Në kohën e kongresit dhe votimeve të demokratëve, dr. Berisha tha një nga fjalitë më të gjetura të tijat në këto vitet e fundit. Ai, me një mendim prej njeriu midis artistit dhe politikanit deklaroi: Fitorja mund të vijë edhe para zgjedhjeve lokale. Kur vjen fitorja, nuk i thotë kush mos hajde. Fitorja është njëlloj si bleta, që me punën e saj të imët krijon një nga arkitekturat më mahnitëse të natyrës; po kështu edhe demokratët arkitektojnë fitoren e bukur të ardhshme në kohën më të bukur?! Po e gjetur, dhe frazë kuptimplote. Por për mua ka dhe të vërtetën brenda. Kjo frazë e ish kryetarit të PD-së, njeriut i cili nga themelimi i PD-së dhe deri në vitin 2013, por edhe sot pjesërisht, drejton PD-në, është nga më të vërtetat e tij. Ajo është fraza model, e cila i paraprin veprimeve të një partie të drejtuar nga ai vetë. Dr. Berisha, është lideri maximus i PD-së dhe ka të drejtën për të lëshuar të tilla fraza të mëdha. Por pse është e vërtetë kjo frazë? Nuk thashë e drejtë, por e vërtetë! E në fakt, e vërteta për mua është më e rëndësishme në kushtet e sotme shqiptare, se sa e drejta.
Pra pse është e vërtetë? Brenda saj ka një të vërtetë të madhe, por që dr. Berisha nuk e thotë, sepse o nuk e di, ose nuk ka nevojë ta thotë në sqarim. Në bisedë me një person të respektuar që merret me bletët dhe i do ato, marr vesh që: Bletët e ndërtojnë këtë arkitekturë të jashtëzakonshme sikundër thotë lideri maximus Berisha, në errësirë?! Edhe kur kanë provuar ekspertët për të krijuar një kuti të tejdukshme si koshere, bletët më përpara kanë mbyllur anën e xhamtë, e kanë bllokuar atë, dhe pastaj kanë ngritur “kantierin e tyre” të ndërtimit të arkitekturës superlative pikërisht në errësirë. Edhe në gjendje të egër, të lirë po themi, arkitektura e tyre ngrihet në vende me errësirë, pa dritë, në vende të futura ku drita mungon. Dr. Berisha thotë “njëlloj si bleta me punën e saj të imët krijon një nga arkitekturat më mahnitëse të natyrës, po kështu dhe demokratët arkitektojnë fitoren e bukur të ardhshme” dhe patjetër që është i pagabueshëm për krahasime!
Është shumë e vërtetë se “demokratët edhe tani po arkitektojnë fitoren e tyre si bleta në errësirë të plotë”!? Nuk ka parti në Shqipëri që mund të arrijë këtë parti për nga errësira në arkitekturimin “nëqoftëse mund të shprehen kështu për fitoren” (edhe pse më duket pak sa retro bolshevizëm batutë politike) si PD-ja. Asnjë parti nuk i afrohet asaj edhe për sharm dhe kualitet të dr Berishës, për nga errësira e arkitekturës së fitoreve. Ajo (fitorja) vërtetë që krijohet në errësirë, aty brenda, pa dritë, pa asnjë lidhje me ndriçimin dhe të kalimit të dritës në ngritjen e saj. Ashtu përgatitet ajo, në errësirë dhe është pjesë e saj. Pastaj në se dikush mund të kërkojë transparencë apo tejpashmëri, ose shikim të qartë në të, kjo gjë, as nuk mund të mendohet sepse thjesht “nuk ka dritë”?! Padyshim që një arkitekturë e bukur është ajo e bletës, por është e ngritur në errësirë, pa asnjë dritë normale në të?! E padyshim që ajo prodhon mjaltin?! Sigurisht një diçka të mrekullueshme. Mbase ky është dhe justifikimi i kësaj arkitekture në errësirë të plotë?! Tani më duhet të merrem seriozisht me politikën e arkitekturës së errësirës. Është kjo filozofi arkitekture politike që në “kërkim të mjaltit”, ndërton arkitekturë në errësirë të plotë. Për më tepër se në rastin konkret kishte të bënte me një model të fitores përpara zgjedhjeve. Ishte mendimi “arkitekturor i dr. Berishës” që gjithmonë i ka dashur të tilla fitoret, dhe nuk bëhet fjalë se në brendësinë e tij ka njohur humbjet. Arkitekturat e errësirës nuk pranojnë humbjen, ato merren vetëm me “mjaltin” që e duan për vete dhe vetëm për vete. Fundi i qeverisjes së demokratëve ishte “arkitektura më e shpifur politike që ka pasur ndonjëherë ky vend” dhe padyshim është pjesë e konstitucionit mendor të “arkitekturës së errësirës”? Asaj arkitekture jo transparente, që nuk tregon asgjë jashtë, që nuk do aspak dritën dhe që autolavdërohet për mjaltin që medemek ka prodhuar!
Unë nuk mund, dhe nuk dua të kritikoj kurrë bletët, por arkitektura kanë shumë në natyrën e të bukurës. Po shikoja një shegë. Super arkitekturë dhe që kërkon diell, dhe për më tepër në fund kur do të të falë prodhimin, çan lëvozhgën dhe të nxjerr pikërisht atë prodhim të ëmbël dhe të pjekur që për nga arkitektura nuk mbetet pas askujt. Nuk kam asgjë më natyrën dhe aktorët e lartë të saj, por politikat e liderëve maximus në kërkim të mjaltit arkitekturor në errësirë, janë fyese për një popull sa do i vogël dhe retropolitikisht qoftë ai. Janë ide dhe mendime të shpartalluara dhe të një post komunizmi shumë të zgjatur në Shqipëri. Po, prodhim i mendjeve tipikisht bolshevike që fatkeqësisht “marrin përsipër ose ju është ngarkuar fajësisht përsipër, të ndërtojnë demokracinë te ne”?! Asgjë me bletën, por me arkitektët e mendimit politik në errësirë dhe të errët. Mendimit që ndërton arkitektura të errëta, për të rrëzuar pushtete dhe qeveri që vijnë me votat e popullit. Ashtu sikundër u tha se: E rëndësishme është se protesta dhe revolta është në zemrën e çdo demokrati dhe të çdo qytetari shqiptar. Kjo është pra arkitektura e errësirës dhe ka të bëjë me revoltën!? Normalisht që tashmë shumë kush i merr vesh të tillë mendime të errëta dhe arkitektura po të tilla, por kujdesi nuk është kurrë i tepërt.
















