Trendi i ri i politikës shqiptare ka të bëjë me atë që quhet “përfshirje e të rinjve në politikë”. Vitet e fundit jemi bërë dëshmitarë të fushatave elektorale të përqendruara te promovimi i të rinjve, deri në kulmimin e zgjedhjeve të fundit ku një adoleshente u zgjodh të jetë pjesë e parlamentit. Tashmë me një histori mbi 20-vjeçare, forumet rinore politike i atribuojnë vetes promovimin e shumë figurave politike, duke filluar që nga kryetari i kuvendit, ai i opozitës, një sërë ministrash dhe ish-ministrash. Duke e parë në një këndvështrim tjetër, për shumëkënd idealist, por unë do të thosha krejt realist, shtrohet pyetja: a po kontribuojnë vërtet të rinjtë, apo po përdoren për qëllime meskine?
Është e vërtetë se sistemi politiko-ekonomik i kohëve tona detyron që në krye të çdo marrëdhënieje të jenë interesat. Dallimi i madh, i cili përcakton edhe karakterin e kastës aktuale dhe asaj të ardhshme politike, është përcaktimi nëse do të mendohet për interesa personale apo interesa të një karakteri gjithëpërfshirës afatgjatë. Deri më sot, forumet politike rinore në pjesën më dërrmuese kanë qenë makineta në shërbim të axhendave të liderëve të partive. Të rinjtë në politikë janë përfshirë nga efekti “turmë”, ku të jesh në një parti të jep perceptimin se i ke krahët e ngrohtë. Duhet të punosh për partinë, të sigurosh vota, të shkosh nëpër mitingje duke mbajtur parulla në duar, të jesh korrekt në festat e mëdha ku janë të pranishme mediat dhe të kesh shpresë se po bën një punë të mirë. Nesër, nëse partia jote është në pushtet, të garantohet një vend pune, një bursë studimi apo diçka tjetër e kësaj natyre.
I gjithë ky aktivitet i ngushtë bën që politika të vazhdojë të shihet si një mjet përfitimi dhe jo si një mjedis ku mund të kontribuosh me anë të ideve. Sot forumet rinore nuk marrin përsipër edukimin e një klase të ardhshme politike, por mbledhin të rinj për të mbledhur vota. Ekzistenca e akademive politike është krejtësisht inekzistente. Afrimi i të rinjve intelektualë pranë strukturave të forumeve është në nivele të ulëta, pasi janë më të pëlqyer ata që mund të sigurojnë më shumë vota rrugëve sesa ata që mund të hartojnë strategji të mirëfillta aktivitetesh politike. Është shumë e vështirë që të gjesh një të ri nga FRPD të të flasë për liberalizmin ekonomik dhe atë politik, për idetë ekonomike të liberalëve të mëdhenj si Hayek e Friedman, apo të gjesh një mjedis ku diskutohet “Pasuria e kombeve” e jo më pastaj të pretendohet që të rinjtë të bëjnë një opozitë konstruktive me dhënien e alternativave. Pa dyshim që e njëjta gjë vlen edhe për kampin tjetër politik.
Por si mund të ndërhyhet në këtë sistem? Natyrisht nuk mund të ketë një recetë të gatshme, e aq më tepër të përcaktohet ndërhyrje e prerë vertikale nga lart-poshtë apo anasjelltas. Në perceptimin shqiptar për përfaqësuesit në legjislativ duhet të ndryshojë diçka thelbësore: deputetët nuk duhet të merren me “punë sociale”. Është e paimagjinueshme në botën perëndimore sot që një politikan i nivelit të lartë të ndërhyjë për të çuar dikë në spital, për të dhënë një bursë studimi apo për të parandaluar personalisht një rast korrupsioni. Përkundrazi, politikanët duhet që me anë të ideve të shndërruara në projektligje të arrijnë që mekanizmi i shtetit të së drejtës të funksionojë pa ndërhyrje personale. Prandaj ne sot në parlament kemi një nivel shumë të ulët të zgjedhurish. Është produkt direkt i punës së dobët të forumeve politike. Sot pas shumë vitesh pluralizëm duhej të kishim të përgatitur kastën e re politike në një nivel shumë më të lartë intelektual, por të dhënat na tregojnë se jemi shumë më poshtë se viti ’92.
Në një situatë të tillë alarmante (pa e ekzagjeruar asnjë gram) duhet një ndryshim rrënjësor i punës nga këto forume rinore. Kthimi i tyre në akademi të vërteta politike, me qëllim edukimin politik të një kaste të re do të ishte shërbimi më i mirë afatgjatë ndaj shtetit. Aktivitetet duhet të jenë më gjithëpërfshirëse dhe reale, duke mos u fokusuar vetëm në promovimin mediatik. Duhen ngritur strukturat nëpër universitete, duke nxitur aktivitete konstruktive, si për shembull debate të hapura në fusha respektive, konferenca të përbashkëta, punë kërkimore kritike etj. Kontributi më i madh që mund të bëjnë të rinjtë të angazhuar në politikë është t’i shërbejnë rritjes së nivelit intelektual të rinisë, ndoshta duke sakrifikuar festat e mëdha me pije falas, por duke investuar kohën dhe paratë në edukim real efektiv. Zhvillimi teknologjik dhe liberalizimi i lëvizjes duhet të shërbejë për këdo si mjete për të përfituar eksperienca të reja. Shembujt dhe mundësitë janë, mjafton dëshira.















