jashtmi. Këto janë dy aktivitete që ndryshojnë shumë nga njëri-tjetri, ashtu siç janë pothuaj e njëjta gjë në një këndvështrim të caktuar, në faktin që të dy kanë të bëjnë me intelektin njërëzor dhe me përpjekjen për të shpërndarë dije. Botimi i librave dhe një universitet serioz kryejnë në vetvete thuajse të njëjtin mision, atë të edukimit dhe mendjehapjes. Besoj fort se investimi më i madh që mund t’i bëhet të nesërmes së shoqërisë në përgjithësi dhe çdo individi në veçanti, është hapja e mendjes ndaj edukimit. Arsimi, njëlloj siç na thoshin dje prindërit tanë, është dhe do të jetë në fakt, arma kryesore për jetën. Dhe jeta sot është bërë gjthmonë e më e vështirë me pasiguritë dhe tensionet e saj.
Pse lexojmë kaq pak ne shqiptarët?
Pse lexon kaq pak njeriu i sotëm modern, ndoshta do të ishte më saktë të thuhej. Ose, pse ka rënë cilësia e leximit dhe pëlqehen gjithmonë e më shumë limonatat. Ka një mori faktorësh pse është kështu. Një nga to, për shembull, është dhe ritmi pabesueshmërisht më i lartë i jetës në krahasim edhe me pak dekada më parë, është dhe pafundësia e ofertave që vijnë bashkë me librin për të ndarë kohn e lirë. Edhe në Shqipëri ne jemi shumë të prirur drejt gjërave sipërfaqësore, madje dhe bisedat për librat ndonjëherë më duket se bazohen vetëm te kopertina. Po kështu gjatë rrugës kemi humbur ose më mirë kemi shkatërruar edhe sistemin arsimor, që në vetvete duhet të edukojë brezat me një letërsi të mirë, ta afrojë sa më shumë brezin e ri tek leximi. Pyetën dikur një mikun tim për të njëjtën gjë duke i thënë sesi ka mundësi që kafenetë janë gjithmonë plot, ndërsa libraritë mezi shohin dikë që të hyjë brenda. As ai nuk dha përgjigje, por kujtoi se në Tiranën e para viteve 90’, kur doje të takoje një mik me interesa të ngjashme me ty, e gjeja padyshim në bibliotekë. Sot nëse do të fshihesh që mos të të gjejë kush nëpër Tianë, mund ta bësh një gjë të tillë pikërisht në bibliotekë apo në librari.
Sa e vështirë është të jesh një grua në botën e egër dhe përgjithësisht mashkullore të biznesit në Shqipëri?
Eshtë shumë e vështirë, megjithëse unë nuk e kam parë si luftë mes burrash e grash. Kam parapëlqyer përherë të punoj me profesionalizëm dhe të konkuroj në këtë mënyrë, dhe e kam gjetur vendin tim. Kjo është një histori që përmendet shpesh, ndodh që burrat që janë tërësisht maskilistë flasin për të drejta të barabartë me gratë, njëlloj sikur ofrojnë një lëmoshë dhe gra që flasin e kërkojnë po të drejta të barabarta, sikur janë viktima që kërkojnë një lëmoshë. Refuzoj të jem pjesë e kësaj skeme.
Dhe po kështu, sa e vështirë është përkatësia apo bindjet politike në këtë fushë? Sa ndikon, sipas jush politika në suksesin dhe dështimin në biznes?
Unë bindjet e mia nuk i kam lidhur kurrë me biznesin, më ka ndodhin të m’i lidhin të tjerët, po kjo për fat të keq është një dukuri shqiptare. Kam punuar e do të punoj gjithmonë njëlloj, e të pretendoj të marr atë që meritoj. Kam protestuar e do të protestoj për gjëra që nuk i gjykoj të drejta, me ndërgjegjen qytetare që duhet të ketë secili prej nesh, i majtë apo i djathtë qoftë.
Ju keni qenë një nga figurat e njohura të opozitës së djeshme, jo e përfshirë në struktura zyrtare të saj, por nuk mungonit kurrë në protestat që ajo organizonte në rrugë apo aktivitete të tjera në salla. Ka ndryshim miqësia apo dhe marrëdhëniet njerëzore në përgjithësi, kur në mes hyn pushteti? Kanë ndryshuar miqtë tuaj të vjetër?
Eshtë e vërtetë që pushteti i tjetërson njerëzit, të duket sikur nuk i njeh më, por mua nuk më ka ndodhur. Ndoshta ngaqë nuk e kam lidhur miqësinë me interesin dhe interesat në miqësi kanë qenë kurdoherë të ndershme.
Keni sërish të njëjtën marrëdhënie me kryeministrin, që gjithashtu njihej si një nga miqtë tuaj?
Sigurisht, nuk para më ndodh t’i shndërroj marrëdhëniet, miqtë janë për tërë jetën, në të mirë e në të keq. Por nuk e di nëse pushteti të bën të jesh më mirë apo më keq.
Intervistoi Lorenc Vangjeli
















