ARBEN MANAJ
Jam i vetëdijshëm se tema për të cilën po shkruaj dhe shkurt, mund të jetë mondane dhe luks, deri diku, për rrethanat e Shqipërisë, por nuk jam i bindur plotësisht.
Spunotja më vjen nga një ankand i një pikture të jashtëzakonshme të piktorit serb, Paja Jovanoviç, të titulluar; “Dy rojet shqiptare para portës”. Vendndodhja në Egjipt.
Kjo kryevepër e “orientalistit” më të madh serb të shekullit XIX, u shit këto ditë në ankandin e artit modern, dhe jo vetëm, Sotheby’s në Londër, për afro gjysmë milionë stërlina, duke nisur si çmim me 150 mijë stërlina.
Jovanoviç, një serb i lindur në Vojvodinë, tashmë pjesë e Serbisë, nga baba serb dhe nënë franceze dhe i diplomuar në Vjenë, ka hedhur në telajo gjatë jetës së tij rreth 8 piktura me motive shqiptare dhe për shqiptarë, i mrekulluar nga kostumet e shqiptarëve, që i ka ndjekur nga Shqipëria e deri në Egjipt.
Madje, ai ka ardhur edhe në Shkodër dhe ka pasur, siç thuhet, miqësi me piktorin e Rilindjes sonë Kombëtare, Kol Idromenon.
Edhe pse blerësi i kësaj kryevepre të Paja Jovanoviçit, nuk dihet, ajo që dihet, është zhurma dhe zemërimi i medias serbe, që me të drejtën e Zotit, pasi bëhet fjalë për një piktor serb, kundrejt qeverisë dhe biznesit serb, që nuk arriti t’a blinte këtë kryevepër të artit serb, për fondin e vetë të kulturës serbe.
Ashtu si edhe gazetarët dhe intelektualët serbë, edhe unë ngre të njëjtin shqetësim, nga me tërheq mua krraba.
Përse qeveria shqiptare dhe biznesi shqiptar nuk i kushton vëmendje këtyre eventeve?!
Normal serbët më shumë, por edhe ne si shqiptarë, kemi deri diku, një lloj të drejte kulturore për të shtënë në dorë, në bazë të konkurrencës së lirë të ankandeve, kryevepra të tilla të artit, paçka se autori është serb, në fund të fundit, por subjekt janë shqiptarët, në fund të ditës.
Fjalën e kam për ato piktura të këtij piktori realist serb, që kanë pasqyruar karakterin edhe kostumografinë shqiptare. E që janë akoma më të lira se kjo e shitura.
Aq më tepër, që këto kryevepra dalin në ankand si në Sothbey’s e famshme të Londrës.
Për sa kohë që mund t’a shtjerë në dorë një kryevepër të këtillë një rus, kinez, arab apo britanik, përse jo një shqiptar, se serb po se po.
A thua se shteti shqiptar nuk ka fonde të tilla!!
Mund të duket luks, por Shqipëria nuk duhet të përqendrohet vetëm në mirëqenien materiale, por edhe atë shpirtërore, dhe trashëgiminë kulturore, qoftë edhe e kësaj natyre, ku shqiptarët janë subjekt arti.
Dhe mirë bën, si në rastin e aktiviteteve të shumta dhe të kushtueshme për Skënderbeun nga lindja, martesa e vdekja…
Shqipëria për mua, çdo ditë dhe çdo vit, bëhet më e pasur, pa pikën e dyshimit. Shqipëria çdo vit, krijon milionerë, që fatkeqësisht harxhojnë në vanitete apo evente kompleksuese, pasi shumë prej syresh, janë njerëz që janë bërë me para, por pa shije të sofistikuara artistike, nisur se nga vijnë.
Jo të gjithë xhanëm, por një takëm syresh, kanë prirje të theksuara për të investuar në konkurse maskiliste “Miss”-esh, sesa në koleksione të tilla, që do i bënin nder statusit të tyre, qoftë edhe kallp, por edhe trashëgimisë dhe fondit shqiptar të kulturës.
Qeveria shqiptare do duhet të kishte një vëmendje më të madhe për detaje dhe evente të tilla, përmes strukturave të saj përfaqësuese, si në Londër p.sh.
Jo vetëm kaq, por edhe do duhej të inkurajonte biznesmenë dhe koleksionistë të tillë të kamur shqiptarë, që në pamundësi për të investuar nga buxheti kulturor i shtetit, t’i nxiste ata përmes insentivash lehtësuese tatimore, për blerje kryeveprash të tilla arti, me subjekt shqiptarët, dhe trashëgiminë e vlerat e tyre, pavarësisht etnisë së autorit.
Aq më tepër, bëhet e rëndë dhe e dhimbshme, kur ke një kryeministër që zografis vetë dhe këshilltarët e kulturës i ka nga e njëjta degë e artit, por cili kryeministër shqiptar, tekembramja, pyet për këshilltarët, edhe nëse ata arrijnë të mësojnë për kësi luksesh dhe e këshillojnë nëse nuk kanë angazhime të tjera…!!
Mos po kërkoj shumë, vallë…
















